E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimenti 15 miliardë dollarë per origjinen e universit



Në Zvicër është zhvilluar dje eksperimenti më i madh ndërkombëtar i fizikës, i cili synon të shpjegojë origjinën e Universit.
Përplasësi në vlerë prej 5 miliarda dollarë është dizejnuar për të shtypur pjesëzat së bashku, për rikrijimin e lëvizjeve të Shpërthimit të Madh, teorisë që besohet se mund ta shpjegojë origjinën e Universit. Kozmologët thonë se Shpërthimi i Madh apo i njohur ndryshe si Big Bang, ka ndodhur rreth 15 miliardë vite më parë, kur një objekt i vogël, i nxehtë dhe me dendësi tejet të madhe, ka shpërthyer dhe e ka shpërndarë materien, e cila pastaj është zgjëruar duke i krijuar yjet, planetet, dhe përfundimisht jetën në Tokë. Shkencëtarët shkrepën tufën e parë të thërrmijave në një tunel të gjatë 27 kilometra, ku ndodhet makina e Madhe Përplasëse Hadron. Eksperimenti u zhvillua nëntokë në vendin ku ndodhet Organizata Europiane për Kërkime Bërthamore (CERN) në kufirin franko-zviceran. Pajisja atomike ka më shumë se 30 vjet që planifikohet, 14 vjet që ndërtohet dhe ka kushtuar 10 miliardë dollarë. Drejtuesi i këtij projekti Lin Evans është marrë më këtë makineri gjigante që nga fillimi i krijimit të saj. “Merrem me këtë makineri që prej 14 vjetësh. Është një kohë vërtet shumë e gjatë për çdo projekt dhe jam i kënaqur që po përfundon”. Megjithatëq fundi i projektit shënon edhe fillimin e punës së tij. Sipas Evans nisja e këtij rrugëtimi të madh drejt së panjohurës nuk do të ndodhë duke shtypur një sustë e duke e ndezur makinerinë. “Në këtë rast nuk kemi një sustë të madhe të kuqe siç e mendojnë shumë njerëz që do të mund ta shtypje e të shihje rezultatet përnjëherë. Ky është një operacion i vështirë dhe ne do të fillojmë duke dërguar një rreze që do të përshkojë tunelin e nëndheshëm një herë. Do të isha tepër i kënaqur nëse arrijmë vetëm kaq ditën e parë”,- ka thënë para eksperimentit ai.
Kjo është pajisja më e fuqishme që merret me përshpejtimin e grimcave atomike. Makineria gjigante mund ta ndryshojë thellësisht pikpamjen tonë për universin duke rikrijuar kushtet që u shfaqën një të miliardtën e sekondës pas Big Bengut që konsiderohet si fillimit i madh. Aparatura gjigante në formën e një unaze gjendet në një tunel 27 kilometra të gjatë pranë kufirit mes Zvicrës dhe Francës në afërsi të Gjenevës. Pajisja ka detektorë të mëdhenj të vendosur në dhoma gjigande me përmasat e një katedraleje përgjatë unazës. Rrezet drejtohen nga 6000 magnetë me superpërçues. Evans ka sqaruar se janë 50 mijë ton pajisje që duhet të ftohen në temperatura më të ulta se ato të stratosferës për të krijuar superpërçuesit. Protonet futen direkt në unazë të pajisjes nëpërmjet dy linjave të injektimit dhe përpjekja e parë për të futur dy rrezet e protonit në unazë është eksperimentuar dje. “Kur dy grimca atomike përplasen, ato prodhojnë energji e cila shndërrohet në masë dhe nëse kjo energji është e madhe ajo mund të prodhojë objekte të rënda,”- Evans. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, energjia e dëshiruar do të përftohet pas dy muajsh eksperimentesh. Kur pajisja të arrijë shpejtësinë e mjaftueshme, atëherë protonet do të mund të lëvizin gati me shpejtësinë e dritës. Makineria do të prodhojë rreth 800 milionë përplasje protonesh në sekondë. Fizikani i Organizatës Europiane për Kërkime Bërthamore në Gjenevë Xhon Ellis është shprehur se pajisja do të ketë aftësinë të shohë 10 herë më thellë brenda një strukture se çdo mikroskop apo pajisje e sofistikuar e ndërtuar ndonjëherë. “Kjo pajise mund të shihet si teleskopi më fantastik në botë sepse ai rikrijon në një farë mënyre kushtet që u shfaqën menjëherë pas Big Bengut, një fraksion të vogël sekonde pas Big Bengut. Pra, ai jo vetëm që do të përpiqet t’i japë përgjigje pyetjeve më themelore që kanë të bëjnë me përbërjen e lëndës por do të na tregojë edhe sesi universi ka mbërritur në gjendjen ku është tani”. Fizikanët besojnë se pajisja do të çojë drejt zbulimit të një grimce të re të quajtur Higs Boson që e ka marrë emrin nga fizikani britanik Piter Higs. Kjo është edhe hallka që ende mungon në historinë e fizikës së grimcave. Mendohet që pikërisht kjo mund t’i përgjigjet pyetjes se pse grimcat nënatomike kanë peshë ose masë.
Po kështu, Ellis thotë se pajisja mund të zbulojë çështje të tjera me interes të gjerë shkencor. Ai është sidomos i interesuar sidomos për të ashtuquajturën Lëndë e errët: “Astronomët dhe kozmologët na thonë se gati 80 përqind e lëndës në gjithësi është e padukshme. Kjo është lënda e errët që askush nuk e ka parë ndonjëherë. Ne e dimë që ajo ekziston pasi ajo ushtron forcë rëndese por nuk ndriçon, kështu që mendohet se nuk përbëhet nga lënda e zakonshme. Është interesant fakti që kemi arritur në shekullin e 21-të dhe ende nuk dimë gjë mbi lëndën kryesore që përbën universin”. E ndërsa Organizata Europiane për Kërkime Bërthamore po u gëzohet arritjeve të veta, disa parashikojnë se pajisja do të krijojë një vrimë të zezë gjigande që mund të përpijë Tokën. Janë ngritur edhe disa padi vënies në funksionim të pajisjes. Fizikanët thonë se këto skenare janë qesharake. Sipas tyre, që nga formimi i sistemit diellor rreth 4,5 miliardë vjet më parë, rrezet kozmike e kanë bormbaruar pa pushim Tokën dhe kanë provokuar përplasje të ngjashme me ato që mendohet të krijojë pajisja. Fizikanët Xhon Ellis dhe Lin Evans, thonë se se edhe pas gjithë këtyre, planeti Toka ka mbijetuar.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›