E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Në Amerikë folëm për programin e PS, nuk u përmend Berisha”

23/03/2012  Rama, intervistë në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës

Kryetari i PS-së Edi Rama në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në emisionin “Top Story”, ka folur në lidhje me vizitën e tij në SHBA. Sipas Ramës, në këto takime u diskutua në lidhje me rogramin e PS-së, zgjedhjet e ardhshme, si dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat Atlantike. Rama shprehet gjatë intervsitës së tij dhe për përfshirjen e Harasanit në delegaconin në SHBA, apo qëndrimet e fundit të deputetit të PS-së Ben Blushi

Mirëmbrëma Zoti Rama. Riktheheni në vend në ditën e festës së 20-vjetorit të Partisë Demokratike Shqiptare. Çfarë komenti do të kishit rreth festës?

Nuk e di se çfarë kanë menduar kur panë fishekzjarrët pensionistët që presin prej disa ditësh që të marrin pensionet nëpër sportele. Përjetova një ndjenjë negative që të shohësh që Shqipëria e 100-vjetorit bën një festë përçarëse, një festë tipike për ato vende ku partia në pushtet qëndron e palëvizshme nga pushteti.

A pati vizita juaj në Uashington dhe Nju Jork një rëndësi të veçantë?

Është e rëndësishme pasi vendosëm një gur të mëtejshëm në themelin e bashkëpunimit dhe krijuam kushte edhe më optimale për një komunikim të vazhdueshëm me atë që është partneri ynë kryesor strategjik, partner që mbështet Shqipërinë, popullin shqiptar dhe si të tillë SHBA-të janë të patjetërsueshëm për ne.

Vizita juaj në SHBA ishte një vizitë e pritur me shumë interes, edhe sepse përpara nisjes dhatë pak detaje. Shumica e detajeve kanë ardhur nga “Twitter”, për mbipërdorimin e të cilit jeni ironizuar shpesh edhe nga Kryeministri Berisha.

E përdor “Twitter” pasi ai është një mjet komunikimi që e ka sjellë koha, efikas, pa kosto. Të lë mundësinë të thuash në kohë reale të gjithë mesazhet që ke nevojë të përcjellësh dhe që falë interesimit të mediave përcillen në të gjitha kanalet e komunikimit me publikun. Është një mjet që përdoret nga shumë politikanë shumë më të rëndësishëm, si Obama dhe Sarkozy, prandaj mendoj se Kryeministri bën gabim që e sulmon, sidomos pasi mund t’i duhet ta përdorë më vonë.

Interesi i publikut për vizitën tuaj në SHBA lidhet ngushtë me takimet që patët në Departamentin e Shtetit. Kë takuat dhe çfarë u bisedua në këto takime?

Në vizitën në Uashington dhe Departamentin e Shtetit, u takuam me Zvs/ndihmës Sekretarin e Shtetit, Zotin Riker, stafin e tij si dhe me një grup kongresmenësh që këmbyem mendime dhe opinione shumë të rëndësishme për sa i përket gjendjes në Shqipëri dhe programit tonë për një Rilindje Shqiptare, që konstatova me kënaqësi se ka ngjallur interes dhe shpjegohet në çfarë konsiston dhe çfarë politikash të reja duhet të jetësojmë për transformimin që kemi në plan të kryejmë.

Por, cili ishte qëllimi kryesor i këtyre takimeve? Nëse i ftuar do të kishte qenë një funksionar, kjo do të ishte e natyrshme, por një lider opozite është paksa e veçantë.

Nuk do ta konsideroja ftesën si anormale. Ishte thjesht një dëshirë e mirë e Uashingtonit për të dëgjuar opozitën dhe për të këmbyer opinione lidhur me çështje se si e shikon opozita të sotmen dhe të nesërmen e vendit, se cili është vizioni ynë për Shqipërinë, për rajonin dhe partnertitetin strategjik me SHBA, dhe të gjitha këto në funksion të një integrimi sa më të shpejtë në BE.

Çfarë biseduat dhe çfarë paraqitët diçka që Departamenti i Shtetit nuk e dinte nga ambasada dhe rrjeti i tyre në Shqipëri?

Pa dyshim që në Uashginton është e vështirë të ketë gjëra që ata nuk e dinë rreth politikës, zhvillimeve dhe palëve të përfshira në këtë betejë.

Por, nëse të thërrasin në Uashington nuk ndodh sepse duan të të japin një dush. Ftesa është një moment historik për Partinë Socialiste dhe për kohën, po kaq rëndësi pati në 1996 një vizitë e atëhershme, me krerët e atëhershëm të socialistëve, Pëllumbi dhe Islami, pas zgjedhjeve të maj 1996.

Vlerësoj se është një moment i rëndësishëm për opozitën kontakti i drejtëpërdrejtë i Qeverisë Amerikane që janë drejtëpërdejtë përgjegjës për rajonin dhe Shqipërinë, një takim shumë i çmuar dhe shumë frymëzues për ne.

E rëndësishme për të gjithë opinionin është edhe klima me të cilën u pritët në SHBA. Në vizitën e 1996-s ekzistonte një klimë e caktuar dhe ajo ishte vizita e parë e një partie post-komuniste në Uashington, çka bëri lajm.

Më duhet të them që gjetëm një klimë dhe mikpritje të shkëlqyer, një dëshirë shumë të lexueshme për të na dëgjuar deri në fund lidhur me të gjitha aspektet e rëndësishme të jetës së vendit, sidomos lidhur me mënyrën se si e shohim të ardhmen dhe se si ne mendojmë që ta projektojmë atë bazuar mbi programin tonë dhe në vullnetin tonë për ta qeverisur Shqipërinë sa më mirë.

Në intervistën e Zërit të Amerikës thatë që SHBA është partneri ynë strategjik i parë dhe i padiskutueshëm. Pak kohë më parë, Arvizu foli për qëndrime thelbësisht të kundërta, lidhur me disa pika, përfshi 21 janarin. A u sheshua kjo diferencë qëndrimesh në takimin tuaj me Zotin Riker?

Në takimin që patëm në Department nuk patëm asnjë diferencë qëndrimesh dhe nëse mund të them diçka për takimin që u zhvillua pa praninë e mediave, është fakti që viti 2011 nuk duhet të përsëritet më, si një vit që ishte traumatik duke filluar nga tragjedia e 21 janarit dhe duke vazhduar me zgjedhjet shumë të kontenstuara dhe njëkohësisht edhe shumë të diskutuara më 8 maj. Nuk folëm për detaje konkrete, por shprehëm vullnetin që gjërat të rikthehen në rrugën e duhur, një rrugë ku nuk kanë qenë që prej anëtarësimit në NATO.

Sa mbështetje gjetët ju për këtë vizionin tuaj për drejtiminin e duhur të Shqipërisë?

Unë nuk mund të bëj spekulim lidhur me një takim të këtij niveli dhe për më tepër me miq dhe partnerë që kanë një rëndësi të dorës së parë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por mund të them pa droje se u dëgjuam në shumë aspekte dhe me shumë vëmendje.

Mund të themi që SHBA njeh formalisht dhe zyrtarisht platformën tuaj për të ardhur në pushtet?

Nuk besoj se SHBA ka pasur ndonjë moment që ata të kenë njohur apo mosnjohur në kuptimin pezhorativ të fjalës një forcë apo një tjetër apo të drejtën e secilës forcës për të qeverisur Shqipërinë. Përsëris që SHBA nuk është aleat i ndonjë partie, por i popullit shqiptar.

Opinionistët mendojnë se një rotacion politik nuk ndodh pa konsensusin e ndërkombëtarëve. A mendoni se vizita juaj do të ndihmojë që Uashingtoni të ketë një opinion më të mirë për ju dhe partinë tuaj?

- Partneriteti me SHBA-në ka qenë i mirë. Gjërat jaë thënë hapur dhe në mirëbesim. Mënyra se si SHBA i është qasur Shqipërisë është e vetmja mënyrë që mund të ketë një fuqi madhore që ka luajtur rol historik për ne. Pa SHBA-në rajoni nuk do ishte ky që është sot.

Morët këshilla lidhur me aksionin politik të PS?

Ne shprehëm vizionin tonë, folëm për mënyrën se si ne e shohim të tashmen dhe të ardhmen dhe ishim dakord se rruga që po ndjekim është ajo e duhura dhe po përshëndetet nga faktori ndërkombëtar.

A jeni ju një plan i besueshëm për SHBA edhe në kuadër të stabilitetit evropian?

Rajonalisht SHBA dhe Shqipëria janë një kështu që edhe po të shohim historinë e këtyre viteve politika jonë ka pasur unison me politikën amerikane dhe kjo gjë do të vazhdojë gjatë. Politika jonë është shprehje e përkatësisë së popullit shqiptar ndaj vlerave amerikane.

Kush është qëndrimi amerikan për Presidentin?

Amerika dëshiron që Shqipëria të kapërcejë procesin e zgjedhjes së Presidentit si një provë pjekurie që t’i japë vendit një figurë të unitetit kombëtar. Edhe për BE zgjedhja e presidentit do të jetë një mënyrë për të provuar pjekurinë e Shqipërisë.

Në Uashington a folët për Berishën? A ishte Berisha ende burrë shteti atje?

Nuk folëm për Kryeministrin, por për programin tonë, vizionin tonë për të ardhmen, mënyrën se si e shohim të mundshme që Shqipëria të ringrihet dhe rikthehet në rrugën e vlerave që mishëron SHBA. Bëmë të qartë vullnetin tonë për ta qeverisur Shqipërinë si partnere të SHBA në të gjitha frontet ku aleanca me të na përfshin, por edhe për të qenë një qeveri që do të mishërojë një qeveri në funksion të një shteti në shërbim të të gjithëve. Për një politikë që të mbyllë kapitullin e ndasisë së gjatë dhe të këtij mllefi të pafundëm që gjeneron energji negative dhe për t’i hapur rrugën një politike të re, një qasje të re, raport të ri mes qytetarit dhe qeverisë”.

Mllef ku keni dhe ju kontributin tuaj…

Është e vështirë në një arenë si kjo e jona, kur pala tjetër ka zgjedhur të sundojë, jo të qeverisë, përmes një lufte me opozitën, t’i shpëtosh asaj që quhet një përbaltje e përgjithshme. Me pak vëmendje, dallimi është shumë i qartë. As unë as Partia Socialiste nuk kemi rënë në batakun e vulgaritetit të shpifjeve dhe sharjeve që nuk janë as në traditën e shqiptarëve.

Pas vizitës a e sheh Partia Socialiste me afër pushtetin?

Besoj se kjo vizitë na shërbeu për të paraqitur nga shumë afër atë që ne jemi; si një forcë e angazhuar për ta rilindur Shqipërinë, rimëkëmbur ekonominë, për ta rivendosur demokracinë, ripërtërirë shoqërinë dhe për ta bashkuar Shqipërinë me Evropën.

Patët takime me studentët shqiptarë. Organizatorët thanë pas takimit se ishte zhvilluar në një atmosferë entuziazmi më mirë nga ç’pritej. Pse ka paragjykime ndaj projektit tuaj personal dhe politik si lider i Partia Socialiste? Çfarë duhet të bëni më shumë për ata që s’janë dakord?

Investohet jashtë mase shumë për të zhvilluar një propagandë të shfrenuar kundër Partisë Socialiste, kundër opozitës, kundër meje, duke mos kursyer asnjë lloj shpifje. Sali Berisha nuk flet dot para shqiptarëve për t’u treguar duart e pastra. Në mandatin e parë u premtoi shqiptarëve duart e pastra, sot kjo qeveri i ka duart e zhytura në batakun e llumit. Sot Berisha i thotë qytetarëve që djalli që ju njihni është me keq se ai që nuk njihni, pra ne jemi të korruptuar, por ata janë më shumë se ne. Tek takimi me studentët përreth 2 orë pati mbi 50 pyetje. Bënë pyetje që lidheshin me zgjidhjet, me detaje ç’është programi ynë për një rilindje shqiptare, ku dallojmë ne në politikat tona me qeverinë, na dhanë mundësinë të shpjegohemi drejtpërdrejt, për t’u treguar se ne duam një punësim real, jo rritje të papunësisë, duam taksë progresive, jo taksë të sheshtë, duam zhvillim rural modern, jo braktisje të fshatit, duam rilindje shqiptare përkundër rrënimit që propozon si alternativë Partia Demokratike dhe qeveria e sotme. P.sh në shëndetësi, shteti do të blejë shërbimin e do ta ofrojë atë tek qytetarët pa dallim, një sistem taksimi të ndershëm për të gjithë ata që marrin një pagë të mesme nga i cili edhe biznesi do të përfitojë më shumë edhe pse do të paguajë më shumë, sepse do të ketë një konsumator më të fuqishëm dhe mjedis më stabël.

Diçka që ka bërë përshtypje nga kriza e paszgjedhjeve në Tiranë është fakti që SHBA, publikisht së paku nuk kanë qenë aq të ashpër saç kanë qenë partnerët tanë europianë. A u fol për zgjedhjet në këtë takim?

Ishim tërësisht në një mendje që 2011 është një vit që nuk duhet të përsëritet në të gjithë kompleksitetin e saj. Është një vit që ka kushtuar shumë jetë njerëzish të pafajshëm, por edhe zhgënjim të thellë të qytetarëve shqiptarë ndaj votës e të partnerëve tek qeveria… Për këtë arsye, reforma zgjedhore, nga partnerëet amerikanë, ashtu si ata europianë, shihet si një moment kyç, nga i cili duhet të jepet garanci popullit shqiptar se vota e tyre do të jetë e sigurt dhe që shprehja e vullnetit nuk do të cenohet si në të shkuarën?

A u lidhët në vizitën tuaj në Uashington me zotin Arvizu dhe cila ishte merita e tij në këtë vizitë që ai vetë e shpalli dhe përveç kësaj, a ka patur një lobim tjetër ekstra për vizitën tuaj në Uashignton?

PS nuk ka asnjë kontratë lobingu pasi i besojmë kontaktit të drejtëpërdrejtë dhe na mjaftojnë lidhjet që kemi me kongresmenë dhe senatorë, që janë njerëzit e interesuar për Evropën, rajonin etc… Ftesa u bë nga ana e SHBA, prandaj nuk kishte nevojë për lobim. Ambasadorit Arvizu i shpreh mirënjohjen sepse ishte katalizator i realizimit të shpejtë të takimit, por nuk u takuam fikizkisht, për arsye familjare, ai ndodhej diku jashtë Uashigtonit, në Kolorda, por kemi qënë në kontakt të vazhdueshëm dhe ka qenë i kujdesur që gjithçka të shkojë mirë.

A patët mundësi të takoheshim me Withers në këtë vizitë?

Ai është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe është për të ardhur keq që një pjesë e vogël e njerëzve në Shqipëri, ata që janë në një elitë pushteti, nuk e respektojnë si një amerikan që ka lënë gjurmë dhe që do të mbahet mend me respekt nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë qenë në kohën kur ai ka ndodhej këtu… Withers ka përcjellë mesazhet e drejtëpërdrejta ndaj secilës palë, në funksion të diçkaje që SHBA mbështet popullin shqiptar dhe nuk janë aleat i një pale politike në pushtet, por aleat të Shqipërisë dhe popullit dhe për këtë janë shumë kërkues ndaj atyre që qeverisin dhe atyre që janë në opozitë.

A gjeni një fije që bashkon vizitën në kryeqytetin e SHBA-ve të Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Kreshnik Spahiut?

Unë do të bëja komente nëse do të kishte shkuar Berisha në Uashington. Të tjerët janë të lirë të shkojnë ku i ftojnë apo ku janë paftuar. Kjo është një çështje për të cilën nuk kam arsye dhe dëshirë të spekuloj.

Në delegacionin tuaj në SHBA ishte edhe deputeti Harasani. Është vendosur paqe edhe me të?

Ne nuk kemi patur ndonjëherë luftë në PS. Ishte një periudhë e rëndë kur duhet të silleshim si rezistencë opozitare për shkak të grabitjes së zgjedhjeve dhe mënyrës se si u soll qeveria, që nuk lejoi as hetimin e zgjedhjeve, jo për të rrëzuar qeverinë, por për të mos lejuar përsëritjen. Vjedhja e zgjedhjeve në dritë të diellit në maj 2011 i dha fund atij qëndrimi, pasi protestat tona intensive kishin si qëllim që ne të dëgjoheshim dhe të gjithë ndërkombëtarët të kuptonin që ka diçka që nuk funksiononte në themel demekoratik dhe sot nuk ka partner që mos ta dijë që problem qëndron tek zgjedhjet dhe se ky është çelësi për të ecur përpara. Ne kemi hyrë në kursin tonë politik të ri si një alternativë qeverisëse, për të dhënë programin më të detajuar që një parti ka paraqitur në 20 vite, për t’I dhënë atyre një kontratë që do të kenë vetë në dorë.

Ben Blushi ka folur me të njëjtën gjuhë në mungesë tuaj, pra ka një konvergjencë. Por, gjatë mungesës suaj, publikoi një artikull në të cilin e sheh Partinë Socialiste në një korsi disi më të ndryshme, më të majtë nga ajo që ju propozoni.

Nuk e kam takuar Benin, do ta takoj nesër pasi është pjesë e strategjisë së komunikimit të PS dhe kemi disa kohë që po përpunojmë strategjinë edhe në funksion të vlerave që ne përfaqësojmë si një forcë e qendrës së majtë, si një e majtë e re. Në kushtet e reja të kohës që jetojmë besoj se fjala platformë është një spekulim gazetaresk, pasi është e gjitha shprehje e një procesi që e kemi iniciuar dhe jemi angazhuar për të bërë të mundur që mesazhi të përcillet qartë që rilindjen, që qytetarët ta përceptojnë si një program real dhe jo vetëm një titull të bukur në një kopertinë.

Megjithatë, zoti Blushi mbajti një qëndrim të ndryshëm përsa i përket Kodit Penal dhe në fund, u duk se i gjithë grupi parlamentar i PS i shkoi pas qëndrimit të tij. Çfarë ndodhi? Ishte një qëndrim spontan apo i organizuar?

Ne ishim të angazhuar si me të gjithë kodet e tjera që ta përmirësonim në disa pika nevralgjike dhe praktikisht arritëm të futim në kod disa masa jashtëzakonisht të rëndësishme, duke nisur nga ndëshkimi më i rëndë i manipulimit zgjedhor, tek dhuna në familja dhe një sërë masash të tjera të domosdoshme edhe në kuadrin e procesit të afrimit të legjislacionit me BE-në. Në një pikë ku ishim të ndjeshëm dhe jo për arsye partiake, ishte ajo e statistikave, ku hasëm shumë rezistencë, që vazhdoi deri në pikën tjetër. Konstatuam nga pala tjetër që e dëshironte rrëzimin e kodit, për të vazhduar me alibinë e bllokimit të vendit nga opozita. Sidoqoftë, ajo që ju patë ishte një taktikë për të marrë më të mirën e mundshme, pasi në asnjë moment nuk ka qenë në diskutim votimi apo jo i kodit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›