E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Njëqind masa për të shpëtuar vendin nga kriza

Kryesocialisti  prezanton programin
Kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama ka prezantuar programin për qeverisjen e vendit pas 28 qershorit, nëpërmjet të cilit opozita ka hedhur një hap të ri drejt zgjedhjeve. Sipas liderit socialist, ky program ka vizion të ri, ide të reja, dhe sjell një politikë të re për arsimin, prodhimin vendas, fshatin, shëndetin, për mjedisin, turizmin dhe kohezionin social duke veçuar si kryesore një element të rëndësishëm. Një nga shumë detajet, që do të prezantohen është se programi ynë nuk parasheh asnjë rritje taksash, u shpreh Rama. Sipas kreut Rama, ky program përmban brenda tij paketën për të qeverisur që ditën e nesërme të marrjes së votave. Programi i zbërthyer sipas fushave është rreth 1000 faqe, por në komunikimin me publikun opozita do të prezantojë një sintezë, të fokusuar në 7 drejtimet themelore dhe do të ketë një plan prej 100 masash të menjëhershme për reformimin e qeverisjes. Edhe pse volumi i tij është tepër i madh, thelbi i programit nuk qëndron në këtë volum, por Sipas tij, ky program është fryt i bisedave, diskutimeve, analizave e debateve me bashkëqytetarët e me ekspertët shqiptarë e të huaj gjatë 18 muajve të Dialogut me Shqipërinë. Lidhur me këtë pikë të programit, kreu i opozitës ka theksuar se duke filluar që ditën e sotme, do të fillojnë takimet me njerëzit në mbarë Shqipërinë, ku do të prezantohet fryti i një pune të përbashkët me dhjetëra e mijëra shqiptarë, ku Rama veçon se këta të fundit kanë marrë pjesë në shkrimin e këtij programi. Siç e kam thënë që në fillim, qëllimi ynë nuk ka qenë të shkruajmë një program premtimesh për të marrë votat dhe pastaj për të mos pasur një program për të qeverisur. Kjo është paraqitja sintetike e një pune shumë të gjatë dhe e një përpjekje ku janë përfshirë shumë njerëz. Do të ketë takime dhe bashkëbisedime publike në të gjithë territorin e vendit. Është një instrument pune për qeverinë që do të krijohet nga fitorja e 28 qershorit, që do të thotë se jemi të përgatitur qysh të nesërmen e marrjes së mandatit për të drejtuar vendin, të formojmë një qeveri të strukturuar dhe njëkohësisht të orientuar përmes këtij programi, i cili është një road map i mirëfilltë për qeverisë si e tërë dhe për të gjitha ministritë që do ta përbëjnë këtë qeveri, ka theksuar Rama. Por, meqë Shqipëria dhe partitë politike nuk kanë vuajtur asnjëherë nga mungesa e programeve të mira, por nga mosbzatimi i tyre, Rama dha shpjegime përkatëse për mundësinë e realizimit të programit të tij qeverisës. Politika jonë ka vuajtur mungesën e programeve qeverisëse, diçka tjetër nga një platformë elektorale, e cila për gjithë këto vite ka qenë një listë premtimesh për të marrë vota. Mungesa e fuqisë zbatuese të një programi ka ardhur nga mungesa e një qeverisjeje. Unë dhe i gjithë ekipi kemi marrë në konsideratë domosdoshmërinë për të shkruar një program, por edhe për të reformuar qeverinë, ka vijuar Rama. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij në prezantimin e këtij programi, kreu i PS- së, Rama ka përmendur edhe vizionin që i ka udhëhequr në shkrimin e këtij programi të ri, ku në fillim është ndaluar tek idetë që e kanë plazmuar atë, sipas së cilit janë ide të reja. Zgjidhjet që ky program parasheh janë po ashtu zgjidhje të reja. Por, mbi të gjitha vullneti ynë për ta qeverisur ndryshe Shqipërinë dhe për ta ndryshuar vendin tonë në funksion të Bashkimit me Evropën, është një vullnet i ri, ka theksuar ai. Personalitete të spikatura të politikës evropiane dhe ekspertë evropianë e amerikanë të fushave të ndryshme kanë asistuar personalisht deri në detajet fundore të këtij programi. Partia Socialiste Evropiane, Partia Demokratike Italiane, Partia Socialdemokrate Gjermane, PASOK-u grek, Partia Socialiste Hungareze, Partia Socialiste Bullgare, kanë marrë pjesë zemërgjerësisht në mbështetjen e kësaj përpjekjeje. Kreu i socialistëve, Edi Rama ka falënderuar të gjithë bashkëpjesëmarrësit, duke veçuar fondacionin Fridrich Ebert që sipas tij u bashkua i pari në përpjekjen dhe që me mbështetjen fillestare, ka dhënë mundësinë e shtrirjes në një hark të gjerë kontaktesh dhe bashkëpunëtorësh ndërkombëtarë.
 
***********************************************
Kryesocialisti Rama anashkalon listën e deputetëve
Megjithëse po afrohet dita e zgjedhjeve PS ka ende nuk ka një listë të qartë me emrat e kandidatëve. Kryesocialisti Edi Rama në përgjigjet e tij vazhdon të ngelet evaziv dhe i pakuptueshëm kur diskutohet për kandidaturat e mundshme të zgjedhjeve të reja. Frika e një përçarje të re pas shpalljes së listave ka vënë në dilemë kryesocialistin Rama. Tashmë para kryesocialistit përveç problemit të tij të moskandidimit qëndron edhe problemi i kandidaturave të cilat mesa duket do e vënë në një tjetër udhëkryq PS. Ditën e djeshme lideri socialist, Edi Rama i është përgjigjur një sërë pyetjesh në lidhje me zhvillimet më të fundit në këtë krah politik. Thembra e Akilit për qeverinë e re të socialistëve, nëse vijnë në pushtet pas 28 qershorit do të jetë kriza ekonomike. Sipas Ramës, partia ridimensionon edhe rrugën dhe punën që duhet bërë paralelisht me arritjen e atyre objektivave, që opozita i ka vënë vetes. Përsa i përket listës  së deputetëve Edi Rama tha se: Ju them me shumë sinqeritet, që ndërkohë për shkak të punës tuaj dhe sigurisht të interesit të ditës, që kanë listat e deputetëve, ju vazhdoni të kërkoni të dini lidhur me këto lista. Unë jam përditë e më i shqetësuar për listat e borxheve të qytetarëve në dyqanet ku duhet të blejnë ushqimin e përditshëm. Për listat e borxheve të sipërmarrjeve që janë gjithmonë e më pak oksigjen për të reaguar në kushtet e një krize që po prek familjen shqiptare dhe sipërmarrjen shqiptare. Listat e ekipeve që do të përfaqësojnë PS, dhe që do të përbëjnë shumicën e Parlamentit të nesërm, janë lista që sot nuk janë ende në rendin e ditës për mua. Ato do të paraqiten në kohën dhe vendin e duhur, përpara rënies së gongut për fushatën elektorale. Ndërkohë që përsa i koalicioneve Edi Rama tha se , ky është një aspekt i procesit të përgatitjes së fushatës elektorale. Aspekti i formalizimit të koalicionit që pas 28 qershorit do të qeverisë Shqipërinë, është pjesë e kalendarit tonë të punës dhe aktivitetit paraelektoral. Në kohën e duhur, edhe ne do të bëjmë formalizimin e koalicionit qeverisës, është përgjigjur Rama. përsa i përket qeverive hije të PS, kryesocialisti Rama ka sqaruar se nuk ka ndonjë qeveri në sirtarin e tij. Qeveritë hije të PS, janë pjesë e fantazisë së shitësve të gazetave dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla, ka thënë Rama.
Në përgjigjet e tij për gazetarët, kryesocialisti Rama, ka sqaruar se programi qeverisës është një instrument veprimi i qeverisë, si e tërë në të gjithë sektorët. Duke qenë absolutisht i bindur se nuk ka shpikje të mëdha për të bërë, por ka ide të reja që me modesti duhet të përbëjnë thelbin e një programi qeverisës. Nga ana tjetër, duke qenë i bindur se mungesa e fuqisë implementuese e një programi ka ardhur në të gjithë këtë proces tranzicioni ka ardhur nga mungesa e një qeverisje të aftë për ta bërë këtë gjë, unë dhe gjithë ekipi ynë ka marrë në konsideratë qoftë domosdoshmërinë për të shkruar një program qeverisës, qoftë domosdoshmërinë për të reformuar qeverisjen e vendit dhe në rast se në programin tonë qeverisës janë 7 drejtime themelore, ne kemi edhe një aneks apo një pjesë të dytë të programit, që është vetë reforma e qeverisjes, ku pas një analize shumë të imët të procesit qeverisë së të 18 viteve, të strukturave të qeverive në këto 18 viteve, të efikasitetit dhe koordinimit të këtyre strukturave, kemi hartuar një plan 100 masash dhe gjithashtu jemi gati të prezantojmë strukturën e re të qeverisë së Shqipërisë, bazuar në domosdoshmërinë për të jetësuar programin tonë të ri qeverisës. Ne do ti themi gjërat në këtë proces prezantimi, por unë mund të them me plot gojën se do të ruajmë gjithçka që nuk e cenon realizimin e programit tonë dhe do të anulojmë gjithçka që e pengon këtë program të jetësohet në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ka thënë Rama.
 ***************************************
Ja 7 pikat themelore të programit të PS <

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›