E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Me Thaçin, një takim i shkëlqyer, interesant diskutimi për sistem të unifikuar arsimor mes dy vendeve

Share

Kryesocialisti Edi Rama duket se është shumë i lidhur pas faqes së tij sociale Twitter, ku ndan në kohë rekord përshtypjet e tij për ngjarje e takime të ndryshme. Rama ndodhet në Prishtinë për disa takime me zyrtarë të lartë të shtetit dhe për të promovuar librin e tij Kurban. Pas takimit të djeshëm me kryeministrin Hashim Thaçi, ai ka komentuar në Twitter duke e cilësuar një takim të shkëlqyer. Një takim i shkëlqyer me Hashim Thaçin dhe një temë interesante më vete ideja e PS-së për një sistem të unifikuar arsimor me Kosovën, shkruan Rama pasdite fill pas mbarimit të takimit me Thaçin. Gjatë qëndrimit në Prishtinë Rama ka ndarë me miqtë që e ndjekin në Twitter dhe përshtypjen e tij për një film kosovar. Kolona, një film i ri kosovar që s’duhet humbur. Ujkan Hysaj një fëmijë në regji me rezultat të admirueshëm, shkruan Rama.

Pas këtij takimi, Thaçi tha se: ishte kënaqësi për mua sonte që të takohem me liderin e opozitës shqiptare, z.Rama, dhe delegacionin e tij gjithashtu.

Ne biseduam për bashkëpunimin e ngushtë të shtetit të Kosovës me shtetin e Shqipërisë, ku një kontribut të rëndësishëm është duke luajtur edhe opozita, në mbështetje të të gjitha angazhimeve për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, përkatësisht në punën e tyre për sensibilizim dhe mbështetjen edhe për njohjet e reja për Republikën e Kosovës. Natyrisht biseduam për bashkëpunimin tonë në të gjitha sferat ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, dhe në atë ekonomike, diplomatike dhe të arsimit, poashtu në aspektin kulturor. Gjithashtu, kjo vizitë është në prag të festave të nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar. Uruam njëri-tjetrin, dhe më lejoni që të uroj të gjithë shqiptarët për këto festa,dhe të gjitha të mirat për ta. Gjithashtu kisha kënaqësinë që të marrë edhe librin nga Rama, për të cilin e uroj dhe e përgëzoj, për mjeshtërinë e tij në të shkruar, dhe prezantimin që e ka bërë. Prandaj, i uroj edhe njëherë sukseset më të mira z.Rama në politikë, në karrierën e tij, në punën e tij. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë fuqishëm për perspektivën e Kosovës evropiane, për perspektivën e Shqipërisë evropiane, për perspektivën e gjithë rajonit, një perspektivë evropiane.

Ndërsa Edi Rama tha se ishte si përherë kënaqësi e veçantë takimi me kryeministrin Thaçi, jo vetëm kryeministri i Kosovës, por edhe një mik i mirë dhe shumë i respektuar nga të gjithë ne, në një moment të rëndësishëm, momentin e vigjiljes të një feste të madhe siç është festa e pavarësisë dhe ajo e flamurit, që unë kam privilegjin ta kaloj këtu, duke mu dhënë mundësia që të vizitoj edhe kryeministrin dhe vendet e simbolikës së madhe kombëtare. Folëm për procesin e integrimit, për procesin që shumë shpresojmë shumë që të hapet dhe të ec me shumë shpejtësi për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Pata kënaqësinë që ti dhuroj kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, për tu dhënë mundësi gjithë fëmijëve dhe të rejave dhe të rinjve, që të arsimohen dhe edukohen brenda të të njëjtit sistem. Dhe padyshim rinënvizova edhe njëherë atë që është e njohur për të gjithë dhe që është vijë e drejtë dhe e palëkundshme jo vetëm me partinë socialiste dhe opozitës, por të gjithë politikës në Shqipëri, në mbështetje të Kosovës, në mbështetje të udhëheqjes politike të Kosovës. Kosova është një nga ato pikat të palëvizshme përbashkuese për të gjithë klasën politike në Shqipëri.

Ndërkohë PS ka njoftuar se Rama ndodhet në Prishtinë ndër të tjera dhe për të lënë autografe për lexuesit e tij. Pas radhëve të gjata të autografeve lëshuar në Tiranë, Durrës e Shkodër Edi Rama do ti drejtohet qytetarëve të Prishtinës në një aktivitet në Muzeun Kombëtar të Kosovës ku do të promovohet libri i tij. Kurban një libër që rezultoi një sukses dhe theu rekorde në shitje shkon pranë bashkëkombësve tanë në Kosovë, për të rrëfyer edhe lexuesve të saj të vërtetën e Edi Ramës në mbi 400 faqe, thuhet në njoftimin e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›