E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu: Qeveria dhe opozita, konfliktet zgjedhore t’i zgjidhin në Kuvend

Parlamenti Europian miraton rezolutën për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit

Albert Gjoka

STRASBURG – Në këto ditë të nxehta politike në Tiranë, nga Strasburgu vjen mesazhi i qartë për qeverinë dhe opozitën, duke propozuar që konfliktet për zgjedhjet parlamentare t’i zgjidhin në Kuvend. Një kërkesë e tillë është artikuluar në rezolutën më të fundit që Parlamenti i Bashkimit Europian miratoi dje në Strasburg për strategjinë e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Ndonëse draft-rezoluta është shoqëruar me debate dhe pikëpamje të ndryshme mes të majtëve dhe të djathtëve europianë përsa u përket përplasjeve më të fundit në Tiranë, eurodeputetët kanë rënë dakord më në fund që palët ta gjejnë kompromisin në institucionin e Parlamentit. Kjo rezolutë jep sinjale pozitive përsa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Europian.
Propozimi
Parlamenti Europian u bën thirrje qeverisë dhe opozitës që të gjejnë gjuhën e përbashkët në Parlament për një analizë të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo është kërkesa që bëjnë eurodeputetët për politikën e Tiranës në këto ditë përplasjesh të mëdha mes maxhorancës dhe opozitës së drejtuar nga Edi Rama. Në pikën 27 të dokumentit të miratuar nga Strasburgu, që i dedikohet Shqipërisë, përcillen propozime konkrete për Shqipërinë, e cila sapo ka marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian dhe po përgatitet të plotësojë pyetësorin që do të dërgojë Komisioni për institucionet shqiptare. Rezoluta vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria që prej raportit të fundit të progresit, duke u ndaluar veçanërisht në procesin e lëshimit të kartave të identitetit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor. Ajo i bën thirrje opozitës për të mos bojkotuar Parlamentin dhe kërkon që ajo të kryejë detyrën e saj për të përfaqësuar votuesit e saj në Parlament. Po ashtu, dokumenti i miratuar nga europarlamentarët i bën thirrje qeverisë dhe opozitës “për të gjetur gjuhën e përbashkët në Parlament për një analizë të zgjedhjeve të fundit parlamentare që u mbajtën më 28 qershor të këtij viti, të cilat janë kontestuar pjesërisht nga opozita. Rezoluta vë në dukje se Shqipëria ka aplikuar për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe se Këshilli ka marrë vendim për të ftuar Komisionin që të përgatisë opinionin e vet mbi aplikimin e vendit. Ajo “inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformës në favor të progresit ekonomik dhe social të qytetarëve të saj, në mënyrë që vendi të mund të përparojë në rrugën e saj për anëtarësimin në Bashkimit Europian”.
Pro dhe kundër
Deri në miratimin e rezolutës për Ballkanin Perëndimor, eurodeputetët kanë pasur jo pak debate. Një gjë e tillë duket në propozimet për amendim të neneve të saj. Veçanërisht në lidhje me zhvillimet në Shqipëri ka pasur pikëpamje të ndryshme nga eurodeputetët. Zonja Doris Pak ka këmbëngulur që ky dokument duhet t’i dërgojë një mesazh të fortë opozitës shqiptare për të braktisur bojkotin. Socialistët europianë janë shprehur kundër disa pikave të draftit në bllokun e çështjeve për Shqipërinë.
Dy ditë më parë, eurodeputeti bullgar Kristian Vigenin ka depozituar amendamentin e tij që riformulonte atë propozim që kishte bërë më parë zonja Doris Pak. Por vetëm pak orë para hedhjes në votim të dokumentit, të majtët europianë në PE e kanë kundërshtuar. Pas ndryshimeve që u bënë dje, dy krahët politikë propozuan që Rama dhe Berisha t’i zgjidhin konfliktet zgjedhore në Parlament.
Kjo rezolutë përshëndet vendimin më të fundit të shefave të diplomacive të BE-së për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe inkurajon reformat që përshpejtojnë përshpejtimin e anëtarësimit të vendit në BE.

PE miraton strategjinë për zgjerimin

STRASBURG - Parlamenti Europian miratoi dje rezolutën për “Strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian”, në të cilën Këshillit të Ministrave i rekomandohet që të përfshihen vendet e Ballkanit Perëndimor, Turqia dhe Islanda. Strategjinë e zgjerimit të BE-së e ka hartuar Komisioni Europian. Komisioneri për Zgjerim, Oli Ren dhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së, konfirmuan gatishmërinë e Bashkimit Europian, që vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE, por me respektimin rigoroz të kushteve të parashtruara për qeveritë dhe institucionet e vendeve të rajonit. Shefi i Diplomacisë suedeze, Bildt, tha se edhe në rastin e Kosovës duhet të ecet përpara drejt përfshirjes së saj në Europë.

Bildt: Kërkesa e Shqipërisë, opinioni kërkon një vit kohë

STRASBURG – Komisioni Europian do të japë përgjigje në lidhje me kërkesën e bërë nga Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat për një periudhë 1-vjeçare. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, përfaqësuesi i Presidencës Europiane të BE-së, deklaroi dje në një seancë të Parlamentit Europian për zgjerimin se gjatë këtij viti janë pranuar aplikimet për anëtarësimin e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Islandës. “Aplikimet e Malit të Zi dhe të Shqipërisë i kanë kaluar Komisionit Europian dhe unë shpresoj se ai do të jetë në gjendje që brenda një periudhe 1-vjeçare të japë mendimin e tij”, - tha kryediplomati suedez. “Ambicia jonë është të ndihmojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara në proces dhe shpresoj se do të ketë disa përparime për shumicën e vendeve nga fundi i vitit”, - u shpreh Bild.
Të njëjtën gjë tha dy ditë më parë në një intervistë televizive edhe Pier Mirel, duke përcaktuar si afat kohor për dhënien e opinionit nga Komisioni Europian në lidhje me kërkesën e Tiranës, të paktën një vit. Kryeministri Berisha deklaroi se qeveria e tij do t’i përgjigjet në kohë rekord, brenda 2-3 muajsh, pyetësorit me rreth 2000 çështje që do t’i dërgojë Tiranës zyrtare Komisioni Europian.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›