PS: Ndryshimi i Rregullores, kundër praktikës europiane
Një ditë para votimit në Parlament të ndryshimit të rregullores lidhur me mënyrën se si do të votohen dekretet e Presidentit për gjyqtarët, opozita pozicionohet kundër propozimeve të maxhorancës. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh dje në mesditë, ku diskutoi mbi draftin për të cilin nuk është rënë dakord as në Këshill për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Sipas një njoftimi të shpërndarë dje për mediat, zyra e shtypit e PS-së bën të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie i vlerëson si në kundërshtim me praktikën europiane ndryshimet e propozuara për Rregulloren e Parlamentit. “Grupi Parlamentar Socialist diskutoi gjithashtu, sërish mbi ndryshimet e Rregullores së Kuvendit të propozuara nga maxhoranca e të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së seancës së ditës së enjte. Grupi Socialist i qëndron vlerësimit të bërë publik se ndryshimet e propozuara në mënyrë të njëanshme nga ana e maxhorancës janë në kundërshtim me praktikat e funksionimit të një Parlamenti demokratik evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë theksohet se “grupi socialist qëndrimin e tij e ka bërë publik në vazhdimësi se, miratimi i njëanshëm nga ana e maxhorancës i ndryshimeve të propozuara do të prodhojë pa më të voglin dyshim thellimin e mëtejshëm të krizës politike dhe do të cenojë në mënyrë të drejtpërdrejtë pavarësinë e institucioneve kushtetuese të vendit”. Gjatë mbledhjes së djeshme “u diskutua mbi krizën politike, institucionale e ekonomike që ka krijuar qëndrimi bllokues e intransigjent i maxhorancës si dhe refuzimin nga ana e kësaj maxhorance të një angazhimi serioz për gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale dhe të qëndrueshme, që do të ndihmonte kapërcimin e situatës së vështirë në të cilën ndodhet sot vendi”. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur pesë herë për të gjetur një kompromis mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit, janë shprehur se votimi i hapur do t’i shërbejë transparencës, ndërsa për deputetët e majtë kjo është një mënyrë për të kontrolluar politikisht votën e deputetëve.