E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu-Rama: Transparencë në deklarimet e borxhit

Bruksel- Realiteti ekonomik i Shqipërise duhet të pasqyrohet me transparencë të plotë nga ana e klasës politike shqiptare. Kështu është shprehur kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama gjatë një takimi në Bruksel me ish-kryeministrin grek Jorgos Papandreu. Ndërkohë ka theksuar se nëse fshehim të dhënat reale ekonomike mund të pesojmë të njejtin fat si shteti grek.

“Është shumë e rëndësishme sot që shqiptarët dhe klasa politike në Shqipëri të jenë të gjithë bashkë për të bërë transparencën e të gjitha të dhënave të realitetit ekonomik, përndryshe shumë shpejt do të gjendemi përpara një stuhie që do të jetë e tmerrshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. E në këtë aspekt eksperienca e qeverisë së mëparshme të djathtë greke e cila fshehu të gjitha të dhënat është një eksperiencë që duhet të na mësojë shumë- tha Rama gjatë vizitës që po zhvillon në Bruksel.

Nga ana e tij vetë Papandreu deklaroi se situata në Greqi mund të ishte parandaluar në rast se do të kishte transparencë në deklarimet reale të borxhit të vendit.

“Çështja e transparencës është kyçe. Në Greqi ne nuk patëm transparencë për buxhetin dhe as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund ta kishin ndaluar, nëse do të kishim patur transparencë- u shpreh Papandreu.

Ish-kryeministri grek shtoi gjithashtu se shtimi i pabarazive ishte një tjetër pikë negative që ndikoi në përkeqësimin e situatës në Greqi, pasi është një ndër faktorët kryesorë në zhvillimit të korrupsionit.

U krijua gjithashtu shumë pabarazi dhe mungesa e transparencës mund të sjellë dhe korrupsionin. Dhe korrupsioni në fund të fundit dëmton shtresën e mesme, ata të cilët kanë më shumë fuqi dhe që mund të sjellin më shumë para, barazi dhe drejtësi për shoqërinë- theksoi Papandreu, duke shtuar se një qeverisje e mirë duhet të ketë në bazë të saj pikërisht transparencën.

Dorina Bilbili/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Qeveria Papandreu, pritet votëbesimi në parlament
  2. Mediat greke: Papandreu do te rrezohet
  3. Papandreu: Referendum për paketën e shpëtimit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›