E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më shumë gra në politikë, të thyejmë tabunë

Vlorë- Kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar një përfshirje më të gjerë të grave në politikë. Duke folur nga Vlora në Forumin e Gruas Socialiste, ai u shpreh se vendi do të ecë më përpara nëse gratë angazhohen në jetën politike dhe publike.

Kemi ardhur për të folur me ju drejtpërdrejtë si përfaqësuese të denja të përpjekjes së grave dhe të vajzave, por edhe të gjithë shqiptarëve progresistë për një Shqipëri më të mirë. Unë besoj me zemër se një Shqipëri më e mirë është e mundur vetëm me një përfshirje më të madhe të grave dhe të vajzave në jetën publike dhe procesin politik. Sot ju mund të dëshmoni shumë më mirë sesa burrat se si është gjendja e vendit, sot mund të dëshmoni më mirë të vërtetën e të mirës së kombit dhe të varfërisë, dhe gjendjen kulturore dhe shoqërore. Gjendjen e degradimit të shtetit dhe të mungesës së kujdesit të tij,- deklaroi Rama.

Më tej kreu i opozitës u shpreh se sot gratë vuajnë pabarazinë e pjesmarrjes në politike, dhe sipas tij ky mentalitet duhet të largohet pasi vendi ka nevojë për një rilindje shqiptare.

Sot zgjidhja e qartë është të pranojmë rrënimin dhe të përpiqemi për një Rilindje Shqiptare. Rilindja fillon me gruan dhe vajzën dhe me gjysmën e shoqërisë që sot e gjithë ditën vuan pabarazinë dhe mungesën e ekuilibrit, kur është fjala për pjesëmarrjen në jetën publike dhe politike. Të mendojmë pa frikë në Shqipëri është sfida më e madhe, është angazhimi ynë më i rëndësishëm. Ju e dini shumë mirë se frika e ka shoqëruar gjatë Shqipërinë në periudha të caktuara dhe është kthyer në qendër të jetës shqiptare, në cdo vend pune dhe hapësirë publike. PS do mundë frikën për të gjithë shqiptarët,- theksoi Rama.

Gjithashtu në takim foli edhe deputetja Valentina Leskaj, e cila u shpreh se qeveria e tanishme nuk ofron më asnjë standart për qytetarët, dhe ka kërkuar ndihmën e grave për ta nxjerrë vendin nga ngremina që sipas saj e ka futur Sali Berisha.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›