9 mijë libra të akademikut Aleks Buda, i kalojnë Bibliotekës Kombëtare
Petrika GROSI
Rreth 9 mijë libra të akademikut të shquar Aleks Buda i janë dhuruar nga familja Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, për të qenë pjesë e fondit të saj. Në bazë të një “marrëveshjeje-dhurimi”, të nënshkruar nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari dhe familjarët e akademikut Aleks Buda, materialet e dhuruara janë ende në proces përpunimi bibliotekar, por shumë shpejt, ato pritet që të jenë në dispozicion të studiuesve. Akti i dhurimit të 9 mijë vëllimeve mbetet një gjest fisnik që kontribuon në pasurimin e fondit albano-balkanologjik të Bibliotekës Kombëtare, ndaj me këtë rast, përfaqësuesja e familjes Buda, znj. Tatjana Buda është pritur në një takim nga ministri i Kulturës, Ylli Pango. Biblioteka e dhuruar përmban botime nga fusha të ndryshme, të cilat ndikuan jo pak edhe në formimin e akademikut Buda, njëri prej albanologëve më të njohur shqiptarë të shekullit të kaluar. Krahas botimeve, librave e periodikëve me karakter filozofik, historik, gjuhësor, etimologjik, etj., fushë me interes për personalitetin e këtij shkencëtari mbetet edhe letërsia artistike, që gjithashtu, ndodhet e pranishme edhe në Bibliotekën e dhuruar.
11 Shtator 2008