E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrohet në Gjykatë, Aleanca Kuq e Zi nga dje parti politike

Kreshnik Spahiu

TIRANE Gjykata e Tiranës pranoi dje regjistrimin e Aleancës Kuq e Zi në regjistrin e partive politike të vendit, me Kreshnik Spahiun si kryetar të saj. Pas dy seancash gjyqësore, gjyqtari Ardian Mullaj i dha fund shqyrtimit të kërkesës së depozituar më 5 mars në Gjykatën e Tiranës nga Kreshnik Spahiu. Në atë kërkesë, drejtuesi i Aleancës kërkonte regjistrimin si person juridik të Partisë Aleanca Kuq e Zi dhe depozitimin e akteve të partisë në regjistrin e partive politike. Sipas kësaj kërkese, kjo parti ka si synim të mbrojë dokumentin themeltar të Republikës së Shqipërisë, Kushtetutën, të mbrojë dinjitetin njerëzor të shqiptarëve, duke e shndërruar në një simbol rezistence për çështjen kombëtare. Në statutin e saj, Partia Aleanca Kuq e Zi, e ndërtuar në pika që nisnin me togfjalëshin Shqipëria bëhet, thuhej, ndër të tjera, se Shqipëria bëhet nëpërmjet ndërtimit të një shteti të fortë juridik, mbi themele kompromisi historik dhe kombëtar të të gjithë faktorëve politikë. Po në statut thuhej se Shqipëria bëhet nëse vendosen standardet bazë të demokracisë dhe ndryshimit nëpërmjet kufizimit të mandateve politike të kryetarëve të partive, kryeministrave, kryetarëve të bashkive dhe komunave, në jo më shumë se dy mandate pa të drejtë ripërsëritjeje. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, një nga përfaqësuesit e AK-së u shpreh për mediat se: Sot është një ditë e shënuar për të gjithë ne dhe një ditë e hidhur për të gjithë politikën e vjetër, e cila ka sunduar deri tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›