Parlamenti Europian miraton rezolutën: Shqipëria pa viza, por të zgjidhet kriza politike
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton me 59 vota pro dhe 1 kundër rezolutën për Shqipërinë. Eurodeputetët e të gjitha krahëve politike kanë rënë dakord me amendamentet e paraqitura, ku vlerësohen reformat si dhe bëhet thirrje për zgjidhjen e krizës politike dhe heqjen e vizave.
Ngërçi politik
Në draftin e miratuar paraditen e djeshme i bëhet apel klasës politike për të zgjidhur krizën që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Bëhet thirrje për një zgjidhje të ngecjes aktuale politike pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Funksionimi plotësisht i institucioneve, sidomos i Parlamentit, janë shtylla kurrizore e një sistemi të konsoliduar demokratik, një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE”, thuhet në rezolutën e hartuar nga eurodeputeti, Nikolaos Chountis. Në të njëjtën kohë theksohet rëndësia e konsensusit politik, duke kërkuar që forcat kryesore të gjejnë zgjidhje dhe të angazhohen për një ligj të ri elektoral, i cili do të mund të garantojë transparencë të plotë të procesit të ardhshëm zgjedhor. “Zgjidhja e kësaj krize mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe me principet e transparencës”, thuhet në dokumentin përfundimtar. Eurodeputeti grek u shpreh në përfundim të mbledhjes së Komisionit, në një prononcim për “Top Channel” se “le te themi se ky është qëndrimi i përbashkët, për t’i thënë Shqipërisë se duhet të përpiqet më shumë për integrimin europian. Mendoj se është lajm pozitiv për popullin dhe Qeverinë tuaj”. Në të njëjtën kohë në rezolutë theksohet se Shqipëria ka bërë përparim me reformat, por duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin. “Pranohet përparimi i Shqipërisë në reforma, por theksohet nevoja për përpjekje të mëtejshme substanciale për të konsoliduar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë edhe një reformë të sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, i cili është ende një problem mbizotërues”, theksohet në dokumentin e Chountis.
Vizat
Rezoluta e miratuar nga Komisioni i Jashtëm vlerëson hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Komisioni Europian për heqjen e vizave mes vendit tonë dhe zonës Shengen. Në të njëjtën kohë i kërkohet Komisionit Europian që të verifikojë plotësimin e kushteve brenda verës, në mënyrë që vizat të hiqen deri në fund të vitit. “Propozimi është i kushtëzuar me plotësimin e kërkesës për riintegrimi e të kthyerve shqiptarë dhe zbatimin e ligjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas Komisionit Europian, monitorimi mund të zhvillohet gjatë verës, në mënyrë që Parlamenti dhe Këshilli mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të 2010”, thuhet në rezolutë. Duke folur pak minuta pas përfundimit të votimit, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi miratimin e dokumentit të hartuar nga eurodeputeti Chountis. “Komisioni i Jashtëm i KE votoi pak më parë, pothuajse në unanimitet të plotë, vetëm 1 votë kundër dhe 59 pro, rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë. Kjo përbën një votë historike në këtë Parlament për qytetarët e Shqipërisë”, tha kreu i Qeverisë. Votimi i rezolutës u përshëndet edhe nga LSI-ja.
“Kishte amendamente për të bllokuar vizat”
Raportuesi për Shqipërinë, Chountis, tha në përfundim të votimit se në seancë u paraqitën amendamente që bllokonin heqjen e vizave për Shqipërinë. “Kishte disa amendamente që për çështjen e vizave t’i mbyllnim derën Shqipërisë, në mënyrë që të kishim përmirësim të situatës politike atje. Por në rezolutë vendosëm që të thuhet ndryshe, që duhet t’ua japim vizat shqiptarëve, sa më shpejt aq më mirë”, tha Chountis.
Rezoluta
Bëhet thirrje për një zgjidhje të ngecjes aktuale politike pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Funksionimi plotësisht i institucioneve, sidomos i Parlamentit, janë shtylla kurrizore e një sistemi të konsoliduar demokratik, një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE.
Forcat kryesore të gjejnë zgjidhje dhe të angazhohen për një ligj të ri elektoral, i cili do të mund të garantojë transparencë të plotë të procesit të ardhshëm zgjedhor.
Zgjidhja e kësaj krize mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe me principet e transparencës.
Pranohet përparimi i Shqipërisë në reforma, por theksohet nevoja për përpjekje të mëtejshme substanciale për të konsoliduar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë edhe një reformë të sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, i cili është ende një problem mbizotërues.
Propozimi është i kushtëzuar me plotësimin e kërkesës për riintegrimin e të kthyerve shqiptarë dhe zbatimin e ligjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas Komisionit Europian, monitorimi mund të zhvillohet gjatë verës, në mënyrë që Parlamenti dhe Këshilli mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të 2010-ës.