E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të shpëtojë nipin, plagoset rëndë gjyshja

KONFLIKTI/ Arben Barçi, banor i Selcës, ka përfunduar në pranga nën akuzën e "plagosjes së rëndë"


Tre burrat janë grindur me njëri-tjetrin për çështje nderi, ndërsa 76-vjeçarja ka hyrë në mes të sherrit


POGRADEC - Kthimi në shtëpi duket se nuk ka qenë i mirë për Andi Dikon, banor i fshatit Selcë e Poshtme. Menjëherë sapo është njoftuar mbërritja e tij, dy banorë të këtij fshati, vëllezër me njëri-tjetrin, i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë goditur.


Por në sherr ka ndërhyrë edhe gjyshja e 35-vjeçarit, e cila gjithashtu është goditur në kokë nga njëri prej dhunuesve dhe ka përfunduar në spital në gjendje shumë të rëndë.


Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në sherr janë përfshirë dy vëllezërëit Arben dhe Jetnor Barçi, ndërkohë që mësohet se konflikti ka qenë për çështje nderi. Arben Barçi, 34 vjeç, ka përfunduar në pranga nën akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje".


Ngjarja


35-vjeçari Andi Diko nga fshati Selcë e Poshtme kishte pak ditë që ishte kthyer nga Greqia ku punon si emigrant prej disa vitesh. Pas mbërritjes dy vëllezërit Barçi, Arbeni dhe Jetnori, i kanë kërkuar një takim për të sqaruar diçka. Sapo janë takuar para shtëpisë së Andi Dikos, 34-vjeçari Arben Barçi dhe vëllai i tij, 37-vjeçari Jetnor Barçi, e kanë akuzuar ish-shokun e tyre se ai iu ka ngacmuar gratë duke iu dërguar mesazhe me telefon nga Greqia.


Pas grindjeve me fjalë, ka ardhur dhuna dhe dy vëllezërit Arbeni dhe Jetnori kanë goditur me grushta dhe mjete të forta 35-vjeçarin Andi Diko, i cili ka pësuar dëmtime të shumta në fytyrë nga goditjet dhe ka pasur edhe hemorragji.


Gjyshja 76-vjeçare e Dikos ka dalë jashtë shtëpisë dhe kur ka parë nipin e saj të gjakosur, është futur në mes të tre burrave për t'i ndarë dhe për ta shpëtuar nga grushtat e shqelmat. Por në këtë moment i nxehur dhe krejt jashtë kontrollit, 34-vjeçari Arben Barçi e ka qëlluar gruan me grushta në kokë duke i shkaktuar hemorragji. Në gjendje të rëndë 76-vjeçarja R.Kumi është sjellë në spitalin e qytetit të Pogradecit dhe ndodhet në repartin e reanimacionit.


Mjekët


Sipas mjekëve të spitalit, 76-vjeçarja ka pësuar hemorragji cerebrale nga goditjet e forta që sipas burimeve policore ia ka shkaktuar Arben Barçi, i cili është arrestuar, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje".


Mësohet se po hetohet për zbardhjen edhe të mesazheve që kanë provokuar këtë konflikt të dhunshëm. Burimet spitalore ku ndodhet e shtruar gjyshja 76-vjeçare thanë për gazetën se pas analizave të kryera jeta e saj tashmë është në fije të perit me gjithë përpjekjet e mjekëve reanimatorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›