Tenderat në Kavajë, prokuroria shtyn pretencën
Ndër pesë të pandehurit për pabarazi në tendera është edhe nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Edmond Arkaxhiu
KAVAJË – Gjykata vendosi dje shtyrjen e leximit të pretencës nga ana e organit të akuzës për pesë anëtarët e komisionit të tenderave dhe një përfaqësues të firmës. Shtyrja e vendimit të akuzës ndodhi pas mungesës në seancë të avokatit të përfaqësuesit të firmës “Dajsmajli sh.p.k”. Seanca u shty për nesër, më 3 tetor, ku pritet që përfaqësuesi i prokurorisë të paraqesë analizën përfundimtare të fakteve dhe të kërkojë dënimin për secilin prej të akuzuarve prej tij.
Akuza
Të pandehur në procesin e tenderave janë Edmond Arkaxhiu, nënkryetar i Bashkisë së Kavajës; Suzana Arkaxhiu, shefe e financës, Kostandin Filja, shef i zyrës së shërbimeve, Elidon Plaku, jurist, si dhe përfaqësuesi i firmës “Dajsmajli sh.p.k” Emiljan Dajsmajli. Të gjashtë të pandehurit akuzohen për abuzimet me tendera të ndryshëm. Edmond Arkaxhiu dhe anëtarët e tjerë të komisionit akuzohen për pabarazi në tendera dhe vlerësim me dashje të dokumenteve të falsifikuara. Prokurori ka bërë të ditur se veprimet e kundërligjshme janë bërë nga ky komision për tenderin e mirëmbajtes së varrezave Kavajë, zhvillimin e dekorit dhe vendosjen e sinjalistikës.