Berisha: “Presidenti ndoqi një praktikë demokratike për anëtarët e Kushtetueses”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha vlerësoi dje praktikën e ndjekur nga presidenti Topi për dekretimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se Parlamenti vendos nëse do të miratohen ose jo dekretet e Presidentit. Kryeministri u shpreh se konsultimi me një tryezë juristësh dhe profesionistësh është instalimi i një praktike tejet demokratike në dekretimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Berishës, Presidenti i Republikës ka respektuar detyrimin e tij kushtetues në dekretimin e tre anëtarëve; tani secili prej kandidaturave do të shqyrtohet nga Kuvendi që do të vendosë për çdo emër. Berisha tha se qeveria nuk ka ndikuar në asnjë moment te Presidenti në këtë proces. I pyetur për kërkesën e opozitës që dekretet e Presidentit të miratohen me shumicë të cilësuar, Berisha tha se kjo nuk është e mundur, pasi parashikohet në Kushtetutë votimi me shumicë të thjeshtë, ndërsa theksoi se Kushtetuta është një nga ato bashkëpunime të mrekullueshme mes tij dhe Ramës.
Qëndrimi
“Unë mendoj se Presidenti i Republikës ka përmbushur detyrimin e tij kushtetues, ka dekretuar, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, kandidaturat. Po në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit është Parlamenti që do t’i shqyrtojë një nga një ato. Unë them se po shkohet drejt konsolidimit të një standardi të ri demokratik në Shqipëri. Dhe kjo është shumë normale. Parlamenti i vendit është sovran. Presidenti i vendit ka tagrin kushtetues, ndërsa ai ka sovranitetin e tij. Gjithçka do të ecë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, jua garantoj jashtë çdo lloj ndërhyrjeje. Te Presidenti i Republikës, në mënyrë kategorike, nuk është bërë asnjë lloj ndërhyrjeje nga Ekzekutivi. Parlamenti, jashtë çdo lloj ndërhyrjeje, do të marrë vendimet e veta. Ky është një vend që ka standardet e tij dhe përfiton nga shembulli më i mirë i vendeve të tjera”, - është shprehur Berisha, ndërsa gjeti rastin për të sjellë shembuj nga bota ku janë rrëzuar dekrete. “Mund t’ju them se në vende me demokraci më të konsoliduar në botë, ndodh që parlamenti të mos votojë ato që dërgon presidenti. Ishte i famshëm rasti dhe jo shumë larg, kur janë tërhequr tre prokurorë, njëri pas tjetrit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse Senati nuk i pranonte ata me problemet që dilnin”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa përsa i përket votimit të dekreteve me shumicë të cilësuar, kryeministri tha se do të zbatohet Kushtetuta sa i përket mënyrës së votimit. “Në asnjë vend të botës nuk ekziston kjo. Ekziston një përcaktim kushtetues, i cili thotë se këta persona zgjidhen me tre të pestat. Çdo tentativë tjetër do të ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit. Ne jemi të vendosur të zbatojmë Kushtetutën. Me reformat e mrekullueshme që bëmë me zotin Rama, sepse unë absolutisht nuk i mohoj kujt asgjë dhe asnjëherë, i bëmë vendit një shërbim të madh, e shpëtuam nga kriza presidenciale që fillonte dy vjet para zgjedhjes së Presidentit, kur vërshonin kandidaturat, me gjithë maninë që kemi që gjithsecili prej nesh të jetë atje sipër, pavarësisht se ku jemi, çka e bënte një proces me vuajtje. Ne bëmë zgjidhje. Tani nuk besoj që zoti Rama të jetë penduar për këtë”, - është shprehur Berisha.
Dekretet
Vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi tre anëtarë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Topi dekretoi Altina Xhoxhajn, Bashkim Dedjen dhe Vangjel Kostën si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Por, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, anëtarët do t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe miratimit nga Kuvendi për të zënë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dy prej emrave të dekretuar nga Topi janë rrëzuar më parë nga partitë politike. Vangjel Kosta, një prej tre emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është avokat me profesion. Ai, prej tetë vitesh është pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 1993 deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Anëtari tjetër është Bashkim Dedja. Fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës. Në këtë pozicion, më 19 janar të 2009-s ai u përzgjodh nga shorti i parë si anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Por, me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë dhe zoti Dedja nuk mundi të zgjidhej anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Në korrik të 2008-s, gjyqtari Bashkim Dedja ishte një nga dy propozimet e Presidentit për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por edhe në këtë garë Dedja doli humbës, pasi Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës për këtë post.
Emri i tretë i dekretuar nga Presidenti për në Gjykatën Kushtetuese është Altina Xhoxhaj, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Duke qenë 39 vjeçe, gjyqtarja Xhoxhaj mund të jetë gjyqtarja më e re në moshë e Gjykatës Kushtetuese. Por që prej vitit 2006 ajo është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Si gjyqtare e çështjeve civile, Xhoxhaj ka gjykuar në shkallën e parë çështjen e prishjes së mbikalimit të Zogut të Zi. Në vitin 2008, bashkë me katër emra të tjerë, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtare e Gjykatës së Lartë. Por, pesë dekretet e presidentit u rrëzuan nga maxhoranca, e cila argumentoi atëherë se Presidenti nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin. Mbetet për të parë nëse tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se dy prej tyre janë kontestuar në të shkuarën.
Topalli përdor fjalët e Nënë Terezës për t’i përcjellë mesazh opozitës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së mbajtur në simpoziumin për Nënë Terezën “Eja, ji drita ime”, që u organizua nga Konferenca Ipeshkëvnore e Shqipërisë me rastin 100-vjetorit të lindjes së gruas së madhe, në mjediset e Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, përdori fjalët e saj për t’i përcjellë një mesazh opozitës.
Sipas Topallit, fjalët e Nënë Terezës janë gjithmonë aktuale, pse jo edhe për politikën.
“Ajo na mësoi se ‘nëse ne do të shohim vetëm anët negative të jetës ne biem në dëshpërim. Por nëse ne do të kemi vullnetit të shohim e të kuptojmë gjithçka të bukur që ndodh, gjithçka të mirë që kemi rrotull, ne do të jemi të aftë të transformojmë veten dhe vendin’. Unë jam e bindur se gjaku shqiptar ndër deje e ndjesia e amësisë brenda saj është ajo që e ka bërë Nënë Terezën simbolin e dashurisë, dhembshurisë, vetëmohimit, simbolin e paqes jo vetëm për kombin shqiptar, bijë e së cilit ishte, por për mbarë njerëzimin. Nënë Tereza nuk imponoi askënd, por përmes dashurisë dhe devocionit ajo i bëri njerëzit të kuptojnë se, përmes përulësisë ngrohtësisë dhe faljes së dashurisë, gjithkush mund të zbulojë brenda vetes anën humane, dinjitetin, lumturinë”, - është shprehur Topalli.
17 Maj 2010