Bojkoti, PS: Të garantohet hetimi i zgjedhjeve
Partia Socialiste këmbëngul në qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si kushti kryesor për t’u rikthyer në parlament. Deputeti i selisë rozë Taulant Balla tha dje në një konferencë për shtyp se PS do të jetë në Kuvend vetëm atëherë kur të garantohet hetimi i kutive të votimit. “Ne nuk mund të kthehemi në Kuvend, nëse nuk na respektohet e drejta jonë e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ne nuk po bojkotojmë institucionet demokratike, por jemi në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë” tha Balla. Sipas deputetit socialist, PS do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të ruajtur demokracinë në vend. “PS i kujton sot Sali Berishës, se ne do të përdorim çdo mjet dhe veprim që mbron demokracinë. Ky klan qeveritar i korruptuar dhe i paaftë, që po e përdor pushtetin për t’iu fshehur drejtësisë, nuk mund t’i garantojë shqiptarëve suksesin e proceseve integruese dhe lëvizjen e lirë. Shqiptarët e dinë tashmë se procesi i lëvizjes së lirë pa viza në hapësirën schengen është një proces që implikon drejtpërsëdrejti përgjegjësi ekzekutive”, u shpreh Balla.