E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Ngjela, takim kokë më kokë për zgjedhjet e qershorit

 

Kreu socialist në detyrë, Edi Rama, takoi dje ish rivalin e tij për Bashkinë e Tiranës në 2003, Spartak Ngjelën. Takimi u zhvillua në një nga lokalet luksoze tek “Kullat Binjake” në qendër të kryeqytetit, ndërsa mësohet se të dy bashkëbiseduesit janë fokusuar te transparenca që duhet t’u bëhet zgjedhjeve të 28 qershorit. Ashtu si dhe Rama, avokat Ngjela është shprehur në deklarimet e tij mediatike, për një deformim të procesit zgjedhor në 28 qershor. Pas takimit, Rama dhe Ngjela nuk kanë preferuar të bëjnë transparent takimin dhe temën e bisedës së tyre, dhe pse kërkojnë vazhdimisht transparencë në proceset politike. Pak ditë më parë Ngjela është shprehur në një emision televiziv se do të bashkëpunonte me Edi Ramën për të zgjidhur çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, raporti i OSBE-ODIHR-it, me vërejtjet që cilësonte, rrëzonte zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Për Edi Ramën ky është rasti i dytë kur ai kërkon bashkëpunëtorë brenda të djathtës në mbrojtje të kauzës së tij për rinumërimin e votave, kur vetëm pak kohë më parë ai u takua në Partinë Socialiste me kryetarin demokristian Nard Ndoka, të cilët kanë mbetur jashtë parlamentit. Pak para se të shpallte kushtet për bojkotin e Parlamentit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, kreun e PDS-së Paskal Milo dhe kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, rreth situatës politike në vend. Pas takimit, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi se synimi janë zgjedhjet e parakohshme, por ato duhet të jenë sipas standardeve. “Një parti serioze opozitare, përfshi PSD, PS apo kushdo qoftë, çdo parti që me seriozitet dhe objektivitet ka denoncuar këto zgjedhje është krejt normale që si hap të parë të mos pajtohet me këto institucione të ngritura dhe të kërkojë transparencën, atë transparencë që s‘arriti ta vendosë as KQZ as Kolegji Zgjedhor”, u shpreh Gjinushi. Sipas tij, dihet që zgjedhjet denoncohen kudo publikisht, duke kujtuar këtu rastin e zgjedhjeve të Iranit, ku ka dalë në protesta apo në Ukrainë ku kanë dalë me prova në duar. “Zgjedhjet janë perceptim, janë një mori faktesh dhe zgjedhjet janë cenuar që nga mungesa e kartave, pushtimi i televizionit shtetëror e shumë fakte të tjera që janë të mjaftueshme për të vënë në diskutim një rezultat të ngushtë zgjedhor. Siç e dini mandatet u ndanë 70 me 70 dhe me rezultat 70 me 70 çdo cenim ndryshon krahun e pushtetit. Nuk është si në vitin 2005, pa harruar që në 2005 humbi ai që gaboi”, është shprehur Gjinushi pas takimit me Ramën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›