E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare: Po më keqtrajtojnë në qeli

Kreu i bandës së Lushnjës ankohet te zyra e Dobjanit. Drejtoria e Burgjeve: Trajtohet si të tjerët
Njeriu më i rrezikshëm në Shqipëri, i cili për vite me radhë ndërtoi një bandë famëkeqe në Lushnjë, të cilën e shtriu më pas në disa shtete, ankohet për “dënimin” që ka marrë nga paraburgimi 313, në të cilin është izoluar që prej dy muajsh dhe ende nuk nxirret në ajrim. Dy komisionerë të Avokatit të Popullit kanë vizituar në qeli Aldo Baren, i cili është ankuar për kushtet çnjerëzore gjatë “jetesës” në paraburgim. “Më mbajnë në izolim, kushtet janë të këqija dhe nuk më lejojnë të takoj avokatin”, mësohet se ka deklaruar Bare, gjatë takimit me të dërguarit e Dobjanit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se i paraburgosuri Aldo Bare ka të njëjtat kushte me të paraburgosurit e tjerë që ndodhen te Burgu 313.
Ankesa
Avokati i Aldo Bares, Vladimir Meçi, ka informuar zyrën e Avokatit të Popullit për kushtet në të cilat “jeton” klienti i tij. “Secili prej nesh, që punon në fushën e së drejtës, pavarësisht pozicionit që ai mbulon, bën përpjekjet maksimale për të bërë të mundur respektimin dhe zbatimin e ligjit njëlloj për të gjithë qytetarët, mbështetur në parimin themelor të shtetit të së drejtës se ‘Ligji është i barabartë për të gjithë’ dhe të gjithë personat janë të barabartë para ligjit”, shkruan Meçi në letrën ankuese të depozituar tek Avokati i Popullit. Ai deklaron se për një avokat është parësore dhe thelbësore që t’i ofrojë shërbimin e duhur dhe të kualifikuar ligjor personit që ai mbron. “Edhe i pandehuri gëzon të drejtat e tij gjatë një procedimi penal, të drejta të cilat janë të sanksionuara dhe të garantuara nga Kushtetuta, nga aktet ndërkombëtare dhe nga ligjet”, shton Meçi, duke shtuar se, një njeri pavarësisht se mund të jetë i izoluar në burg, gëzon të njëjtat të drejta si të gjithë njerëzit të cilët jetojnë jashtë burgut. Avokati pohon se edhe ndërmjet vetë personave të izoluar në burg nuk mundet dhe nuk duhet të ekzistojë asnjë dallim për sa i përket trajtimit të tyre.
Problemi
Në ushtrimin e funksionit si avokat në mbrojtjen e të pandehurit Aldo Bare, i cili gjendet në paraburgimin 313, kam hasur disa probleme që kanë të bëjnë me kushtet në të cilat ai trajtohet në atë institucion të vuajtjes së dënimit. “Nga data kur ai është ekstraduar në Shqipëri, më 25 nëntor 2009 e deri më sot po mbushen pothuaj dy muaj. Për muajin e parë, i mbrojturi dhe i përfaqësuari prej meje u mbajt në regjim të rreptë izolimi dhe nga ana e administratës së burgut nuk u dha asnjë shpjegim. Edhe në muajin janar gjendja nuk ka ndryshuar shumë, pasi Aldo Bare nuk mund të takohet nga avokati i tij si gjithë të arrestuarit e tjerë. Të mbrojturit dhe të përfaqësuarit prej meje nuk i janë siguruar kushte të njëjta me të paraburgosurit dhe të dënuarit e tjerë që janë të izoluar në këtë burg, duke e privuar nga një sërë të drejtash që të gjithë izoluarit e tjerë të këtij burgu i gëzojnë”, deklaron avokati. Sipas tij, Aldo Bare mbahet thuajse në të njëjtat kushte izolimi sikundër trajtohen edhe personat që janë “dënuar” nga administrata e burgut me masa disiplinore, duke i mohuar atij të drejtat dhe liritë themelore dhe duke mbajtur ndaj tij një qëndrim që cenon dinjitetin e personit të izoluar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›