E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për të privatizuar pronën shtetërore

Kur paguhen ekspertët dhe llogaritja për metër katror sipas objektit. Ish-pronarët që kanë truallin mund të marrin në pronësi edhe godinën

Laureta Rryçi

Tiranë - Përcaktohen rregulla të reja për rastet kur prona shtetërore privatizohet apo transformohet. Udhëzimi më i fundit, që mban firmën e ministrave Ridvan Bode dhe Genc Ruli, do të rregullojë të gjithë procedurën e shitjes së atyre pronave apo godinave që kërkohen të blihen si nga ish-pronarët ose edhe nga subjekte të tjera private. Sipas këtij udhëzimi, subjektet që kanë blerë ndërmarrjet shtetërore duhet që brenda datës 31 maj 2009 të blejnë truallin e tyre. Ndryshe, trualli do t’i kalojë në administrim Agjencisë së Pronave për t’u përdorur në procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Ky vendim është marrë dje nga Këshilli i Ministrave. “Të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë”, - shkruhet në pikën tre të vendimit të qeverisë. “Pas afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet kur trualli ka pronar, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, trualli i kalon këtij pronari”, - sqarohet në pikën katër të vendimit.
Udhëzimi
Trualli që privatizohet konsiderohet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale rreth tij, e përcaktuar sipas genplanit të objektit që është pjesë e dokumentacionit të privatizimit që përgatit komisioni i vlerësimit të ndërmarrjes. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit në bazë të kërkesës së tyre për çdo pronar bëhet në bashkëpronësi të pandashme mes pronarëve të objektit. Bashkëpronarët u nënshtrohen dispozitave të Kodit Civil. Për shembull: Objekti me 3 kate është ndërtuar mbi një sipërfaqe 500 metër katrorë (sipërfaqe ndërtimi + mjedisin e përbashkët + sipërfaqen e bordurës + sipërfaqen e truallit në oborr, nëse ka). Sipërfaqja e ndërtimit për ambientet e përbashkëta është 1250 metër katrorë dhe për çdo kat është: kati i parë 450 metër katrorë dhe kati i dytë 450 metra katrorë ndërsa kati i tretë 350 metra katrorë.
Llogarisim koeficientin (k), që në këtë rast del 0.4. Koeficienti është konstant, duke u shumëzuar me sipërfaqet përkatëse të ndërtimit që zë secili pronar jep sipërfaqen përkatëse që i takon të privatizojë secili pronar. Në një kat mund të jenë një ose më shumë pronarë. Në rastin tonë në shembull kemi vetëm nga një pronar në çdo kat. Këto sipërfaqe, të cilat përcaktohen nga ekspertët vlerësues duke u shumëzuar me çmimin për metër katror të llogaritur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Truallit ish-Pronarëve, japin vleftën që duhet të paguajë në lekë secili pronar.
Procedura
Ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave brenda një afati 20-ditor nga dita e afishimit duke depozituar kërkesën me shkrim. Në këtë kërkesë duhet të shprehet se dëshiron të blejtë objektin në fjalë, dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20 për qind të vlerës totale të objektit që kërkon të blejë, vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të ish-pronarëve të noterizuar të shoqëruar me planvendosjen e pronës apo çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rast se pronari nuk paraqitet për të blerë godinën që ndodhet në truallin e tij, atëherë Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike organizon një ankand për shitjen e objektit dhe të truallit. Në këtë rast, vlera e truallit e përcaktuar sipas vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit do të përdoret drejtpërdrejti për të kompensuar ish-pronarin.

Rregullat e reja për vlerësimin e truallit dhe objekteve

Për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, të cilat i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, nevojitet miratimi përkatës i këshillit bashkiaktë komunës ose qarkut, ndërsa për pronat që janë në administrim të këtyre institucioneve nevojitet vetëm miratimi i kryetarit të bashkisëkomunës apo qarkut përkatës. Vlerësimi i pasurisë shtetërore në zbatim të këtij vendimi bëhet për çdo element të pasurisë nga komisioni i vlerësimit, duke përcaktuar vlerën reale të tregut në zbatim të legjislacionit në fuqi duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut. Komisioni i vlerësimit për pasuritë e paluajtshme do të ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ky komision do të ketë jo më pak se tre anëtarë, do të drejtohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën përkatëse ku ndodhet objekti dhe në përbërje të tij do të jenë përfaqësuesi i ndërmarrjes apo i institucionit, në administrim të të cilit ndodhet objekti, si dhe grupi i ekspertëve vlerësues. Ky grup ekspertësh përbëhet nga ekspertë vlerësues të pasurisë së paluajtshme si dhe ekspertë kontabël, grup i autorizuar të fushës përkatëse, sipas rastit. Pas verifikimit dhe saktësimit të punës së realizuar të ekspertëve nga dega e shoqërive publike, hartohet procesverbali lidhur me orët e domosdoshme të vlerësimit të objektit, i cili firmoset dhe vuloset nga kryetari i degës së shoqërive publike dhe ekspertët. Në këtë rast, pagesa e ekspertëve lidhur me misionin e vlerësimit do të bëhet për çdo miratim privatizimi. Paga orare do të jetë 1500 lekë për orë pune. Në rastin e vlerësimit të objekteve që do të përfshihen në fondin e kompensimit fizik për ish-pronarët, pagesa e ekspertëve do të bëhet për çdo objekt të vlerësuar dhe paga orare do të jetë 1500 lekë për orë pune. Pagesa e ekspertëve që kryejnë vlerësimin e pasurive të shoqërive tregtare shtetërore, të formës anonime ose me përgjegjësi të kufizuar, të pasurisë së ndërmarrjes që transformohet në shoqëri tregtare, si dhe të objekteve të zbritura nga kapitali i shoqërisë për efekt privatizimi, mbulohet nga shoqëritë përkatëse. Në rast mospagese nga ana e shoqërisë, atëherë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës merr përsipër pagesën e ekspertëve. Kontrata e pagesës së ekspertëve do të lidhet ndërmjet ekspertëve dhe titullarit të shoqërisë.

Dokumentet që u duhen pronarëve për të privatizuar objektin

Pronarët e objektit në rast se vendosin për të blerë truallin e ndërmarrjes së privatizuar më parë duhet të paraqesin në dy kopje, në Ministrinë e Financave në Drejtorinë e Shitjes së Pronave Publike, kërkesën me shkrim për blerje të truallit;
vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, kartelën e pasurisë për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Blerësi duhet të paraqesë gjithashtu fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, si dhe fotokopje të noterizuar të genplanit apo planimetrisë së objektit në çastin e privatizimit. Në dosjen e blerësit duhet të paraqitet dhe deklarata noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›