Topalli: Rishikimi i rregullores, drejt përshtatjes së plotë me praktikat e Parlamentit Evropian

Mblidhet grupi i punës për rishikimin e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë
Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nisi dje nga puna komisioni për rishikimin dhe përmirësimin e rregullores së Kuvendit, në bazë të marrëveshjes politike të 14 nëntorit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Grupi i punës i cili do të merret me reformën parlamentare është i përbërë nga 4 persona ku nga ana e Partisë Demokratike janë deputetët Jemin Gjana dhe Viktor Gumi ndërsa nga Partia Socialiste, Namik Dokle dhe Ditmir Bushati. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli solli në vëmendje objektin kryesor të veprimtarisë 4 – mujore të grupit të punës, përmirësimin e rregullores duke marrë si model rregullat dhe procedurat e parlamentit dhe të komisionit Evropian. “Grupi i punës autorizohet të përpilojë dhe të përgatisë propozimet për përmirësimin e kuadrit ligjor, të statusit të deputetit dhe cilësisë së kontrollit parlamentar, duke iu referuar praktikave të Parlamentit Evropian dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke i përshtatur ato në kontekstin e jetës parlamentare shqiptare”- u shpreh Topalli. Gjithsesi, sipas znj.Topalli rregullorja ekzistuese është e standardeve shumë të mira. Në këtë kontekst kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli solli në vëmendje edhe zhvillimin e një dite më parë në Parlamentin Evropian, i cili votoi në unanimitet midis të gjithë grupeve parlamentare, përmirësimin e Kodit të Etikës të funksionimit të tij. “Ishte interesant zhvillimi dje në PE, i cili votoi me unanimitet midis të gjithë grupeve parlamentare përmirësimin e kodit të etikës të Parlamentit, gjë, e cila u përgëzua nga kryetari i Parlamentit, zoti Bussek dhe të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare. Duke lexuar përmbajtjen e këtij kodi të ri të etikës në fakt ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse ligji mbi konfliktin e interesit që ne kemi kaluar së bashku me disa reforma të tjera janë edhe më të përparuar se, qoftë edhe ndryshimet e djeshme të kodit të etikës në Parlamentin evropian. Unë i kam kërkuar administratës që në dispozicion të grupit të punës të vendosë të gjitha potencialet, jo vetëm burimet njerëzore dhe çdo kërkesë tuajën për ekspertë, por në të njëjtën kohë keni në dispozicion edhe njësinë e kërkimit pranë bibliotekës së Kuvendit”- tha kryetarja e Kuvendit.
Por, sipas bashkëkryetarit socialist të këtij grupi pune, nënkryetarit socialist të Kuvendit, Namik Dokle rregullorja e Kuvendit duhet të rishikohet në tërësinë e saj. “Kjo nuk është thjeshtë një përmirësim nenesh të rregullores, por është një thellim i mëtejshëm në jetën parlamentare. Mendoj se një element i rëndësishëm ku duhet të shkojmë edhe përvojën e parlamenteve të tjera është buxhetimi i veprimtarisë parlamentare. Gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe ndryshuar rregullore, por jeta parlamentare sugjeron ndryshime të tjera. Nga kjo pikëpamje domosdoshmëria e përmirësimit është evidente, ky do i japë impuls punës së grupit, por këtë nuk e konceptojmë si punë e 4 vetëve, por gjithë deputetëve, ekspertë të fushës, për të bërë diçka sa më të mirë”- theksoi Dokle. Bashkëkryetari demokrat i grupit të punës për rregulloren e Parlamentit, Jemin Gjana tha se ndërhyrja në rregullore do bëhet kryesisht në ato nene që garantojnë adaptimin e praktikave të rregullores së Parlamentit Evropian. Sipas tij, grupi i punës për rishikimin e rregullores s’do prekë nenet e funksionimit të parlamentit. “Unë besoj se ndërhyrja do të jetë në një pjesë të kapitujve të neneve të rregullores. Nenet e funksionimit të parlamentit nuk janë nene që kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje të thellë. Ndërhyrje mund të ketë në ato nene që do të vijnë si propozime të grupit të punës, propozime që do të vijnë nga opozita. Megjithë predispozitën, duke konsideruar siç thashë edhe njëherë, principet më të mira që burojnë nga rregullorja themeltare e funksionimit të një prej parlamenteve më të mëdha që ka Europa, që është Parlamenti Evropian”- tha deputeti demokrat, Jemin Gjana. Grupi i Punës ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë 4-mujore, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet.