E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ka rënë zjarr! U dogjëm!

08-01-2011 / L.Q

E gjithë strategjia haxhiqamiliste e opozitës u shkrumbua me nisjen e procedurës ligjore të asgjësimit të fletëvotimeve dhe dërgimit të materialeve zgjedhore në arkivin e shtetit. Edi Rama ka humbur qetësinë dhe s’po di kujt t’ia hedhë fajin për 18 muaj politikë të shkuar dëm. Tani në PS s’ka nevojë për aksion politik, por për një politikë zjarrfikëse!


Komisioni Qendror Zgjedhor zbatoi dje vendimin për pastrimin e kutive të votimit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Procesi, siç edhe ishte lajmëruar ka nisur mëngjesin e djeshëm nga 50 punonjës të administratës së KQZ. Pas një mbledhje të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, KQZ miratoi me 4 vota ‘pro’ projektvendimin për “Administrimin e listës së zgjedhësve që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, të cilat janë përdorur në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28.06.2009”. 3 anëtarët e opozitës s’morën pjesë në votim, për shkak të bojkotimit të mbledhjes. Sipas këtij vendimi listat do të arkivohen me zarf të mbyllur. Nga ana e saj opozita u deklarua kundër dhe pas debatit me kryetarin e KQZ, Ristani, u largua nga mbledhja, duke konfirmuar kështu bojkotin e paralajmëruar nga Edi Rama. Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, listat e zgjedhësve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore klasifikohen sipas dispozitave që parashikon ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Për shkak të mos gjetjes së një gjuhe të përbashkët për mënyrën sesi zbatohet ligji për çështjen e listave të zgjedhësve nga ana e kreut të këtij institucioni dhe nënkryetares së tij, KQZ i dha dje një shans të dytë opozitës, por kjo e fundit si kurdo herë doli jashtë ambienteve ku zhvillohej mbledhja. Transparenca e pretenduar nga socialistët, tashmë bëhet e pamundur, pasi me dërgimin në Arkivin Qendror të Shtetit, listat nuk mund të bëhen publike në një të ardhme të afërt. Ato nuk mund t’i vihen në dispozicion as edhe një autoriteti tjetër, përfshi një subjekt politik siç mund të jetë Partia Socialiste apo qoftë edhe një komisioni hetimor parlamentar, pasi kjo do të konsiderohej një shkelje e privatësisë së zgjedhësve. Për kreun e KQZ-së djegia e fletëve të votimit është procedurë rutinë dhe bëhet pas çdo procesi elektoral, por mori këtë herë një vëmendje të madhe të opinionit publik për shkak të situatës së ngarkuar politike. Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi u deklarua kundër shqyrtimit të këtij akti duke e quajtur  “jo kompetencë e KQZ, dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor”. Ajo shtoi se ky akt nuk mund të shqyrtohet pasi ajo si nënkryetare e KQZ-së nuk e ka firmosur dhe se akti hyn në fuqi vetëm pas firmës së nënkryetarit. Në këtë kuadër, Subashi kritikoi urdhrin e Ristanit. “Akti i 29 dhjetorit shmangu listat. Shmangia ka pasur si qëllim largimin e komisionerëve të opozitës”- theksoi ajo. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani fajësoi komisionerët e opozitës për mungesën e tyre në diskutimin e 29 dhjetorit që sipas tij nëse përfaqësuesit e PS-së nuk do të ishin larguar nga mbledhja atëherë KQZ-ja do të gjente konsensus dhe do ta kishte votuar atë unanimisht. Pas debatit me kryetarin e KQZ-së, përfaqësuesit e opozitës braktisën mbledhjen.


Zi në PS


Tymi i zi i fletëve të votimit izoloi selinë e Partisë Socialiste, aty ku djegia e fletëve u shoqërua si një ceremoni mortore, por që nga ana tjetër ekzistonte dhe një hije dëshire, apo aprovimi për zbatimin e ligjit. E vërteta është se një pjesë e mirë e përfaqësuesve të selisë rozë, ishin lodhur tej mase nga tollovia 18 mujore e Edi Ramës, në kërkim të transparencës, të asaj transparence imagjinare, që asnjëherë s’doli në dritën e vërtetësisë, duke mbetur kështu thjesht si një njollë e zezë turpi në memorin e socialistëve. KQZ vendosi t’i japë fund debatit të gjatë dhe pa rrugëzgjidhje, duke i dhënë një mësim të mirë opozitës së Edi Ramës se askush s’mund të dalë mbi ligjin dhe Kushtetutën. Por, pakkush nga vasalët e kryetarit Rama e ka kuptuar se pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve, materialet përkatëse asgjësohen ose kalojnë në Arkivën e Shtetit. Dhe kjo pa ndonjë të keq, pasi realisht një pjesë e mirë e eksponentëve të politikës së mbrapshtë s’e njohin ligjin dhe kushtetutën dhe as zbatimin e tyre. Socialistët e konsideruan si traumë vendimin për djegien e fletëve të votimit, ndërsa vaji i korbave të zeza u shtri deri te mediat e kontrolluara nga Edi Rama. Secila prej tyre solidarizohej me ligjështinë intrigante të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij. Por, tashmë në frontin socialist është hapur dhe një plagë tjetër. Edi Rama s’di se si të komandojë mbledhjen e Asamblesë Socialiste, pasi sigurisht aty do të kërkohen përgjegjësitë e këtij dështimi të madh, të këtij dështimi që bllokoi jetën parlamentare për 18 muaj dhe la vendin jashtë paradhomës së integrimit evropian. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›