E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët: ”Të sëmurët, kujdes nga problemet kardiake“

I nxehti afrikan stimulon përkeqësimin e gjendjes shëndetësore

Emanuela Sako

I nxehti afrikan që ka filluar ditët e fundit, po stimulon shtimin e sëmundjeve te qytetarët. Mjaft persona që vuajnë nga problemet e zemrës janë drejtuar në urgjencë për shkak të avancimit të papritur të sëmundjes. Ndërsa specialistët thonë se në Urgjencën e QSUT—së drejtohen çdo ditë rreth 100 persona me probleme kardiake. Mjeku Kardiolog, Valer Manushi, shprehet se e gjithë popullata duhet të ndjekë këshillat e tyre pasi në të tilla temperatura krijohen komplikacione të shumta në organizëm. Simptomat e para që shfaqen nga rritja e temperaturave janë, gjendje të fikti, rritje të rrahjes së zemrës, djersitje dhe humbje të kripërave minerale, si dhe luhatje tensioni. Prandaj në të tilla situata duhet të zbatohen këshillat e specialistëve. “Gjatë kohës që lëvizni mbani ujë me vete dhe konsumoni sa më shumë ujë gjatë ditës, rreth 2-3 litra. Mbani rroba me ngjyrë të të çeltë, të lehta, kapele për mbrojtje nga dielli. Ata që konsumojnë alkool të shmangin pijet alkoolike”, - shprehet Manushi. Të sëmurët
Të sëmurët me zemër janë më të predispozuar për t’u prekur nga temperaturat e larta dhe gjendja e tyre mund të rëndohet deri në goditje kardiake. Për këtë kategori personash që vuajnë nga zemra, mjeku Manushi shprehet se ata duhet të bëjnë konsulta të herëpashershme, pasi mund të kenë nevojë për rregullim të mjekimit. Gjatë ditëve të nxehta lind nevoja për të ndryshuar dhe kurën apo medikamentet bazë, në mënyrë që të bëhet balancimi ekuilibrave në organizëm. Specialisti këshillon se duhet të evitohen daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11:00- 16:00. Ambienti në shtëpi duhet të mbahet sa më i freskët, deri në temperaturën 27 gradë. Por nuk duhet të mbahet në një temperaturë më të ulët sepse mund të krijohen komplikacione kur qytetarët të bien në kontakt me temperaturat e nxehta jashtë ambientit të shtëpisë.
Temperaturat
Metereologët bëjnë të ditur se vala e të nxehtit afrikan që po shoqëron vendin tonë në këto ditë të nxehta do të vazhdojë të jetë prezent deri në datën 25 të këtij muaji. Vlerat e larta të temperaturave janë ndjerë që në orët e para të mëngjesit, por mesdita është gjithmonë më e nxehtë, ku vlerat shkojnë në 38- 39 gradë celsius. Ndërkohë që në disa zona ato do t’i kapërcejnë këto vlera. Këto temperatura janë të papërballueshme për një sërë kategorish, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët preken më lehtë nga problemet shëndetësore.

Të nxehtit, stimulon shtimin në peshë për disa kategori
Konsumimi i tepërt i ushqimit gjatë stinës së verës bëhet shkak për shtimin në peshë. Shtimi në peshë vjen si pasojë e ushqyerjes së tepërt dhe jo të shëndetshme, si dhe nga konsumimi i pakët i lëngjeve. Specialistët këshillojnë që të gjithë qytetarët të konsumojnë më pak ushqime të thata, dhe më shumë lëngje sepse përveç peshës, ka rrezik për komplikacione në organizëm. Sipas statistikave të kryera nga ISHP-ja, të dhënat e deritanishme flasin se 20 % e të rinjve të shkollave të mesme janë mbipeshë. Tek femrat, mbipesha shkon mesatarisht deri 26 %. Ndërsa nga një studim në qytetin e Tiranës për mosha mbi 55 vjeç u vu re se ky fenomen arrin në shifrën 28,6%. Mbipesha shfaqet më problematike tek fëmijët, të cilët nuk mbajnë një regjim bazë në ushqyerje dhe sidomos gjatë stinës së verës. Gjatë sezonit të nxehtë, fëmijët janë më të prirur të konsumojnë më tepër ushqime sesa gjatë kohës së shkollës. Një tjetër studim për obezitetin dhe mbipeshën tregoi se rreth 15.2 % e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 % e tyre, obezë. Nisur nga këto të dhëna, specialistët pohojnë se vëmendja duhet drejtuar tek parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit të moshës fëminore. Kjo, pasi trajtimi i obezitetit të instaluar është shumë i vështirë, por dhe mundësia e të qenurit një adult obez është shumë i lartë. Gjithashtu, po kaq i vështirë është korrigjimi i zakonit të gabuar ushqyes tek të rriturit, e cila është fituar që në fëmijëri. Obeziteti është masë e madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepruar i tepricave kalorike në formë dhjami. Për të përcaktuar peshën e shëndetshme, apo indeksin e masës trupore, çdo njeri mund ta përcaktojë vetë këtë tregues duke pjesëtuar peshën e tij me gjatësinë në katror. Treguesi i masës trupore (IMT), midis 18,5-24,9 është normal apo i shëndetshëm. Nëse treguesi i masës trupore (IMT) është midis 25-30 personi është mbipeshë dhe nëse treguesi i masës trupore (IMT) është mbi 30 personi është obez. Për mbajtjen e peshës trupore në limitet e rekomanduara (IMT të 20-25) dhe për të pasur një ushqyerje të shëndetshme, mjekët rekomandojnë konsumimin e larmishmërisë së ushqimeve. Ata duhet të konsumojnë ushqime të ndryshme me origjinë kryesisht bimore sesa shtazore, konsumimin e bukës, drithërave, orizit, disa herë në ditë, si dhe të zarzavateve e frutave të freskëta (së paku 400 gr në ditë), etj. Gjithashtu, krahas kësaj ata rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik çdo ditë. Rekomandohet që të kryhen ushtrime fizike 30 minuta ecje e moderuar të paktën 4 herë në javë.

QSUT
Ndërpriten operacionet e planifikuara, në pritje vetëm urgjencat

Operacionet e planifikuara janë ndërprerë për një afat dymujor, për shkak të lejeve të mjekëve dhe rritjes së temperaturave. Mjekët në QSUT, shprehen se aktualisht janë ndërprerë operacionet e planifikuara dhe do të punohet vetëm me rastet e detyrueshme për jetën e pacientëve. Në këtë periudhë, stafi i mjekëve do të jetë i reduktuar për shkak të lejeve të zakonshme gjatë sezonit veror. Por, më kryesorja është se stina e nxehtë nuk është e përshtatshme për të kryer operacione, pasi mund të ndodhin infeksione të ndryshme dhe vështirësi në mirëmbajtjen e plagës së hapur nga ndërhyrja kirurgjikale. Pacientët që nuk kanë probleme emergjente duhet të presin muajin shtator, pas marrjes së konsultës nga mjeku. Sipas stafit të mjekëve, kjo ndërprerje është normale sepse temperaturat e larta janë të dëmshme për mbarëvajtjen e pacientëve që kanë kryer operacion. Pacientët që do të mbeten pa kryer ndërhyrjen kirurgjikale, do të shtyjnë afatin kohor deri në shtator. Kjo është periudha e vetme e vitit ku spitalet reduktojnë stafin e tyre dhe fluksi i punës bie. Vendin e tyre e zënë problemet shëndetësore stinore dhe moshat më problematike janë të vegjlit dhe të moshuarit. Sipas statistikave të publikuara nga Drejtoria e QSUT-së, në këtë qendër spitalore kryhen mesatarisht rreth 100 operacione në ditë. Duke u nisur nga kjo shifër, duket se spitalet do të kenë një fluks të madh pune pas mbarimit të pushimeve dhe sezonit veror. Pacientët që duan të kryejnë medoemos ndërhyrjen, duket se do t’u drejtohen klinikave private, të cilat kanë një fluks më të ulët të punës se sa shtetërori dhe do të jenë të gatshme për të pritur pacientët që do t’u ofrohen në këtë periudhë. Megjithatë, specialistët shprehen se koha më e përshtatshme për kryerjen e operacioneve janë muajt e ftohtë të vitit, ku ndotja mikrobike është më e ulët. Aktualisht, spitalet janë tejmbushur me pacientë që kanë probleme shëndetësore të stimuluara nga stina e nxehtë dhe ndjekin gjendjen e tyre në dhomat e shtrimit. Çdo pavijon, e ka shtuar volumin e punës së konsultave dhe dhomat e shtrimit janë plot me pacientë.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›