Rama: Kongresmenët e SHBA, ndihmë për programin e PS

Rama me kongresmenin Anderloht
Kreu i PS mbyll vizitën e tij në Kongres dhe Komisionin e Helsinkit.
Kreu socialist e ka përmbyllur vizitën e tij disaditore në SHBA në Kongresin Amerikan. Rama takoi kongresmenët Eliot Engell dhe Gary Peters. Ata janë zëdhënës aktivë të çështjeve shqiptare dhe përfaqësojnë komunitete në Neë York dhe Michigan, ku ka votues me origjinë shqiptare. Një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare. Rama ka falënderuar dy kongresmenët për avokatinë e sinqertë ndaj Shqipërisë pa marrë anë politike, por duke synuar më të mirën për vendin. Kongresmeni Engel e çmoi shumë rolin dhe punën e Ramës në Shqipëri dhe u angazhua për një marrëdhënie të ngushtë e mbështetëse. Kongresmeni Peters ofroi mbështetje të programit të PS në ndihmë të sipërmarrjeve të vogla e të mesme. Peters është autor i ligjeve kryesore që Presidenti Obama dekretoi për stimulimin e bizneseve të vogla të rrezikuara nga kriza ekonomike. PS do të konsiderojë disa nga idetë e Peters për programin e saj për të ndihmuar dhe jo rrënuar biznesin! Rama ka zhvilluar një takim me një tjetër të zgjedhur të Kongresit Amerikan, me kongresmenin Gregory Meeks. Me kongresmenin Meeks, siç pohoi vetë kreu i PS, u fol për Shqipërinë si vend aleat i palëkundur i SHBA dhe rëndësinë e demokratizimit të mëtejshëm të vendit tonët. Meeks është demokrati më i lartë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, grupi i Europës. Rama falënderoi Meeks për ndihmën legjislative në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kërkoi të njëjtën mbështetje lobimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Meeks përshëndeti fokusimin e PS tek çështjet konkrete që ndihmojnë qytetarët dhe ftoi Ramën për një vizitë të dytë në Kongresin Amerikan, me fokus Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku ai është drejtues i lartë. Kryesocialisti zhvilloi një takim dhe me Robert Aderholt, i cili shërben dhe si anëtar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, apo siç njihet ndryshe me emrin Komisioni Amerikan i Helsinkit. Robert Aderholt është kongresmen i njohur i Kongresit Amerikan, kryetar i Komisionit për Sigurinë e Brendshme Amerikane. Rama në një mesazh në faqen zyrtare shprehet se Takimi i fundit për këtë herë me kongresmenin Aderholt, kryetar i Komisionit të Sigurisë e po ashtu shumë i interesuar për Shqipërinë. Aderholt u informua mbi procesin e reformës zgjedhore dhe asaj në Drejtësi. Pas ftesës së kreut socialist, Aderholt mund të vizitojë Shqipërinë në maj të këtij viti. Kreu i PS u takua edhe me një nga emrat më të njohur të futbollit amerikan, Heath Shuler, që tani përfaqëson Karolinën e Veriut në Kongres. Në takimin Rama-Shuler është folur pikërisht për këtë kapitull të veçantë të Programit, për të bërë të mundur një rilindje për sportin shqiptar. Një takim special me yllin e futbollit amerikan, kongresmenin Heath Shuler, ku folëm për programin tonë të sportit në shkollë, u shpreh Rama pas takimit. Kongresmeni Shuler ofroi ide konkrete për të pasuruar kurrikulat e shkollave me edukimin sportiv. Të dy ish-sportistët, sot politikanë, po planifikojnë një takim të dytë në Tiranë për ti dhënë një promovim më të madh kulturës sportive në Shqipëri.