E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i lirë mund ta mundë urinë

08-01-2011 / Nga Robert Zoellick

Presidenti francez, Nikolas Sarkozy ka vendosur me të drejtë paqëndrueshmërinë e çmimeve të ushqimeve midis prioriteteve që vendi i tij synon të përballojë gjatë vitit të presidencës së G-20. Të dhënat e shpërndara të mërkurën nga Fao – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin e Bujqësinë – tregojnë se çmimet e produkteve të ndryshme bazë tashmë e kanë tejkaluar kulmin e arritur në 2008. Meqenëse shpenzimi për ushqim përbën një pjesë të madhe te buxhetit të varfër familjar në vendet më të varfra , rritja e çmimeve duket si në kërcënim për rritjen globale dhe për stabilitetin shoqëror.

Kur çmimet e nevojave bazë rriten shumë, kostot bien mbi të varfrit. Pa një veprim global, popullsitë e vendeve të varfra nuk do të kenë sasi të mjaftueshme ushqimesh, me pasoja tragjike si në nivel individual ashtu dhe në prosperitetin e ardhshëm të vendeve të tyre. Anëtarët e G-20 duhet të bien dakord që të vënë ushqimin në plan të parë: sepse ushqimi është baza e jetës dhe sepse adoptimi i masave konkrete nga ana e G-20 mund të kontribuojë për të ndryshuar me të vërtetë gjendjen e qindra milionë njerëzish.

Objektivi kryesor duhet të jetë të sigurohemi që mos tu mohohet më disponueshmëria me ushqimet bazë personave dhe vendeve më të dobët. Është një objektiv që G-20 mund të arrijë, me kusht që të vërë në praktikë masat konkrete vijuese, të lidhura midis tyre.

Të bëjë më të kapshme për publikun të dhënat mbi cilësinë dhe sasinë e rezervave të grurit. Një informacion më i mirë siguron tregjet dhe ndihmon në frenimin e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga paniku. Institucionet shumëpalëshe mund të ndihmojnë në identifikimin e mënyrave për rritjen e transparencës.

Përmirësimi i parashikimeve dhe monitorimi i fenomeneve klimatike afatgjata, mbi të gjitha në Afrikë. Parashikime të kujdesshme të një periudhe të gjatë merren nga fermerët dhe nga blerësit në botën e zhvilluar; në vendet e varfra, ku korrjet varen nga reshjet e shiut, parashikimet e pasakta të prodhimeve zmadhojnë lëkundjen e çmimeve. Parashikime më të mira meteorologjike do të lejonin një planifikim më të mirë dhe do të ndihmonin për të parashikuar më parë nevojat e asistencës. Organizata Meteorologjike Botërore dhe Banka Botërore po japin kontribute në këtë drejtim, por nuk mjaftojnë.

Të analizojë më mirë raportin midis çmimeve të tregut dhe atyre në tregun lokal të vendeve të varfra. Faktorë të tillë si kosto e transportit, lloji i prodhimit bujqësor dhe kurset e këmbimit mund të shkaktojnë që çmimet lokale të ndahen nga ato ndërkombëtare: në Kamboxhia në mesin e 2009 çmimet e orizit ishin në linjë me ato ndërkombëtarë por që atëherë, ndërsa në tregun lokal të njëjtat çmime janë rritur një e katërta, në tregun ndërkombëtar janë ulur 15%.Analiza mund të përqendrohet më parë mbi produktet dhe mbi vendet më të goditur nga paqëndrueshmëria e çmimeve.

Krijimi i rezervave të vogla humanitare e rajonale në zonat e varfra në infrastrukturë të prirura drejt fatkeqësive. Rezerva të mëdha ushqimore mund të jenë të kushtueshme, prishen shpejt dhe mund të dëmtojnë aktivitetin e prodhuesve lokalë, por në vendet më të ekspozuara ndaj krizës ushqimore ku rrjetet e transportit janë të brishta, si në Bririn e Afrikës, rezerva të vogla strategjike të planifikuara do të lejojnë që ushqimet të arrijnë së shpejti në popujt e uritur, me sa duket me një kosto më të ulët. Programi Ushqimor Botëror (Wfp) mund të administrojë sistemin.

Të caktojë një kod sjelljeje për të përjashtuar nga ndihmat ushqimore humanitare embargot mbi eksportet. Kufizimet e eksporteve përkeqësojnë paqëndrueshmërinë e çmimeve të produkteve ushqimore. Ideale do ishte që asnjë vend të mos vendoste pengesa për eksportet; në 2011 të paktën duhet të arrihet të merret vendimi që të lejohet qarkullimi i lirë i ushqimeve me qëllim humanitar.

Sigurimi i rrjeteve efektive të sigurisë shoqërore. Është jetësore mbrojtja e grupeve shoqërore më të dobëta, si gratë shtatzëna dhe fëmijët nën dy vjeç. Duhet të lidhim bujqësinë ushqimore, duke ndihmuar vendet e ndryshme për tu shërbyer segmenteve të popullsisë që kanë më shumë nevojë me një kosto të arsyeshme.

Tu sigurojë shteteve pranimin në sistemet e ndihmës me një shpagim të shpejtë si një alternativë ndaj thirrjeve për eksport ose fiksimin e çmimeve. Të ndihmojë shtetet të refuzojnë politika që dëmtojnë prodhuesit e tyre dhe të shteteve kufitarë, duhet tu ofrojmë atyre alternativa të shpejta dhe të besueshme, të përshtatshme për nevojat lokale. Banka Botërore ka krijuar një “shteg për t’iu përgjigjur krizës” pranë Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillimin (Ida), me një fond prej 49 milionë dollarësh për vendet më të varfra dhe ka ngritur një fond të reagimit të shpejtë për sigurinë ushqimore. Ne mund të vlerësojmë linjat e kreditit ose kreditë me pezullimin e fitimeve dhe zgjerimin gjatë periudhave të tronditjes së çmimeve.

Të zhvillojë një gamë të larmishme të produkteve të tjera të kontrollit të riskut. Në disa raste, mjetet më të dobishme mund të jenë garancia kundrejt dëmeve meteorologjike ose një tregues i reshjeve të shiut; në veprime të tjera për të mbuluar çmimet e energjisë për të mbajtur të ulët koston e transportit dhe të veprimeve agrare.

Të ndihmojë fermerët e vegjël të jenë gjithnjë e më shumë pjesë aktive në zgjidhjen e problemit të sigurisë ushqimore. 86% e produkteve bazë në zonat e varfra vjen nga burime lokale, prandaj mbështetja e përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar bujqësinë e vogël ka në një rëndësi primare. Një hap konkret për G-20 mund të jetë ai që të ndihmojë fermerët të paraqesin ofertat për shitjen e produkteve të tyre në garat e blerjes që mblidhen nga subjektet humanitare si Programi Ushqimor Botëror. Kjo mund të kërkojë një rivlerësim fleksibël dhe disponueshmërinë për të marrë në konsideratë përfitimet e zhvillimit si ndërtimi i tregjeve lokale në vendimin e ndarjes së fondeve. Sudani i Jugut mund te jetë një test.

Përgjigja ndaj paqëndrueshmërisë së çmimeve nuk është bllokimi i tregjeve, por përdorimi më i mirë i vetë tregjeve. Përmes autorizimit së të varfërve, G-20 mund të bëjë hapa konkretë për tu siguruar atyre një ushqim të mjaftueshëm. Sarkozy ka treguar autoritet duke e vendosur këtë çështje në programin e G-20; tani anëtarët e saj duhet të veprojnë për të vendosur ushqimin në plan të parë.

*Autori është Presidenti i Bankës Botërore

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›