E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Kriza brenda në kuti, vazhdojmë bojkotin e protestat”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Evropës duke nënvizuar se kriza politike që ka përfshirë vendin është brenda kutive të votimit. Ndërsa nënvizoi se opozita nuk do të heqë dorë as nga protestat e as nga bojkoti, kreu socialist theksoi se opozita mirëpret përfshirjen e ndërkombëtarëve, sikundër thotë rezoluta, në zgjidhjen e ngërçit politik. “Protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptani të veshur me dopiopet që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar, duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb, siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua në momentin e fundit nga gjykatësit, falë nismës së kësaj opozite, të cilën Sali Berisha duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se as e nënshtron dot, duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut”, - deklaroi Rama. Ai shtoi se Rezoluta e Këshillit të Evropës është e qartë, Shqipëria është në krizë politike. “Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza. I falënderoj në emër të PS dhe të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbështetjen që i dhanë vendit duke vënë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së sotme dhe rrëzimit të amendamenteve vulgare të Partisë Demokratike. Ato po, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë evropiane”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›