Fekter: Në vjeshtë qytetarët shqiptarë udhëtojnë pa viza
Ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, tha dje në Tiranë gjatë një takimi me homologun e saj, Lulzim Basha, se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza nga vjeshta e këtij viti. “Jam e bindur se Shqipëria do të marrë në vjeshtë atë që pret nga Komisioni Europian, vendimin final për liberalizimin e vizave”, u shpreh ministrja Fekter. Gjatë takimit, Basha informoi ministren Fekter mbi arritjet e deritanishme në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në fushën e dokumenteve të identitetit. “Shqipëria bëhet vendi i parë europian që adopton modelin e propozuar dhe sponsorizuar nga Qeveria federale austriake ILECU, model i cili parashikon ndërthurjen e të gjitha shërbimeve të komunikimit bilateral me EUROPOL-in dhe INTERPOL-in në një njësi të vetme operative, në një komandë të vetme, duke përmirësuar dhe rritur eficencën e komunikimit me partnerët tanë”, u shpreh ministri Basha. Duke vlerësuar se Shqipëria mund të merret si shembull i implementimit të praktikave më të mira nëpërmjet ILECU-t nga vendet e tjera të rajonit, Ministrja Fekter paraqiti gjatë takimit edhe ftesën që Shqipëria të bëhet anëtare themeluese e Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion. Nga ana e tij, ministri Basha informoi se Shqipëria mori sot një çmim nga OKB-ja në fushën e transparencës së administratës, si vendi i parë në botë që zotëron 100 për qind prokurime elektronike. Gjatë vizitës në Tiranë, Fekter u takua edhe me Kryeministrin Berisha.