E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet lirimi i Luan Marës, gjykata e rrëzon

25/05/2011  Mbahet në gjykatën e Beratit seanca e parë. Prindërit: Djali ynë nuk është vrasësi

BERAT- Gjykata e rrethit gjyqësor në Berat vendosi të rrëzojë kërkesën e palës mbrojtëse për lënien të lirë të Luan Marrës, i akuzuari për tragjedinë e Kozarës, disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të cilësojë si antikushtetuese tre vendimet e dhëna nga gjykatat për dënimin e tij me burg të përjetshëm në bazë të pavlefshmërisë së provave të paraqitura nga akuza për dënimin e tij. Vendimi që riktheu për gjykim çështjen Marra u mor nga Gjykata Kushtetuese me numër 14 që mban datën 03.05 2011, në bazë të së cilës çështja do të rigjykohet në gjykatën e rrethit gjyqësor në Berat, pasi tre vendimet e dhëna e gjykatës së rrethit gjyqësor Berat e datës 23.05.2008 me numër 107, vendimi me numër 117 të datës 03.03.2009 të Gjykatës së Apelit në Vlorë dhe vendimi me numër 760 që mban datën 24.06.2010 janë konsideruar antikushtetuese, pasi kanë dhënë dënimin mbi dy prova të konsideruara si antikushtetuese.

Seanca

Pas vendimit të dhënë nga Kushtetuesja, çështja mbërriti dje në gjykatën e rrethit gjyqësor në Berat ku pala mbrojtëse e Luan Marrës, e përfaqësuar nga avokat Alban Bengasi kërkoi lirimin e menjëhershëm të të akuzuarit Mara duke i kërkuar trupit gjykues të përbërë nga Erjol Koçi, kryetar i trupit gjykues, revokimin e "masës së sigurisë" nga "arrest në burg" në gjendje të lirë. Seanca për këtë çështje nisi rreth orës 10:30 të paradites së djeshme ku ka vazhduar rreth tre orë, seancë e cila është zhvilluar me marrjen e dy vendimeve të rëndësishme për këtë çështje. Pala mbrojtëse nëpërmjet avokatit Bengasi që në nisje të seancës i kërkoi trupit gjykues lënien e lirë të të akuzuarit, duke paraqitur një raport të detajuar rreth shkaqeve mbi të cilat ai kërkoi revokimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në gjendje të lirë. Sipas palës mbrojtëse, Gjykata Kushtetuese ka cilësuar si antikushtetuese provat mbi të cilat është dënuar Mara, të cilat janë procesverbali i marrjes në pyetje të të akuzuarit dhe eksperimentimi hetimor pas ngjarjes. Këto dy prova, të vetme sipas organit të akuzës u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, vendim pas të cilit pala mbrojtëse kërkoi lirimin e të akuzuarit. Por, këtë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë e kundërshtoi organi i akuzës duke i konsideruar provat ndaj tij si të ligjshme, ndërsa më pas u rrëzua dhe nga gjykata nëpërmjet kryetarit të trupit gjykues, Erjol Roshi. Pas këtij momenti pala mbrojtëse kërkoi të rrëzohen si të pavlefshme provat e paraqitura nga organi i akuzës, të cilat i rrëzoi Gjykata Kushtuese. Por, dhe këtë kërkesë të bërë nga pala mbrojtëse për rrëzimin e provave atë të procesit të marrjes në pyetje dhe eksperimentimin hetimor gjykata i rrëzoi pas kërkesës për rrëzim nga akuza. Por, në lidhje me vijimësinë e këtij procesi gjyqësor organi i akuzës nëpërmjet prokurorit Artian Bejo u shpreh se i kërkon kohë gjykatës për paraqitjen e provave të reja, por dhe për t’u njohur më mirë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo kërkesë u shoqërua me kundërshtimin e palës mbrojtëse nga avokati Bengasi, sipas të cilit Prokuroria nëse do të kishte provat e reja do të kishte paraqitur gjatë këtyre pesë viteve, ndërkohë që e cilësoi si të paligjshme mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e prokurorit. Bregasi u shpreh se klienti i tij duhej të ishte lënë i lirë ditën e djeshme, pasi provat mbi të cilat akuzohej janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Mos ndryshimin e masës së sigurisë dhe rrëzimin e provave të rrëzuara më parë nga kjo gjykatë Bengasi e cilësoi po kaq antikushtetuese dhe për të gjitha këto do të kërkoj gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë.

Prindërit

Ndryshe nga herët e tjera në proceset gjyqësore të mëparshme, në mesditën e djeshme pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor të Beratit kanë qenë të pranishëm në ambientet e jashtme edhe prindërit e Luan Marës i akuzuar për vrasje të katërfishtë, tragjedi kjo e ndodhur 5 vjet më parë në Kozare të rrethit të Kuçovës. Të kontaktuar nga gazeta dy prindërit e të akuzuarit Luan Mara Shefqeti dhe Bajamja thanë për gazetën se jemi në pritje të vendimit të gjykatës, pasi shpresojmë që ai të lirohet tani. Po sipas pohimit të tyre, djali i tyre Luani nuk është vrasësi, për ta dikush tjetër është vrasësi dhe që është shteti që duhet të flasin në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›