Rama: Lë PS po humba zgjedhje të lira
Korçë/Jorgjeta Gjançi
Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, ka gjetur një sallë të ndezur në qytetin e Korçës, ku socialistët dhe simpatizantët e PS-së i kanë kërkuar atij shpjegime për personalizimin e fushatës, mungesën e një koalicioni të gjerë me LSI-në, por dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve për certifikimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.Nëse pas katër vjetësh nuk arrihet fitorja a do të jepet dorëheqja nga fituesi i kësaj gare?
Nenin për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të PS e kam propozuar unë dhe është vendosur në statut në bazë të propozimit tim. Në rast se unë do të besoja që qoftë edhe 1 për qind se në 28 qershor u votua lirisht dhe rezultati që doli është vendimi i sovranit, nuk do të isha këtu sot, për të kërkuar mandat të ri. Unë besoj se standardi i përcaktuar në statut është i një niveli më të lartë europian dhe nuk është i aplikueshëm kur zgjedhjet s’janë as të lira, as të ndershme dhe as të standardit europian.
Nëse organizmat botërore dhe SHBA do t’u thonë të hyni në Parlament, si do të veproni?
Partnerët ndërkombëtarë janë pjesë e pazëvendësueshme dhe këshillat e tyre kanë qenë dhe janë shumë të vyera. Sot ne i kemi këto këshilla, raportin e OSBE/ODIHR-it. Është vënë gishti mbi plagë kur është thënë se nga 66 qendra numërimi, në 22 prej tyre votimi ka qenë i keq dhe shumë i keq. Pra, në një të tretën e qendrave të votimit zgjedhjet janë keq dhe shumë keq. Atëherë çfarë presim më të thonë ndërkombëtarët? Liritë e të drejtat tona janë të panegociueshme dhe do të luftojmë për t’i fituar.
Ju zoti Rama shpreheni se populli votoi PS, mandej thoni se na i vodhën votat. Kjo është kontradiktore, çfarë ka ndodhur konkretisht?
Së pari, është e ditur se populli ka votuar PS, sepse kjo ka dalë forca e parë me një diferencë që çdonjëri e kupton që është shumë e vogël. Që janë vjedhur votat, kjo kuptohet fare qartë, sepse ne po na mohohet e drejta e shkruar në ligj që të hapen kutitë edhe me kërkesën e dy komisionerëve nuk u zbatua, kur dihet se u nxorën nga burgjet kriminelët për t’u bërë presion socialistëve të mos shkonin të votonin, kur është abuzuar me fondet publike dhe me funksionet publike, kur socialistët po largohen nga puna etj. Nëse dikush i quan zgjedhje normale, atëherë kjo është fyerje për inteligjencën time dhe të një populli të tërë. Të tilla zgjedhje nuk dëshirojmë të ketë më dhe do të bëjmë çfarë kemi në dorë që të mos përsëriten të tilla zgjedhje.
Fushata elektorale ishte e personalizuar nga Edi Rama dhe rezultati që u arrit është vlerësim për personin që personalizoi fushatën. A nuk kërkoje votën për vete dhe jo për PS-në?
Akoma nuk e kam kuptuar se ç’do të thotë ky personalizim. Unë e di që në gjithë vendet demokratike kur bëhet një fushatë elektorale, drejtuesi i fushatës është në krye të fushatës dhe ai përfaqëson një kontratë të caktuar. Në zgjedhjet e përgjithshme këtë kontratë e firmos kryetari i PS.
A është antiligjore vendimi për zgjedhjet kur në KQZ është votuar unanimisht nga të shtatë anëtarët e saj?
Ne në KQZ kemi çuar njerëz të ligjit, ndërsa Saliu ushtarë të Partisë së tij. Në aspektin formal të ligjit, pas vendimit të Gjykatës, anëtarët e KQZ-së thjesht zbardhin vendimin e saj. Ata janë aty për të respektuar formalisht vendimin e Gjykatës. Edhe mandatet e shpërndara në bazë të ligjit është formal. Problem është aspekti real, politik dhe moral i zbatimit të ligjit. Ligji shkruan se me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ hapen kutitë e kërkuara, por kjo nuk u zbatua, pra është shkelur ligji. Kjo është taksative. Ne na u dha një realitet i deformuar nga moszbatimi i ligjit prej një pushteti gjyqësor të gjunjëzuar nga pushteti politik. Ne nuk e pranojmë këtë abuzim, pranojmë se nuk ka drejtësi për veten dhe fëmijët tani.
Po në KQZ është votuar 7 me 0, si e argumentoni ju këtë qëndrim të tyren?
Unë jam këtu për të dhënë përgjigje dhe jo për të të shkolluar. Nëse nuk e kuptove përgjigjen, ka të tjerë që e kuptuan mbrapa, konsultohu me ta.
Formula e Kodit favorizonte koalicionet e mëdha. Ne kishim tre koalicione. Pse nuk hytë në koalicion me Ilir Metën?
Problemi ynë nuk është formula, problem ynë është deformimi i procesit zgjedhor.
PS nuk ka qenë e hapur me median, pse mungoi kjo transparencë?
Edhe ky takim që ne jemi duke organizuar zhvillohet me praninë e medias. Por jo çdo gjë që diskuton një parti është e hapur për median. Ne shohim edhe në Amerikë se mbledhjet e shtabit të asnjë kandidati të ketë gazetarë, nuk shohim që kur mblidhen strukturat vendimmarrëse të një partie të jenë gazetarët brenda. Mbledhja është shtab i betejës dhe në këtë shtab që drejton luftën me një tjetër të vijnë brenda përfaqësuesit e kundërshtarit.