Vizat, KE: Plotësoni 5 kushtet
ADI SHKEMBI
Në prag të raportit mbi progresin e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian rikujton edhe njëherë pesë kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në këtë drejtim. Zv.presidenti i Komisionit, Jacques Barrot, tha gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin Berisha se viti 2009 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, teksa shtoi se reformat, të cilat kanë nisur të japin frytet e para, duhet të vazhdojnë edhe më tej. “Eshtë lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurisht, dua të falënderoj Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe zotin Berisha, sepse kanë qenë vërtet energjikë në këtë drejtim. Eshtë lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, edhe aty janë bërë arritje dhe një punë e madhe. Ka reforma shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar të japin frytet e tyre, por unë e inkurajova zotin Kryeministër se në këtë drejtim, duhet vazhduar ende lufta me përpjekje të mëdha”, u shpreh Barrot. Duke vazhduar me ripërsëritjen e kushteve për Shqipërinë, ai theksoi se “është lufta kundër emigracionit klandestin dhe unë këtu, vërtet, dua të falënderoj Shqipërinë që ka bërë një përpjekje shumë të madhe në këtë drejtim. Eshtë puna që bëhet me sistemin gjyqësor. Është e vërtetë që për ne kjo ka një rëndësi shumë të madhe”. Në fund zv.presidenti i Komisionit Evropian vlerësoi dokumentet e reja të identifikimit, ku gjatë takimit me Kryeministrin Berisha u njoh me detajet e pasaportave biometrike. “Ne kemi thënë që duhet të ketë një sistem shumë të mirë sigurie dhe këtu është rasti që t’i them bravo, bravo Shqipërisë për realizimin e pasaportave biometrike, të cilat sigurisht do të premtojnë dhe do të bëjnë të mundur që të ecet më shpejt drejt liberalizimit të vizave”, theksoi më tej Barrot. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se, “natyrisht, shqiptarët kanë një dëshirë shumë të madhe, të lëvizin të lirë në kontinentin që i përkasin. Pata një kënaqësi shumë të madhe që zëvendës/presidenti i KE-së, Jacques Barrot, i dorëzoi sot pasaportën e parë biometrike një qytetareje shqiptare. Vende të tjera i kanë lëshuar para nesh pasaportat biometrike, por pasaportat tona janë teknologjia më e mirë, më e sigurt dhe është padyshim një kusht i padiskutueshëm që ne të meritojmë lëvizjen e lirë”. I pyetur mbi të dhënat paraprake të raportit që Komisioni Evropian do të bëjë publik në mesin e këtij muaji mbi progresin e Shqipërisë lidhur me liberalizimin e vizave, zv.presidenti Barrot theksoi se dokumenti ende nuk ka përfunduar, por shtoi se ai do të përditësohet edhe me të rejat e fundit të marra nga ai vetë gjatë vizitës së djeshme në Tiranë. “Mund t’u them se edhe vizita ime do të sjellë elemente të reja informative në këtë raport. Nga ana tjetër, dua t’ju them se ky raport do të debatohet në mënyrë shumë publike. Zoti Berisha insistoi shumë fort që kur të vijë puna për debatimin e këtij raporti, kjo të bëhet në mënyrë sa më transparente, sa më publike dhe sa më të hapur dhe unë ju premtoj se kështu do të bëhet. Ju premtoj se do të jetë një raport objektiv”, theksoi më tej Barrot.
Thirrje aplikuesve
Zv.presidenti i Komisionit Evropian i ka bërë thirrje dje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë për marrjen e kartave të identitetit. “Më lejoni dhe nëse zoti Berisha më lejon, t’i bëj një thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë t’i marrin kartat e identitetit, të shkojnë të votojnë, sepse duke e kryer këtë ata tregojnë që përmirësojnë cilësinë demokratike të vendit të tyre dhe profili demokratik cilësor i një vendi është një ndër gjërat e rëndësishme që ne e marrim parasysh, sepse tregon pjekurinë demokratike të këtij vendi, i cili aspiron për t’u futur në BE”, përfundoi Barrot.