E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, Plani rregullues zgjon interesin qytetar

Nga Ermelinda Hoxhaj
Qytetaret kërkojnë të shohin se si do ndryshojë blloku i banimit ku ata jetojnë, lagjja ku bëjnë pjesë, por edhe gjithë qyteti i tyre që parashikon pavijoni i qelqtë 

TIRANE-Qytetarë të shumtë Tiranës kanë shprehur interesin e tyre për pavijonin e qelqtë në sheshin “Skënderbej”, ku po ekspozohet plani i ri rregullues i kryeqytetit. Ata kërkojnë të shohin se si do ndryshojë blloku i banimit ku ata jetojnë, lagjja ku bëjnë pjesë, por edhe gjithë qyteti i tyre. Sot është dita e pestë që ky pavijon vazhdon të jetë i hapur për publikun. Interesi i tyre është i dukshëm, pasi çdo ditë ky pavijon ka qenë i mbushur plot me qytetarë të interesuar për planin rregullues.
Qytetarët
Me gishtin nëpër hartat e varura në pavijonin në sheshin “Skënderbej”, gjyshja u tregon nipërve të saj se si do të jetë lagjja e tyre me këtë plan të ri. “Kam dalë me fëmijët e djalin, se është fundjavë dhe fëmijët duan të luajnë. Po shikonim shumë njerëz të mbledhur këtu, dhe fëmijët po më thoshin; çfarë është aty nëna, të shkojmë dhe ne. Nuk e dija faktikisht çfarë është, por ma sqaruan punonjësit e bashkisë, dhe tani jemi duke kërkuar lagjen tonë për të parë se cilat do të jenë ndryshimet që do bëhen”, - tregon Drita. Jo vetëm ajo, por edhe shumë qytetarë të tjera kanë vizituar pavijonin e ngritur posaçërisht për planin e ri rregullues. Shumica e tyre e kanë vlerësuar këtë nismë, pasi ata kanë mundësinë që të informohen më shumë rreth tij. “Po kërkoj nëpër harta lagjen time dhe të informohem për ndryshimet që do të bëhen. Por normalisht që gjithë plani i kryeqytetit më intereson, sepse është qyteti im. Plus që jam edhe student për Arkitekturë, dhe me pëlqen të shoh projektet e reja”, - tregon një tjetër vizitor i këtij pavijoni.
Pavijoni i qelqtë
Gjithkush që dëshiron të njihet me planin e ri rregullues të Tiranës mund të vizitojë pavijonin që është çelur në sheshin “Skënderbej”. Ditën e enjte të javës së kaluar, Bashkia e Tiranës ka ekspozuar të detajuar dhe të ilustruar planin rregullues në pavijonin publik të ndërtuar enkas për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës. Në këtë pavijon, janë të ekspozuara të gjitha fazat përmes të cilave ka kaluar plani i ri rregullues i Tiranës. Pavijoni i ndërtuar enkas për publikun, do t’u japë mundësi qytetarëve të shprehin opinionet e tyre, të konsultohen me detaje për planin, duke qenë se procesi i hartimit të planit rregullues u maturua pikërisht përmes mendimit, gjykimit dhe vizionit të vetë qytetarëve për të ardhmen e kryeqytetit, pas një procesi të gjatë konsultash, që Bashkia e Tiranës ndërmori me ta. Pavijoni i qelqtë u jep mundësi qytetarëve që të njihen me Tiranën e së ardhmes, të shprehin opinionin e tyre mbi vizionin e konkretizuar në këtë plan, në vijim të frymës së diskutimeve që u zhvilluan në njësitë bashkiake gjatë procesit të hartimit. Plani rregullues është një dialog në vazhdim, pasi do të ecet më tej me studimin e transportit të integruar, me studimin ekonomik hapësinor, me rishikimin e strategjisë për mjedisin, me planin vendor të gjelbërimit, me planin vendor të administrimit të mbetjeve urbane dhe me master-planet lokale të zonave. Gjithashtu, do të punohet më tej me dokumentet lokale të zhvillimit të këtyre zonave, duke filluar nga zonat prioritare në fazën e parë, si dhe me projektet teknike të skemës së rrjetit rrugor, që nis nga ai i Unazës, për të cilin puna tashmë ka filluar.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›