Tenderat e ilaçeve, në përfundim hetimet
Prokuroria ka arritur në përfundimin se çmimet reale të medikamenteve janë ndryshuar nga tenderuesit me qëllime përfitimi
ELBASAN- Janë në përfundim hetimet lidhur me tenderin e ilaçeve pranë qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, hetime të nisura rreth tre muaj më parë. Mësohet se shuma e tenderuar për blerje medikamentesh ka qenë 4 milionë lekë të reja. Pas marrjes në dorë të dosjes dhe nisjes së hetimeve, nga ana e prokurorisë është verifikuar se çmimet reale të medikamenteve janë ndryshuar me qëllime përfitimi, duke u rritur artificialisht. Që në fillim, prokuroria i kërkoi gjykatës së Elbasanit të pezullonte nga detyra një prej drejtuesve të qendrës spitalore, kërkesë që u miratua, pasi togat e zeza vendosën pezullimin e nëndrejtorit të spitaleve. Sipas prokurorisë, ekspertët janë duke përllogaritur vlerën e dëmit nisur nga diferenca e çmimeve të medikamenteve të blera dhe vlerën joreale të deklaruar nga përgjegjësi i tenderit. Po kështu, hetimet janë shtrirë edhe në njësitë vendore lidhur me procedurat e tenderimit.
Krimi ekonomik, mbi një mijë denoncime
Seksioni i Krimit Ekonomik ka qenë edhe më i “pushtuari” nga kallëzimet e qytetarëve dhe punonjësve në Elbasan. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se numri i procedimeve i ka kaluar njëmijë dhe një pjesë e madhe e tyre janë në fushën e krimit ekonomik. Prokurori i rrethit, Elvin Gogaj, tha se numri i madh i këtyre çështjeve ka angazhuar të gjithë stafin e tij dhe gjithçka po shqyrtohet në bashkëpunim me agjentët e policisë. Sipas prokurorit, shumë dosje ndaj institucioneve janë në vazhdim, por ka edhe që janë në përfundim e sipër dhe pritet që së shpejti t’i dorëzohen gjykatës. Kështu, janë duke u verifikuar procedurat e tenderimit dhe janë bllokuar materialet për çdo institucion të hetuar.