E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, kartat 200 lekë

 

ADI SHKEMBI

Qeveria miraton skemën e re për pajisjen me karta identiteti të qytetarëve që nuk kanë pasaportë. Pas negociatave dy javore mes ekspertëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste është rënë dakord, që të gjithë këta qytetarë ta blejnë kartën e identitetit duke paguar vetëm 200 lekë pranë filialit të postës dhe brenda gjashtë muajve nga data e aplikimit duhet të paguajnë shumën e mbetur prej 1000 lekësh. Vendimi është vlerësuar pozitivisht nga kryeministri Berisha, i cili tha dje se kjo skemë e re nuk lë asnjë qytetar pa marrë kartën e identitetit.
Vendimi
Personat që deri në 28 qershor do të mbushin moshën 18 vjeç duhet të aplikojnë për marrjen e kartës së identitetit deri në 18 qershor, pra 10 ditë para zgjedhjeve. Sipas skemës së përcaktuar në këtë akt ligjor, kuponi do të blihet në zyrat e postës dhe më pas qytetarët mund të shkojnë pranë stacioneve të aplikimit për të dhënë shenjat e gishtave. "Shtetasit e përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, pajisen me kuponët në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore pas pagimit të tarifës prej 200 (dyqind) lekësh. Në rast se njësia e qeverisjes vendore ka më shumë se një zyrë postare, pajisja bëhet në zyrën kryesore postare të njësisë, së cilës, nga Ministria e Brendshme, i vihet në dispozicion lista emërore e shtetasve, që nuk kanë pasaportë", thuhet në pikën 3 të vendimit të qeverisë. Nëse shtetasit pa pasaportë nuk janë të përfshirë në listën e përpiluar enkas për ta nga zyrat e gjendjes civile, vendimi parashikon dy rrugë për të bërë të mundur që edhe ata të aplikojnë. Rruga e parë është pikërisht paraqitja e një vërtetimi nga Policia e Shtetit, e cila deklaron se personi në fjalë nuk ka pasaportë. Ndërsa rruga e dytë është nënshkrimi i një formulari, ku deklaron se nuk ka pasaportë dhe se nuk ka përfituar kupon përmes skemave të mëparshme të kompensimit. "Formulari i deklarimit ose vërtetimi i lëshuar nga Policia e Shtetit dorëzohen në zyrën e postës në çastin e dhënies së kuponit, të vulosur me vulën e postës. Ky kupon mund të përdoret për aplikim vetëm nga shtetasi përfitues, sipas këtij vendimi. Formularët e deklarimit, të nënshkruara, dhe vërtetimet e lëshuara nga Policia e Shtetit administrohen nga Ministria e Brendshme", thuhet më tej në vendim. Pas aplikimit për pajisjen me kartën e identitetit, qytetarët do të kenë nga ai moment gjashtë muaj kohë për të paguar shumën tjetër prej 1 mijë lekësh. "Vlera e mbetur prej 1000 (një mijë) lekësh duhet të paguhet nga personat përfitues, sipas këtij vendimi, brenda 6 muajve nga data e aplikimit. Pagesa kryhet pranë zyrave postare, për llogari të buxhetit të shtetit. Në rast se personi nuk kryen pagesën për shumën e mbetur brenda periudhës 6-mujore, shpallet debitor dhe vjelja e detyrimit bëhet sipas procedurave përkatëse", theksohet në aktin ligjor të miratuar dje nga qeveria. Duke folur në një konferencë për shtyp Kryeministri Berisha u shpreh se "skema nuk lë asnjë qytetar pa letërnjoftim për shkaqet financiare dhe teknike. Në rast të mosdëshirës për të votuar është diçka për të cilën ne nuk e detyrojmë dot qytetarin, sepse nuk kemi ligj për të detyruar pjesëmarrjen në votime, ashtu siç e kanë 2-3 vende të botës. Jam shumë i kënaqur që u arrit marrëveshja". Sipas tij, nëse ka persona që nuk janë në listën e qytetarëve pa pasaportë, opozita është e mirëpritur t'i identifikojë. "Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ata marrin përsipër dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta në këtë fushë, për të gjetur ata, emrat e të cilëve kanë ngelur jashtë listave. Kjo është shumë pozitive. U pranua të shtohen disa kategori, por brenda numrit të 700 e ca mijëve, pasi aq janë edhe qytetarët pa pasaportë. Ne nuk dimë të ketë, - janë sjellë një herë emra - por nuk mund të përjashtosh kurrë 100 për qind", theksoi më tej kreu i qeverisë, teksa mirëpriti angazhimin e opozitës për zbatimin e këtij vendimi.

vendimi i qeverise

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Të gjithë shtetasit, që mbushin moshën 18 vjeç deri më 28 qershor 2009 dhe që nuk kanë pasaportë, si dhe nuk përfshihen në skemën e kompensimit, të parashikuar në Vendimin nr. 366,            datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë", mund të aplikojnë, duke paguar paraprakisht një tarifë prej 200 (dyqind) lekësh, deri më 18 qershor 2009.
2. Rregulli i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, zbatohet edhe për të gjithë shtetasit, që votojnë për herë të parë dhe që kanë lindur në periudhën 19.2.1989 - 28.6.1991, siç përcaktohet në nënndarjen iv, të shkronjës "b", të pikës 1, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë", por që nuk ndjekin shkollat publike.
3. Shtetasit e përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, pajisen me kuponat në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore pas pagimit të tarifës prej 200 (dyqind) lekësh. Në rast se njësia e qeverisjes vendore ka më shumë se një zyrë postare, pajisja bëhet në zyrën kryesore postare të njësisë, së cilës, nga Ministria e Brendshme, i vihet në dispozicion lista emërore e shtetasve, që nuk kanë pasaportë.
4. Kur shtetasi nuk është i përfshirë në listën e shtetasve pa pasaportë mund të pajiset nga zyra postare me kupon vetëm nëse:
a) paraqet një vërtetim nga Policia e Shtetit se nuk ka pasaportë, në përputhje me pikën 8/1, të vendimit nr. 1 datë 7.1.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve", të ndryshuar;
b) nënshkruan formularin e deklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, ku përfshihet edhe deklarata se nuk ka pasaportë, nuk ka përfituar kupon nga ndonjë skemë kompensimi, dhe se mban përgjegjësi penale, sipas nenit 144, të Kodit Penal.
Formulari i deklarimit ose vërtetimi i lëshuar nga Policia e Shtetit dorëzohen në zyrën e postës në çastin e dhënies së kuponit, të vulosur me vulën e postës. Ky kupon mund të përdoret për aplikim vetëm nga shtetasi përfitues, sipas këtij vendimi. Formularët e deklarimit, të nënshkruara dhe vërtetimet e lëshuara nga Policia e Shtetit administrohen nga Ministria e Brendshme.
5. Vlera e mbetur prej 1000 (një mijë) lekësh duhet të paguhet nga personat përfitues, sipas këtij vendimi, brenda 6 muajve nga data e aplikimit. Pagesa kryhet pranë zyrave postare, për llogari të buxhetit të shtetit. Në rast se personi nuk kryen pagesën për shumën e mbetur brenda periudhës 6-mujore, shpallet debitor dhe vjelja e detyrimit bëhet sipas procedurave përkatëse.
Personat, që përfitojnë sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, përjashtohen nga zbatimi i këtij detyrimi, nëse paraqesin dokumentet e aplikimit, sipas shkronjës "dh", të pikës 4, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë".
6. Rregullat e hollësishme dhe mënyra e pagesës së kompensimit të  Postës Shqiptare, sha.,  për çmimin e letërnjoftimit, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
7. Zyrat e aplikimit të mos pranojnë aplikime në periudhën 18.6.2009 - 30.6.2009. Në këtë periudhë zyrat qëndrojnë të hapura vetëm për shpërndarjen e letërnjoftimeve.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen brenda fondit të përcaktuar në pikën 7, të vendimit nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë".
9. Shkronja "dh", e pikës 4, të vendimit nr.366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, "Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë", nuk zbatohet për kategorinë e shtetasve të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.
10. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Financave dhe Posta Shqiptare, sha, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren Zyrtare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›