E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kemi përparimin më të madh në rajon për integritetin e prokurimeve publike, vlerësim i BE-së

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Shqipëria ka bërë përparimin më të madh në të gjitha vendet e rajonit për integritetin e prokurimeve publike.

Kryeministri Edi Rama iu referua sot Bashkimit Evropian në lidhje me prokurimet publike, duke iu përgjigjur mëngjesin e sotëm pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale në rubrikën “Sy m’Sy”.

“Si përdoren paratë publike nga qeveria, nga institucionet? Paratë publike përdoren përmes garave, përmes tenderave dhe natyrisht tek tenderat, tek integriteti i garave qëndron një nga pikat kyçe të betejës për modernizimin e shtetit dhe për largimin e duarve të korrupsionit nga fondet e përbashkëta publike që janë fonde të krijuara nga të ardhurat nga taksat”, tha Rama.

“Çfarë thotë BE përmes instrumenteve të vet të monitorimit, të kontrollit, të analizës dhe faktikisht të klasifikimit të vendeve? Shqipëria ka bërë përparimin më të madh në të gjitha vendet e rajonit për integritetin e prokurimeve publike”, u shpreh Rama.

“Jemi të parët në rajon me 80 pikë nga 100 të mundshme dhe të dytët, është Mali i Zi 71, të tjerët janë më poshtë deri tek nën 50 pikë në rajon. Që do të thotë që në prokurimet publike ka shumë më pak korrupsion dhe ka shumë më pak mundësi korrupsioni sesa në vendet e tjera të rajonit tonë, pakrahasimisht me çfarë ishim përpara”, theksoi kreu i qeverisë.

Dhe, shtoi Rama, “po të shikosh nga brenda të gjithë strukturën që ne kemi ndërtuar dhe mënyrës sesi funksionon struktura kupton që ka arsye pse ka ardhur ky rezultat. Dhe për të gjithë ata që nuk e dinë për shembull, sot ministritë nuk bëjnë më tendera. Sot ministrat nuk janë më të lidhur me procese tenderimi sepse proceset e tenderimit të fondeve publike janë të gjitha të kaluara në strukturat e tjera dhe ka një strukturë të posaçme të ngritur e cila bën pjesën më të madhe të tenderëve”.

“Ka qenë kjo e tenderave të përqendruar që më parë, por ama ishte nën hyqmin e politikës, nën hyqmin e drejtimit politik të ministrisë e të ministrive e kështu me radhë”, theksoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›