Rama: Lëvizje e re në bazën e PS

Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS
Kreu i PS hap fushatën paraelektorale për zgjedhjet e 2013: Të shpjegojmë programin.
Komunikim me çdo socialist, në çdo zonë të Shqipërisë
Partia Socialiste ka çelur dje fushatën paraelektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Kryesocialisti Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së kërkoi nga deputetët që të nisin menjëherë një lëvizje të re në të gjithë vendin, për të organizuar tryeza dhe bashkëbisedime me bazën socialiste. Rama theksoi se të zgjedhurit e Partisë Socialiste duhet të nisin punën për të paraqitur në çdo cep të vendit programin e të majtës Për një Rilindje Shqiptare. Brenda kohës së mbetur të këtij sesioni parlamentar, çdo deputet e deputete duhet të ndërmarrë një lëvizje dhe komunikim të pandërprerë, të drejtpërdrejtë, në çdo zonë të Shqipërisë. Duke nisur me strukturat e Partisë Socialiste, me të gjithë përfaqësuesit socialistë nga çdo qendër votimi, për të folur dhe për të dëgjuar, theksoi Rama. Shefi i opozitës kërkoi nga deputetët e tij dhe nga strukturat e PS-së që të vijojnë punën për të shtuar anëtarësimet e reja. Për të vazhduar njëkohësisht aksionin e nisur politik të anëtarësimeve të reja në parti, me qëllim përmbushjen me sukses të objektivit të vendosur të Kongresit të 5 nëntorit për rritjen me 30% të anëtarësisë së partisë deri në fund të këtij viti. Për të informuar çdo strukturë e çdo komunitet për ecurinë e punës me programin tonë të ri Për një Rilindje Shqiptare dhe për të sjellë në sekretarinë e programit të gjitha shqetësimet e sugjerimet që lidhen me alternativën tonë të re qeverisëse. Dhe për të vendosur bazat e lëvizjes gjithëterritoriale, ku do të përfshijmë gjithë shqiptarët që dëshirojnë ndryshimin, duke nisur nga shtatori e pa ndalim deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo lëvizje duhet të nisë tani, që nesër, për ti dhënë frymë dhe për të përmbyllur këtë fazë përgatitore për të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, deklaroi Rama.
Sfida
Kreu i opozitës deklaroi dje se: Sfida jonë është ta rrezatojmë shpresën, duke qenë çdo çast besnikë e solidarë me njerëzit që përfaqësojmë dhe duke u dhënë përditë shembullin e fortë të një force të vetëdijshme, të bashkuar, besnike e solidare, të aftë për të hapur rrugën për një Rilindje Shqiptare. Duke bërë secili detyrën e vet në pjesën e frontit të tij dhe të gjithë bashkë detyrën historike të PS-së në krye të frontit opozitar.
Dështimi
Shefi i opozitës u shpreh dje se maxhoranca ka nisur një fushatë sulmi ndaj PS-së, duke e fajësuar si shkaktaren e vetme për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Motoja e propagandës qeveritare është: Fajin e ka opozita pse shqiptarët skanë punë, fajin e ka opozita pse shqiptarët skanë fuqi blerëse, fajin e ka opozita pse shqiptarët skanë shtet në shërbim të tyre. Pa dyshim edhe për faktin që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian, sot në vigjiljen dramatike të humbjes për të tretën herë të statusit të vendit kandidat, përsëri fajin e ka opozita, tha Rama.
Lotaria Kombëtare. Bode të japë dorëheqje
Kreut i PS akuzon ministrin e Financave

Ministri i Financave, Bode
Partia Socialiste kërkon dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode, për skandalin e licencës së Llogarisë Kombëtare. Shefi i opozitës, Edi Rama, e ka quajtur si një pabesi ndaj publikut dhënien e Lotarisë Kombëtare atyre që ai i quajti klientët e qeverisë. Kryesocialisti pohoi se me ardhjen në pushtet Lotaria Kombëtare do zhbëhet nga e majta, pasi është një akt korrupsioni i ministrit të Financave. Ministri i Financave është sot një spekulator që vepron për llogari të klientëve të pushtetit dhe dokumentet e tenderit të Lotarisë Kombëtare provojnë vetëm një gjë: që Ridvan Bode duhet të japë dorëheqjen. Sigurisht që Ridvan Bode nuk do ta japë dorëheqjen, sepse dora e tij është e zhytur kaq thellë në këtë aferë dhjetëramilionëshe në vit, saqë ai nuk e heq dot. Por ne do ta zhbëjmë aferën kur me votat e popullit shqiptar të marrim të drejtën për të qeverisur vitin e ardhshëm për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, duke e çmontuar ruletën e tryezës së qeverisë së sotme, ku Kryeministri luan bixhoz me paratë e popullit për të pasuruar oborrin e ministrave e të ortakëve në biznes me qeverinë. Dhe ku ministri i Financave darovit paratë publike dhe të drejtat publike për ta bërë lojën më eksituese dhe për ti bërë fitimet më marramendëse, deklaroi Rama. Lidhur me këto deklarata të shefit të opozitës, ka reaguar dje Ministria e Financave me anë të zv.ministrit Alfred Rrushaj, i cili tha se: Kryetari i opozitës Rama vijoi me këmbëngulje shpifjet dhe akuzat ndaj qeverisë, jo në misionin legjitim të kryeopozitarit alternativ apo dhe denoncues, por në rolin e tij që rëndom e ushtron pa iu dridhur qerpiku, atë të shpifësit dhe shërbëtorit të marrë peng nga klientela e tij. Në mënyrë të përditësime, vetë kreu i opozitës ose tellallët e tij vijojnë presionin ndaj administratës, Komisionit të Prokurimit, për të akuzuar për një vendim ende të pamarrë, vetëm e vetëm se klienti i tij nuk plotësoi kriteret e pjesëmarrjes në garë.
Gjoba ndaj Tahirit
Në mbledhjen e Grupit të PS-së, kryetari Edi Rama reagoi dje për dënimin e dhënë nga gjykata kundër deputetit Sajmir Tahiri. Rama theksoi se do tu drejtohet partnerëve ndërkombëtarë për ti sensibilizuar dhe kërkuar ndihmë që drejtësia në Shqipëri të japë drejtësi. Nënkryetari i Grupit tonë Parlamentar u dënua padrejtësisht me një gjobë të turpshme, nga gjykatës Çeliku që refuzoi prova e dëshmitarë për të çuar deri në fund një proces hakmarrjeje ndaj opozitës për kurajën e nënkryetarit të Grupit në përballjen konstante me korrupsionin e Kryeministrit e të ministrave të tij, theksoi Rama.
FATION BINJAKU