E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kokëfortësia e Berishës, sovrani ka fjalën

19/01/2011  Aferat korruptive, kreu socialist i parashtron kundërshtarit alternativat për zgjidhjen e krizës

“Populli mund të na tejkalojë ne dhe politikën në tërësi, nëse Berisha spranon të vetëlargohet”

Qeveria “Berisha” duhet të largohet dhe ti hapë rrugë zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte kërkesa e ardhur dje nga kreu i PS-së, Edi Rama, i cili gjatë një deklarate për shtyp analizoi zhvillimet e dy ditëve më parë në seancën e parë parlamentare për këtë sesion. Kështu, në vlerësimin e lidershipit socialist, nëse nuk vjen një zgjidhje nga vetë mazhoranca, atëherë do të jetë sovrani ai i cili do të bëjë të mundur një zhvillim të tillë, duke qenë në respekt të së drejtës legjitime. “Kjo qeveri e marrë fund duhet të largohet dhe ky i ashtuquajtur kryeministër, që ka vjedhur votat, që drejton një qeveri kusarësh e matrapazësh me bllokun e pistë të plaçkitjeve në dorë, që del mendsh sa herë del përballë opozitës, duhet ti japë zgjidhje politike një situate që rrezikon të dalë jashtë kontrollit të politikës, pavarësisht vullnetit tonë të palëkundur për të mbajtur aksionin tonë politik brenda kufijve të rolit tonë kushtetues”, vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Por duke i shkuar më tej sqarimit mbi një çështje të tillë, kreu socialist shtoi se “populli ka një liri kushtetuese e të drejta historike, që nuk i ka asnjë institucion e asnjë forcë politike. Ushtrimi i kësaj lirie e të drejte ndodh kur kushtetuta merret peng, ligjet zhvlerësohen, institucionet bien, ndërsa opozitës politike i ezaurohen mundësitë që përcaktohen prej rolit të saj kushtetues, pra kur sistemi politik del jashtë loje”. Sipas tij, roli i PS-së është të kërkojmë pa pushim zgjidhje politike edhe aty ku sduken gjasa që zgjidhja të gjendet. Por një pozicion i tillë për kryetarin e socialistëve nuk mund të vazhdojë për shumë kohë, pasi qytetarët, sipas tij, nuk e duan më një qeverisje të tillë. Për këtë arsye, Rama vlerësoi se “e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por smund ta pengojmë më popullin të marrë në dorë fatin e vet, kur ai që duhet të ishte kryeministri i vendit është kthyer në një kumbarë kusarish e matrapazllëqesh, që nga vjedhja e votave e dhjetëra e dhjetëra rastet e korrupsionit qeveritar të bëra publike, deri te matrapazllëku i zëvendësit të tij me bllok në dorë edhe për llogari të tij”. Ndërkohë që ndalur në seancën parlamentare të ditës së hënë, Rama hoqi një paralele krahasuese mes ngjarjeve të viteve 1997 dhe situatës aktuale. “I ashtuquajturi kryeministër po ribën llogarinë e gabuar që bëri kur u kap në flagrancë me Suden, duke mos zgjedhur rrugën e zgjidhjes politike, por rrugën e provokimit të popullit, që këtë herë e ka kapur në flagrancë me Ilir Metën”, u shpreh Rama. Parë në këtë këndvështrim, kryetari i PS-së vuri në dukje se “populli mund të na tejkalojë ne dhe politikën në tërësi, në qoftë se kush qeveris nuk punon për zgjidhjen politike, po bëhet zgjedhë në kurrizin e popullit. Prandaj Saliu duhet të nxitojë të japë zgjidhjen, duke pranuar zgjedhjet e reja e duke kërkuar zgjidhjen e duhur për të rikthyer politikën në parlament dhe normalitetin në procesin politik”.

Opozita e bashkuar komenton zhvillimet në Kuvend

Ngjela: Qëndrimi i Berishës, silogjizëm i marrëzisë

“Opozita e Bashkuar, në pritje të datës 21 janar konstaton, sidomos nga shfaqja e djeshme në Parlamentin shqiptar, se kjo mazhorancë, përkatësisht ky Kryeministër, ka kaluar nga një krizë morale dhe institucionale njëherësh në një krizë mendore”. Ky ishte kostatimi i bërë dje publik nga kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i cili duke folur në emër të Opozitës së Bashkuar u shpreh i bindur se data 21 janar do të tregojë se ka opinion publik në Shqipëri që ti përgjigjet abuzimit me pushtetin dhe marrëzisë së pushtetit. “Dëgjojeni logjikën e marrëzisë aktuale të Kryeministrit Sali. Ministria e Saliut, ministri i Saliut, zyra e ministrit të Saliut, zv.kryeministri i Saliut, policët që ruajnë ministrinë e Saliut, biles nga fshati i Saliut, shumica dhe nga fshatrat rreth fshatit të Saliut, por incizimin e ka bërë Rama. Ky është një silogjizëm i Shvejkut, pra i marrëzisë”, vlerësoi Ngjela. Sipas tij, fakti që bën silogjizëm të tillë të marrë tregon se di të vërtetën. Për këtë arsye, Ngjela shtoi se “fakti që di të vërtetën dhe e mbulon atë do të thotë që është i implikuar edhe ai në këtë aferë. Fakti që është i implikuar në këtë aferë, duhet të largohet një orë e më parë. Kjo është logjika aktuale, kjo do të jetë logjika e opinionit publik shqiptar, me këtë ngarkesë do të vijnë qindra mijëra shqiptarë në datën 21 ti japin fund kësaj çështjeje, ose ka katër ditë kohë të jap` dorëheqjen”. Madje, duke sqaruar më tej qëndrimin e tij, Ngjela theksoi se “me qëllim që shqiptarëve tu jepet përfundimisht e drejta të votojnë të lirë, të kenë prosperitet dhe perspektivë në vendin e tyre, të mos u thonë se jeni më të pasurit në botë, kur janë dhe e dimë që jemi më të varfrit në Ballkan. Data 21 janar i jep fund kësaj çështjeje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›