Rama, Mirelit: “Hapja e kutive, garanci për demokracinë”
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pier Mirel dhe ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Në këtë takim, që u diskutua në një atmosferë miqësore, kreu i opozitës ka bërë të ditur qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos hyrë në Kuvend derisa ky institucion të bëhet legjitim. Pas takimit Rama u shpreh për mediat se i kishte shprehur shqetësimin përfaqësuesit të KE-së në lidhje me gjendjen aktuale që ka ardhur pas manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama theksoi se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit është e vetmja garanci për demokracinë në Shqipëri. Kryesocialisti theksoi se vetëm hapja e kutive do të mundësojë rikthimin e legjitimitetit për Parlamentin, i cili, sipas tij, e ka humbur atë për shkak se buron nga votat e grabitura dhe zgjedhjet e manipuluara. “Ishte një diskutim miqësor. Një diskutim i hapur, mbi të gjitha, çështjet që na shqetësojnë. Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës. Ne nuk hyjmë në Parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që Parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen. Ndërkohë bëra edhe njëherë të qartë konceptin tonë të thjeshtë, se hapja e kutive është kushti themelor për t’i dhënë Parlamentit legjitimitetin e munguar dhe njëkohësisht për të mos lejuar që shëmtia e zgjedhjeve të shkuara të përsëritet dhe që Shqipëria të hyjë në një cikël, i cili do të ishte një skemë e mbyllur, ku pushteti numëron, pavarësisht se si voton populli”, - u shpreh Rama. Ndërkohë, pas takimit me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pier Mirel, nuk ka preferuar që të japë ndonjë koment për median.
27 Nentor 2009