E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Qipro, merr pjesë sot në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të KiE-së



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nisur dje për në Qipro ku është e ftuar të marrë pjesë në Konferencën europiane të kryetarëve të parlamenteve të KiE-së. Konferenca e nivelit të lartë që do të zhvillohet sot dhe nesër, organizohet nga PACE, nën kujdesin e vetë presidentit Cavusoglu dhe kryetarit të Parlamentit të Qipros, Garoyian. Kjo konferencë zhvillohet në një periudhë kur në të gjithë Europën institucioni i parlamentit ka marrë një rol thelbësor në politikëbërje, si element kyç i vendimmarrjes. Në këtë konferencë, nga më të rëndësishmet e këtij niveli, kryetarja e Kuvendit do të mbajë një fjalim mbi rolin dhe përgjegjësinë që duhet të mbajë opozita në parlament. Topalli është e ftuar nga Presidenti i PACE-s, mes krerëve të parlamenteve të Austrisë, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Italisë, Rusisë, Zvicrës, Hungarisë, Finlandës, Çekisë, Bullgarisë etj., si edhe krerëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë së Mesdheut dhe Asamblesë së vendeve Baltike. Në vijim të lobimit përmes diplomacisë parlamentare, Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me homologët e saj europianë.

Shalsi: “Berisha të lejojë transparencën”

Deputeti Eduard Shalsi i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të hapë kutitë e 28 qershorit dhe të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Ai ka reaguar dje pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në Laç se vendi nuk është në krizë. “Berisha ka vetëm një punë me opozitën: të hapë kutitë e 28 qershorit dhe të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Sa për të tjerat, ai le t’u shpjegojë shqiptarëve se pse qeverisja e tij është komplet e paralizuar dhe se pse ai si kryeministër është katandisur të inaugurojë disa herë të njëjtat rrugë e të njëjtat shkolla”, - u shpreh Shalsi. Deputeti socialist e ka akuzuar kryeministrin për vështirësinë ekonomike që po kalon vendi. “Sali Berisha ka faj se pse shqiptarët janë sot më të varfër se dje. Është faji i tij se pse shqiptarët blejnë më pak, konsumojnë më pak. Është faji i tij që ekonomia po shkon drejt humnerës. Është faji i tij se pse shqiptarët po paguajnë një kosto të papërballueshme jetese. Këto janë gjërat për të cilat Sali Berisha duhet të jepte shpjegime dhe llogari përpara shqiptarëve. Ai nuk e përmirëson cilësinë e jetës së shqiptarëve duke u treguar atyre se nuk ka krizë. Shqiptarët për koston e papërballueshme të jetesës nuk i zënë besë askujt dhe asnjë gjëje përveçse xhepit të tyre. Këtë duhet të ketë mirë parasysh Sali Berisha”, - u shpreh Shalsi.

Partia Republikane përgatitet për zgjedhjet e pushtetit vendor

Kryesia e Partisë Republikane zhvilloi dje një takim me përfaqësuesit e Asamblesë Rajonale të Qarkut të Vlorës. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë që paraqesin zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011 dhe fillimin e punimeve për përzgjedhjen e përfaqësuesve të Partisë Republikane, të cilët do ta përfaqësojnë këtë parti në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm dhe të kandidatëve për komunat dhe bashkitë, si dhe kryetarëve të këshillave komunal dhe bashkiakë, në qarkun Vlorës. Në fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është ndalur te çështja e Kodit Zgjedhor. Mediu ka theksuar se ky kod duhet të pësojë ndryshime, për një përfaqësim sa më të drejtë të interesave të elektoratit. “Ne jemi dakord me qëndrimin e Partisë Demokratike, se Partia Socialiste duhet të ketë fjalën e saj përsa i përket Kodit Elektoral, por është tejet e rëndësishme që ky kod të jetë në përputhje me standardet, që të japë një parlament sa më të qëndrueshëm, të krijojë hapësira dhe një demokraci të konsoliduar. Duhet të reflektojmë në çdo hap të hedhur, sepse çfarë kemi arritur nuk ka qenë dhuratë dhe nuk do të jetë dhuratë, por është fryt i punës dhe këmbënguljes, është fryt i reformave, është rezultat i standardeve. Si e tillë, ne republikanët synojmë që në zgjedhjet e ardhshme lokale të fitojmë dhe të jemi vazhdues të reformave të ndërmarra, të cilat po e ndryshojnë vendin dhe po e çojnë atë drejt rrugës së integrimit në familjen e madhe europiane”, - u shpreh Mediu.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›