E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, pakt me partinë e çamëve: S’ndryshuam kufijtë detarë me Greqinë

 

Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se marrëveshja e firmosur gjatë vizitës së Kosta Karamanlis në Tiranë për vendosjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë, nuk ndryshon kufijtë detarë të vendit tonë. I sapokthyer nga një vizitë zyrtare në Pragë, ku dorëzoi kërkesën për aplikimin në BE, kreu i qeverisë hodhi poshtë të gjitha pretendimet për zvogëlimin e kufijve në jug të vendit. “Në mënyrë absolute pala shqiptare ka përdorur hartën e marinës së Republikës së Shqipërisë. Së dyti, është përdorur Konventa Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit”, u shpreh Berisha. Sipas tij, pala shqiptare ka përdorur hartën tonë dhe jo atë greke gjatë përcaktimit të kufijve për zonat ku ato nuk kanë ekzistuar më parë. “Komandanti i Flotës ka dalë me hartën shqiptare. Pala greke ka përdorur hartën greke, sepse pala greke nuk mund të përdorë hartën shqiptare. Se si maten koordinatat ka një praktikë shumë të njohur dhe linja mediane është linjë mediane dhe Konventa e Detit përcakton qartësisht si do të bëhen matjet aty, ku nuk ka kufi”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Ndërkohë po dje në përfundim të konferencës për shtyp, kreu i koalicionit të djathtë nënshkroi një marrëveshje paraelektorale me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, partia që mbron interesat e komunitetit çam. Pas nënshkrimit të paktit, kreu i Partisë Demokratike theksoi se kjo forcë ka mbrojtur çështjen çame, teksa përmendi Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Ne e firmosim këtë marrëveshje sot, për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të së drejtës së tyre, por tek integrimi evropian do të kenë edhe zgjidhjen dhe përgjigjen më të mirë për një seri problemesh”, u shpreh Berisha. Ndërsa sipas kreut të PDI-së, Tahir Muhedini, “marrëveshja me PD-në është nënshkrimi i koalicionit të fitores së 28 qershorit, koalicion që do të bëjë të mundur zgjidhjen e çështjes çame, të cilën ne e kemi edhe në programin tonë”. Gjatë ditës së djeshme Partia Demokratike nënshkroi edhe dy marrëveshje të tjera paraelektorale me Partinë Lëvizja e Legalitetit të Ekrem Spahiut dhe Partinë Balli Kombëtar e Adriatik Alimadhit.

Koalicioni i djathtë

    PD
    PR
    PAA
    PBLD
    PDI
    PBK
    PLL

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›