E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, 15 mijë biznese të vogla gati për të kaluar në të mëdha

Tatimorët kërkojnë përgjysmimin e pragut të xhiros minimale. Nga 8 që është aktualisht, xhirua vjetore zbret në 4 milion lekë

Ervin KOÇI

Një numër i madh subjektesh të biznesit të vogël në të gjithë vendin do të ndryshojnë statusin e tyre që këtë vit. Janë të paktën 15 mijë biznese, që aktualisht klasifikohen si biznes i vogël, ku pas ndryshimeve në pragun minimal të xhiros së aktivitetit pritet të shndërrohen në subjekte të pagimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, ka deklaruar dje në media se i ka kërkuar ministrit të Financave përgjysmimin e pragut për futjen në skemën e TVSH-së, nga 8 milionë lekë që është aktualisht në 4 milion lekë xhiro vjetore. Sipas kryetatimorit, zgjerimi i spektrit të aplikimit të TVSH edhe mbi bizneset e vogla, vjen në kuadër të luftës ndaj evazionit fiskal. “Barra e aplikimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar më tepër se mbi subjektin bie mbi konsumatorin, ndërkohë që bizneset do të përballen vetëm me kosto administrative”, ka sqaruar kreu i Tatimeve, Papajani. Sipas tij, “kjo skemë është një lloj tatimi neutral dhe bie mbi konsumatorin në një kohë që biznesi thjesht do tregohet i rregullt në marrjen dhe dhënien e faturave tatimore”. Propozimi i tatimorëve pret miratimin e ministrit Bode, për të nisur nga aplikimi në janar të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, kreu i tatimeve thotë se janë edhe rreth 3500 biznese të tjera kryesisht agjenci turistike, të cilat tashmë e kanë kaluar pragun e xhiros minimale dhe pritet t’i shtohen listës së tatimpaguesve të mëdhenj.

Ndryshimet në ligj

Qeveria ka gati ndryshimet e ligjit për rimbursimin e TVSH-së së bizneseve. Propozimi i këtyre ndryshimeve të ligjit vjen nga Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave. Tatimpaguesit në rast kur gjykojnë që janë të vonuar nga administrata me pa të drejtë, do të ndërpresin pagesën e çdo lloj detyrimi tjetër në buxhetin e shtetit. Me këtë masë thjesht do të reduktohen në maksimum barrierat administrative. Deri tani shifrat flasin për rreth 60 për qind më shumë rimbursime se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prioritet në këtë shifër kanë pasur eksportuesit. Rimbursimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar në kohë për shumë biznese me ndryshimet e reja të ligjit pritet të zgjidhë barrierat për këtë kategori që ankohet. Referuar shifrave për shtatë muajt, tatimet kanë rimbursuar rreth 1.5 miliardë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për bizneset eksportuese, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2009. Sipas të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rimbursimi i TVSH-së për periudhën janar-korrik 2009 ka qenë në nivelin e 1.5 miliardë lekë nga 1 miliard lekë të rimbursuara në të njëjtën periudhë të 2008-s, ose rreth 47 për qind më shumë. Përpjekje maksimale po bëhen për rimbursimin e shpejtë të TVSH-së për disa kategori specifike të biznesit që po përballen me vështirësi likuiditeti.

Evazioni

Rezultatet fiskale të qeverisë Berisha gjatë vitit 2009 luhaten mes rritjes ekonomike dhe evazionit të lartë fiskal. Qeveria ende nuk ka mundur t'i ketë të dy këta tregues pozitivë njëherësh. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat në buxhet kanë pasur këtë vit ritmin më të ulët të rritjes edhe pse qeveria nuk ka ulur asnjë taksë gjatë kësaj periudhe, por përkundrazi ka rritur disa prej tyre, e kryesisht akcizat. Në 7 muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ato që mblidhen direkt nga qeveria qendrore, arritën në 119.5 miliardë lekë me rritje reale duke zbritur efektin e inflacionit vetëm 3 për qind. Duke ju referuar të dhënave zyrtare të buxhetit, në rastin më të mirë për financat, nëse rritja ekonomike do të ishte 4 për qind, të ardhurat nga tatimet dhe doganat nga 18.2 për qind që ishin në vitin 2008, do të zbrisnin në 18 për qind të produktit të brendshëm bruto. Nëse rritja ekonomike do të jetë 6 për qind sikundër pretendon dhe mbron qeveria, të ardhurat e mbledhura aktualisht nga tatimet dhe doganat do të binin në 17.6 për qind në raport me PBB-në duke qenë fillesa e rënies për herë të parë që pas vitit 1997.

Zhvlerësohet sërish leku, euro në kuotën 134.3 lekë

Monedha kombëtare ka pësuar një tjetër zhvlerësim të ndjeshëm në tregun tonë të këmbimit kundrejt euros. Në agjencitë valutore monedha e europiane blihet me 133.7 lekë dhe shitet me 134.3 lekë. Ndërsa dollari këmbehet me 91.1 lekë në blerje dhe me 91.7 lekë në shitje. Gjatë ditëve të fundit, euro ka fituar rreth 2 pikë. Kambistët shpjegojnë se forcimi i monedhës së përbashkët europiane është pasojë e mungesës së saj në treg. Sipas tyre, kohët e fundit ekuilibrat e tregut të këmbimit janë prishur, pasi kërkesa për euro është më e madhe se oferta dhe kjo ka shkaktuar rënien e vlerës së lekut dhe mbiçmimin e monedhës europiane. Zhvlerësimi i lekut është me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit, pasi pritet shtrenjtim i mallrave të importit dhe rrjedhimisht të çmimeve në treg. Për të stabilizuar situatën, BSH-ja u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë, që të kreditojnë në lekë dhe jo në valutë. Por BSH-ja nuk ka ndërhyrë deri tani tek norma bazë e interesit të lekut, duke e lënë të pandryshueshme në 5.75%.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›