SHBA- Itali, dy shqiptarë vdesin në aksidente
Fabio Margariti ka humbur jetën në një aksident me makinë në SHBA. Genc Arapaj vdiq në një aksident në punë
Dy shtetas shqiptarë kanë humbur jetën ditën e djeshme si pasojë e aksidenteve të ndryshme. Njëri prej tyre ka vdekur në një aksident me makinë në SHBA ndërsa tjetri në një aksident në punë në Itali.
Të dhënat zyrtare flasin për një 18- vjeçar shqiptar qëka vdekur të dielën në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas plagëve të marra dy javë më parë kur një makinë e policisë është përplasur aksidentalisht me makinën e tij. Fabio Margariti, i cili kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1999 së bashku me babanë e tij, nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti i dy javëve më parë. Gjithçka ka ndodhur kur një makinë e policisë ishte vënë në ndjekje të një grabitësi makinash në Jacksonville të Floridas. Fatkeqësisht 18- vjeçari është futur në korsinë ku po zhvillohej operacioni i policisë në autostradën “Shad & Phillips” duke marrë një goditje nga ana e pasme e makinës. “Shqiptari në momentin e aksidentit nuk kishte të vendosur rripin e sigurimit”, bën të ditur “First Coast Neës” në Florida dhe forca goditëse e ka nxjerrë të riun nga makina duke e plagosur rëndë. Nga aksidenti i rëndë që i mori jetën të riut shqiptar i cili vizitonte çdo vit Shqipërinë, ka mbetur i plagosur edhe një oficer i policisë. Ndërkohë një emigrant shqiptar në Itali ka humbur jetën gjatë një aksidenti në punë. Genc Arapaj, i cili punonte në ndërtim është shtypur nga një prej makinerive me të cilat punonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur natën e mbrëmshme në stacionin Tonco në qytetin e Astit. Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se organet e brendshme të 39 vjeçarit nga Shqipëria ishin dëmtuar rëndë si pasojë e shtypjes nga ana e makinerisë së rëndë. Karabinierët e kanë dërguar menjëherë me anë të një helikopteri ne spital por emigranti Arapaj ka ndërruar jetë sot në mëngjes. 39- vjeçari lë kështu gruan dhe dy fëmijët e vegjël të cilët jetojnë në Asuti.