E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi lë jashtë punimeve KQZ-në dhe dosjet

16/01/2009  Konferenca e Kryetarëve nuk përfshin në punimet trijavore ngritjen e Komisionit dhe Autoritetit

Institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të ngrihet deri në 31 janar

Konferenca e Kryetarëve ka lënë jashtë kalendarit trijavor të punimeve të Kuvendit ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe të Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Të dyja projektet që parashikojnë procedurat për ngritjen e këtyre dy organeve, referuar datës së botimit në Fleton zyrtare, kanë hyr në fuqi. Ndërsa përbërja e tyre votohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Afati për ngritjen e KQZ-së është mesi i muajit të ardhshëm dhe deri atëherë në detyrë do të qëndrojnë anëtarët aktualë të KQZ-së.

KQZ-ja

Ligjvënësit shqiptarë duket se nuk janë nxituar në ngritjen dhe funksionimin e institucionit të ri që do të administrojë procesin e ardhshëm zgjedhor. Në mbledhjen e djeshme kryetarët e grupeve parlamentare kanë lënë jashtë punimeve të parlamentit ngritjen e KQZ-së deri në mesin e shkurtit, kohë kur konferenca do të përcaktojë programin e punimeve në vazhdim të Kuvendit. Ndërkohë që ligjvënësit, sipas detyrimeve që u lind nga Kodi i ri Zgjedhor, kanë afat ta ngrenë KQZ-në deri më 31 janar. Sipas Kodit, Kuvendi 30 ditë nga data e dekretimit të tij zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas përcaktimeve në nenin 14. Konkretisht: 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtari i pestë i KQZ-së dhe i gjashti zgjidhen nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare dhe pakicës parlamentar, përjashtuar PD-në e PS-në. Deri në emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së qëndrojnë në detyrë anëtarët aktualë të këtij institucioni.

Dosjet

Krerët kuvendor të partive parlamentare kanë rënë dakord të mos përfshijnë në punimet e Kuvendit edhe ngritjen e Autoritetit që do të bëjë verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve, edhe pse ligji për dosjet ka hyrë dje në fuqi. Kjo referuar botimit të tij në Fletoren zyrtare në fund të muajit dhjetor. Zvarritja e ngritjes së këtij Autoriteti lë jashtë verifikimit kandidatët e rinj për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009. Ndërkohë që referuar kohës së regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme në KQZ, Autoritetit i mbetet pak kohë në dispozicion që të ngrihet dhe të funksionojë për të verifikuar kandidatët e rinj për deputetë. “Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve”, - thuhet në ligjin e zgjedhjeve. Pikërisht pastërtia e figurës morale të ligjvënësve të rinj ka qenë shqetësimi kryesor i dy partive kryesore në vend, të cilat ngulmuan në përgatitjen dhe miratimin e një ligji të tillë. Neni për statusin dhe përbërjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave përcakton se ai është një organ i pavarur dhe në përbërje ka 5 anëtarë, të cilët propozohen: 2 nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe i pesti me konsensus. Në rast të mosdhënies së konsensusit nga opozita, 2 anëtarët e tij zgjidhen nga OJF-të. Ky propozim i mazhorancës u bë për të shmangur njëanshmërinë.

Subjekt i verifikimit do të jenë funksionarët të lartë publikë, të zgjedhur apo të emëruar të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë funksione kryesore, që nga Presidenti i Republikës deri tek drejtorët e gjimnazeve dhe të mesmeve tekniko-profesionale. Kush verifikohet i papajtueshëm me funksionet e parashikuara në ligj, duhet të japë dorëheqjen nga detyra e tij, çështja arkivohet dhe materiali verifikues mbetet kofidencial.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›