E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BE, Meta: Opozita dëmton veten

 

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndeti dje progres-raportin e publikuar dy ditë më parë nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, të cilin e vlerësoi si “një dokument tepër të rëndësishëm, konstruktiv dhe konkret për inkurajimin e vendit tonë në procesin e integrimit evropian”. Gjatë një konference për shtyp, Meta vuri në dukje se, “progres-raporti skanon ecurinë e reformave në Shqipëri, duke bërë një vlerësim realist dhe objektiv”. Një nga pikat e rëndësishme që vlerësohet pozitivisht në këtë progres-raport, sipas ministrit të Jashtëm, “ka të bëjë pikërisht me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat u certifikuan nga OSBE/ODIHR-i si të suksesshme, duke arritur shumicën e standardeve ndërkombëtare”. Shefi i diplomacisë Meta u ndal edhe njëherë te nevoja e pranisë së opozitës në Kuvend për kryerjen e reformave që i duhen vendit për t’u integruar. “Në qoftë se opozita e kthen në një qëllim në vetvete bojkotin, me strategjinë për të paralizuar institucionet, do të bëjë gabim shumë të madh, për veten e saj në radhë të parë, do të marrë përgjegjësi të veçantë dhe lidhur me këtë proces integrues, ku gjithë shqiptarët presin të preken rezultatet konkrete që me liberalizmin e pritshëm të vizave, vendimi për të cilin ne jemi shumë optimistë që do të merret vitin e ardhshëm”, vijoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›