Rama: Nuk do njohim zgjedhjet dhe vendimet KRRTRSH së Berishës
Kryetari i PS-së, Edi Rama, akuzoi kryeministrin Berisha se po shkatërron procesin zgjedhor dhe u shpreh se nuk do të njohë zgjedhjet nëse PS-së nuk i pranohen kontestimet sipas ligjit. “Ndërkohë që Partia Socialiste kërkon me të drejtën që i jep, pa asnjë farë dyshimi, ligji zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, të bëjë transparencën e 28 qershorit në Berat, Tiranë e Shkodër, Sali Berisha vazhdon, në shkelje të plotë të çdo të drejte demokratike e ligjore, të shkatërrojë procesin zgjedhor dhe, njëkohësisht, të marshojë në rrugën e vendimeve shkatërruese për të ardhmen, për ekonominë kombëtare e për mjedisin tonë të përbashkët”, u shpreh Rama dje gjatë një konference për shtyp. Duke marrë shkas nga vendimet e marra në KRRTRSH për ngritjen e parkut energjetik në Durrës, Rama tha se nuk do të njohë asnjë vendim të tillë. “Ne nuk do t’i njohim zgjedhjet e 28 qershorit në rast se nuk do të na njihet e drejta jonë demokratike e ligjore, për të gjitha kontestimet tona të pamohueshme, dhe nuk do t’i njohim as ato vendime të djeshme të Sali Berishës që i mohojnë Durrësit, Lezhës, Shkodrës e, në fakt, gjithë Shqipërisë, të drejtën e një zhvillimi të qëndrueshëm e të shëndetshëm për sot e për brezat që do të vijnë”, u shpreh kryesocialisti.