Borchard: Dialog në Parlament
BLEDAR HOTI
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchard i bën thirrje maxhorancës dhe opozitës për të zhvilluar dialog politik në procesin e reformave në Shqipëri. “Ne së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë të BE, u kemi rekomanduar partive politike në Shqipëri një dialog politik konstruktiv, vetëm kështu mund të zgjidhen problemet e identifikuara nga ODIHR. Për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve nevojitet shumicë e cilësuar në Parlament, kjo vlen edhe për fushat e tjera të rëndësishme, në të cilat BE pret edhe reforma të mëtejshme, si për shembull reformat në drejtësi”, tha ambasadori gjerman për Tv Klan. Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve vlerësimi i Bernd Borchard-it është se “procesi i 28 qershorit shënoi progres dhe probleme”. “Raporti ka treguar progresin e bërë, por edhe problemet e mbetura për zgjidhje. Ka treguar që Shqipëria ende nuk i ka përmbushur ende standardet.
Procesi zgjedhor sipas raportit quhet i përfunduar. Tani është e rëndësishme që të ecet përpara dhe të zgjidhen problemet e përmendura në raportin e ODIHR-it në lidhje me ligjin e zgjedhjeve dhe organizmin e tyre, që sikurse ka shprehur dhe ODIHR-i kanë zbehur progresin”, theksoi ambasadori.
Përfundimi i zgjedhjeve dhe publikimi i raportit të OSBE-ODHIR sjell një tjetër zhvillim të rëndësishëm atë të shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE. “Pranimi i Shqipërisë në BE është një çështje e rëndësishme strategjike për të dy vendet tona. Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE, ne do të diskutojmë raportin e OSBE-së tani dhe më pas kërkesën e bërë për aplikimin e anëtarësimit”, theksoi diplomati gjerman.