Rama: Kriza, maja e ajsbergut
ADI SHKEMBI
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha në fjalën e tij në takimin e Internacionales Socialiste në Nju Jork se, ngërçi politik në Tiranë është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë. Gjatë punimeve të Internacionales së majtë, që u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i opozitës shqiptare vlerësoi rolin e Kryeministrit grek për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. “Sot Shqipëria përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara, por në anën tjetër, është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë, ka politizuar e paralizuar drejtësinë, ka hyrë në ekonominë e të dhënave e të shifrave të gënjeshtërta”, tha Rama. Sipas tij, “e vërteta tregon se një sistem kushtetues europian, me zgjedhje të standardeve normale për Europën demokratike, me drejtësi të pavarur e media të lirë, me Parlament e Qeveri transparente, të drejta pronësore të garantuara dhe kapacitete administrative profesionale e të çliruara prej përkatësisë politike, është një sfidë e hapur, por gjer më tash larg së qeni e fituar në funksion të projektit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kreu i Partisë Socialiste mirëpriti propozimin e Kryeministrit Papandreu, sipas të cilit Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohet brenda vitit 2014. “Ky është një vizion që lind nga një kuptim i thellë i këtyre territoreve të trazuara gjatë deri vonë nga luftëra, konflikte e mosmarrëveshje që lidhen, përpos të tjerash, me të jetuarit brenda e jashtë Europës, me të qenit europianë jashtë mureve të shtëpisë së përbashkët europiane, me të gjendurit pa të tashme mes një të shkuare që nuk ikën e një të ardhmeje që nuk vjen”, theksoi më tej Rama. Pjesë e fjalimit të kreut të opozitës ishte edhe kriza ekonomike që ka kapur vendin fqinj dhe mungesën e transparencës që sipas tij ka përfshirë Shqipërinë. “Ne i shohim me shqetësim të madh vështirësitë e popullit vëlla grek në situatën e sotme ekonomike dhe e admirojmë Kryeministrin e Greqisë e Qeverinë e tij për kurajën mbresëlënëse me të cilën po e përballojnë krizën e rëndë”, tha Rama. Sipas tij, opozita është e shqetësuar për mungesën e informacionit nga Qeveria shqiptare lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së vendit tonë. Kreu i PS-së tha se ekonomia shqiptare ka dhënë shenja të qarta rënieje, ndërkohë që shqiptarëve, sipas tij, u thuhet e kundërta dhe u fshihet kokëfortësish e vërteta. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku mori pjesë në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, kreu i opozitës u takua me Kryeministrin grek si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Internacionales, Luis Ajala.
Patozi: Rama konfirmoi bojkotin e zgjedhjeve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje se kreu i opozitës, Edi Rama, paralajmëroi mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Duke iu referuar intervistës së Ramës tek “Zëri Amerikës”, Patozi tha se Rama po përpiqet pa rezultat për të mbështetur kauzën e tij. “Rama prodhoi dy lajme të këqija për shqiptarët, së pari konfirmoi që PS mund të bojkotojë zgjedhjet lokale. Aksionet politike të Ramës dhe përpjekjet e dështuara të tij, rropatjet lart e poshtë, brenda dhe jashtë vendit, mund të lexohen në funksion të këtij qëllimi ogurzi. PS, pavarësisht disfatave të disata në zgjedhje, duhet të përballet me elektoratin për të korrigjuar gabimet dhe rezultatin. Lajmi i dytë i keq ishte për vendin, pasi PS po degradon”, deklaroi Patozi. Ai sulmoi më tej Ramën edhe për reagimin ndaj gazetares së “Zërit të Amerikës, duke thënë se “cinizmi arrogant i Ramës ndaj shtypit të lirë tregon mentalitet jo demokratik ndaj fjalës së lirë”.
Felaj: Berisha do ta ketë PS-në përballë
Partia Socialiste iu përgjigj reagimit të Partisë Demokratike për deklaratat e kreut të opozitës, Edi Rama, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një reagim kundër kreut të demokratëve në Kuvend, Patozi, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, deklaroi se Partia Socialiste do të jetë gjithnjë përballë Kryeministrit Berisha. Sipas saj, PS do të jetë gjithmonë në vijën e parë për të luftuar kundër interesave personale të Qeverisë. Ajo deklaroi se Kryeministri Berisha ëndërron të konkurrojë i vetëm në zgjedhjet lokale, por që sipas saj, Partia Socialiste nuk ka për ta lejuar një gjë të tillë. “Berisha ëndërron të konkurrojë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë ka vënë në punë altoparlantët e tij. Por Berisha do ta ketë PS gjithmonë përballë, për të luftuar kundër interesave personale të familjes në pushtet”, deklaroi Felaj. Vetëm një ditë më parë kreu i opozitës, Edi Rama, deklaroi për “Zërin e Amerikës” se nuk do të ketë zgjedhje pa bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.