E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mediu e Basha para drejtësisë

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama kërkoi dje dorëzimin para drejtësisë të ministrave të akuzuar për korrupsion. Duke dhënë vlerësimin e tij dje për raport-progresin e KE-së, Rama tha se raporti është një pasqyrë realiste e krizës së rëndë të demokracisë në Shqipërinë e sotme. Lideri i opozitës rikërkon dorëzimin para drejtësisë të ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu dhe të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Rama kërkon rihapje të dosjes ndaj dy zyrtarëve. “Rikërkojmë dorëzimin para drejtësisë të Mediut e Bashës, qoftë për krimin shtetëror dhe për krimin e rrugës Durrës-Kukës. Organet e drejtësisë duhet të ndërmarrin të gjitha masat për t’i rivendosur para drejtësisë këta dy persona. Mosgjykimi deri në fund i tyre përbën një ndër pikat më të errëta të këtij raporti”, theksoi Rama në prononcimin e tij për shtyp.
Duke i dhënë përgjigje pikave të raportit, që kërkojnë zhbllokimin e dialogut politik në Shqipëri, Rama ritheksoi kërkesën për hapjen e kutive dhe hetim të pavarur të zgjedhjeve të 28 qershorit, si kusht i panegociueshëm, dhe i vetmi që mund të zhbllokojë dialogun. “Ndajmë të njëjtin qëndrim se në thelb zgjedhjet nuk përmbushën standardet normale të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për BE. Vetëm hetimi parlamentar i pavarur nga qeveria i këtyre zgjedhjeve pa standarde, duke filluar nga hapja e kutive, është kushti i panegociueshëm që do të mund të zhbllokojë dialogun dhe të hapë rrugë për ndërmarrjen e reformave”, theksoi Rama.
Berisha
Duke iu përgjigjur kreut opozitar, kryeministri Berisha dje nga salla e Parlamentit vlerësoi punën e opozitës para zgjedhjeve dhe i bëri apel PS-së të kthehet në Parlament. “Sot Rama shprehu vlerësimin e tij për raportin, por uroj që ta lexojë në përputhje me të gjitha detyrimet që ka. Kreu i PS-së duhet të qëndrojë në lartësinë e detyrimeve që rrjedhin nga ky raport dhe të jetë pjesë e reformave”, apeloi Berisha. “Shfrytëzoj rastin këtu ta ftoj Ramën ta autorizojë partinë të vijë në Parlament, që të vazhdojmë bashkë reformën zgjedhore. E garantoj se kjo shumicë nuk do ta ndjejë veten të tillë, por do t’i japë opozitës zërin kryesor në këtë reformë”, premtoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›