E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar Bakojanis akuza Ramës dhe PASOK-ut

Autori i Lajmit: RedaksiaGreqia ashpërson tonet ndaj Shqipërisë pas rrëzimit të marrëveshjes së kufirit detar mes dy vendeve. Ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, akuzon haptas liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama, për prishjen e kësaj marrëveshjeje. Në një deklaratë për shtyp, e shpërndarë pasditen e së enjtes nga zyra e ish-ministres Bakojanis, hidhen akuza të forta lidhur me përdorimin që i është bërë kësaj marrëveshjeje prej klaneve politike në dy vendet. Pjesë e akuzave të saj bëhet në këtë mënyrë dhe PASOK në Greqi. Madje, Bakojanis arrin deri aty sa i quan PS-në dhe PASOK-un si grupime ekstremiste. Gjykata Kushtetuese rrëzoi më datë 26 janar marrëveshjen për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vendimi u mor pas kërkesës së bërë nga Partia Socialiste për anulimin e saj.
Reagimi i Greqisë
“Së pari, shpreh keqardhjen për anulimin prej gjykatës shqiptare të kësaj marrëveshjeje. Unë akuzoj Qeverinë e re greke të PASOK-ut, që nuk e dërgoi marrëveshjen për ratifikim në Parlament, pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për Greqinë. Madje, gjatë kohës që unë drejtoja Ministrinë e Jashtme, u mundova ta përfundoja atë sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo marrëveshje duhej të dërgohej në Parlamentin grek që javën e parë që ai u hap, me qëllim krijimin e një atmosfere pozitive, e cila do të pengonte këtë fund aspak të këndshëm”, - është shprehur Bakojanis, e cila ka qenë dhe firmëtarja e marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është nxitur nga ekstremistët shqiptarë, me të cilët është bashkuar Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. “Së dyti, anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste është se lideri i saj, Edi Rama, u bashkua me këto forca. Madje, ai e deklaroi kontestin e tij që prej datës 15 tetor të vitit të kaluar. Më vjen keq që partia simotër, PASOK, nuk mundi të kalojë stereotipet dhe të bjerë dakord me këtë marrëveshje”, - ka nënvizuar Bakojanis. Ish-shefja e diplomacisë greke shton më tej se përgjegjësi për anulimin e marrëveshjes ka edhe PASOK-u, e cila nuk i paraqiti palës shqiptare përfitimet nga ky pakt. “PASOK duhej tu kishte treguar aleatëve të tij në Partinë Socialiste lidhur me përfitimet e palës shqiptare nga kjo marrëveshje. Ne i ngritëm marrëdhëniet dypalëshe në një pikë, e cila konsiderohet nga më të mirat në historinë e tyre. Insistoj që ajo u përpilua dhe u firmos, duke pasur parasysh të drejtën ndërkombëtare të vendosur nga OKB”, - përfundon Bakojanis.

Drucas: “Nuk jemi të kënaqur”

Ministri Plotësues i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Drucas, deklaroi dje se pezullimi i Paktit nga gjykata shqiptare ishte një zhvillim negativ. “Sigurisht, është një zhvillim negativ për të cilin ne nuk jemi të kënaqur. Më lejoni të nënvizoj, që në vizitën time të fundit në Tiranë, të gjithë interlokutorët nga pala shqiptare më konfirmuan, duke më dhënë të gjitha garancitë, rëndësinë dhe prioritetin që Shqipëria i jep në mënyrë precize kësaj marrëveshjeje”, - u shpreh ministri grek.
Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›