E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Nano, negociatat të hapura

04/02/2009  Priten ofertat dhe kushtet e ndërsjella për të arritur në një konkluzion

Bashkëpunimi paraelektoral mes ish-kryetarit dhe ekipit të ri socialist ende pa rezultat

Shfaqen sinjalet e para mbi zhvillimet e reja brenda kampit rozë. Protagonistët kësaj radhe janë ish-kryetari socialist Fatos Nano dhe ekipi aktual drejtues i Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën. Afrimi i fushatës elektorale me sa duket sjell me vete dhe domosdoshmërinë e eliminimit të çdo kontradikte brenda radhëve të socialistëve, duke u shfaqur si një parti sa më kompakte. Në këtë kuadër, lidershipi i PS-së ka ndërmarrë një nismë, përmes së cilës kërkon angazhimin e gjithë ish-drejtuesve të lartë dhe ish-përfaqësuesve të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror. Madje, jo pak ish-personalitete të kësaj partie në kohën kur ajo drejtohej nga ish-lideri socialist Nano kanë pranuar ofertën e ardhur nga kupola rozë për të bashkëpunuar me strukturat aktuale në kuadër të fushatës elektorale mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Por deri tani pothuajse gjithçka shfaqet si e kuptueshme dhe e qartë për këtë kategori aktorësh apo faktorësh të Partisë Socialistë. Ndërkohë mbetet pothuajse e paqartë roli dhe kontributi që ekipi i ri drejtues kërkon të marrë nga ish-lideri socialist Fatos Nano. Aktualisht, edhe pse jo në mënyrë zyrtare, bëhet me dije se ish-kryetari socialist Fatos Nano do të qëndrojë i tërhequr deri në çastin që lidershipi i PS-së të zbardhë planin karshi paraardhësit të Ramës. Në varësi të asaj çfarë do t’i ofrohet varen negociatat mes Nanos dhe Ramës. Kur lidershipi i PS-së do të ulet në bisedime me ish-kryetarin Nano, ky i fundit do të vendosë kushtet mbi të cilat do të pranohet bashkëpunimi elektoral mes palëve. Nëse palët nuk arrijnë të bien dakord, mësohet se ish-lideri socialist Nano nuk do të ofrojë mbështetjen e tij për kreun socialist Rama gjatë fushatës elektorale. Gjithashtu bëhet me dije se, edhe pse mund të ketë një tërheqje të ish-kryetarit nga kjo fushatë, kjo do të jetë vetëm një mospjesëmarrje në takimet elektorale dhe nuk pritet një lëvizje e ndërmarrë nga ish-kryetari Nano dhe mbështetësit e tij për të dëmtuar Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë, aktualisht pritet të përzgjidhen negociatorët që do të mundësojnë zhvillimin e negociatave mes palëve, për të dalë më pas në një përfundim konkret. Por ajo që tashmë është e vendosur, lidhet pikërisht me faktin se ish-lideri socialist do të jetë i pranishëm përkrah ekipit drejtues të Partisë Socialiste vetëm nëse do të marrë miratimin për kushtet e vëna ndaj kreut aktual Edi Rama. Kësisoj ende nuk dihet nëse do të kemi një rikthim aktiv të ish-kryetarit Nano në politikë, pasi deri tani prania e tij ka qenë vetëm në Kuvend, dhe kjo në intervale kohore relativisht të gjata. Sikundër dihet, marrëdhëniet mes ish-kreut Nano dhe atij aktual Rama pësuan një goditje të rëndë pas zhgënjimit që mori ish-lideri socialist në garën për postin e kreut të shtetit në vitin 2007. Dihet se pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme korrik 2005 Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i PS-së, duke iu afruar kësaj partie në negociatat me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në korrik 2007. Por edhe pse Nano arriti të marrë firmat e deputetëve për të qenë kandidat për kreun e shtetit, Nano nuk u mbështet nga kreu aktual socialist Edi Rama, ndërsa deputetë mbështetës të tij dhanë votën e tyre për kandidaturën e Bamir Topit, duke e zgjedhur president të vendit.

PS-Qeveri, përplasje për “Ullishtet”

Rama: Projekti është një tjetër skemë korruptive e Kryeministrit Berisha

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama lëshoi një sërë akuzash dhe kritikash në adresë të Kryeministrit Sali Berisha. Kësaj radhe ishte pikërisht projekti i qeverisë “Shqipëria ullishte” që solli një reagim të ashpër të kryetarit Rama. Sipas tij, ky projekt është një tjetër skemë korruptive në favor të familjes Berisha dhe miqve të tij. “Kemi të bëjmë me një skemë të madhe korruptive të radhës së një kryeministri që me fatet e Shqipërisë dhe pasurive të saj natyrore e publike po bën kërdinë për interesat e oborrit të tij. Këshilli i ministrave më 21 janar 2009 vendosi të realizojë studimin për ullirin, në mënyrë që pas tij të shpallë dhe interesin për dhënien me koncesion e nga ana tjetër një vit më parë, më 16 janar 2008, del se Këshilli i Ministrave ka filluar procedurën për dhënien me koncesion të një toke shtetërore me sipërfaqe 1000 hektarë në Synei, Luz të Vogël, Kryevidh e Gocë të Kavajës për kultivimin e ullirit me çmimin 1 euro”, - vlerësoi kreu socialist. Si për t’i mëshuar më tej këtij qëndrimi, Rama shtroi disa pyetje për Kryeministrit Berisha, duke u shprehur: “Mos vallë 1000 hektarët janë dhënë me çmimin 1 euro? Mos vallë ato i janë dhënë pikërisht firmës ‘Agrotal’ apo një versioni të saj? Sali Berisha thotë se do të mbjellë 1500–2000 rrënjë për hektar me çmimin 1 euro të dhëna pa asnjë procedurë konkurrimi në prag të zgjedhjeve parlamentare për një skemë të re dhe të stërmadhe korrupsioni.” Si për të dhënë një kuptim më të plotë deklaratës së tij, Rama zgjodhi sfondin e një ullishteje te diga e Liqenit në Tiranë. “Këto kodra të kthyera në kodra betoni pa asnjë kusht normal për jetesën e njerëzve, si dhe të gjitha zhvillimet e tjera jashtë vijës së verdhë të unazës së madhe nuk janë zhvillime të lejuara nga Bashkia e Tiranës, por janë pjesë e atij zhvillimi barbar që gjatë këtyre viteve ka degraduar hapësira mes qyteteve”,- deklaroi Rama. Për këtë arsye kreu i PS-së i bëri apel Berishës që ta ndalojnë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj skeme korrupsioni me dhurimin e tokave shtetërore miqve të tij dhe familjarëve të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›