Rama: Nuk e duam Shqipërinë e Sali Berishës
PESHKOPI- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga drejtues të lartë të kësaj partie, zhvilloi dje një takim me banorë të qytetit të Peshkopisë. Thuajse të gjithë shprehën bindjen se shqiptarët do të bashkohen në një zë të vetëm për t'i dhënë përgjigjen e merituar kryeministrit Sali Berisha për premtimet e pambajtura. Në fillim të këtij takimi, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë një apel për Kryeministrin e vendit, duke i uruar të njëjtën kohë shërim të shpejtë një djali që lufton me vdekjen në spitalin Peshkopisë e si ai janë shumë të tjerë në spitalet e mbarë vendit. “Nga kjo sallë, dua t'i them Sali Berishës, se një djalë është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Peshkopisë, në pritje të mjekut anestezist nga Tirana. Kjo është Shqipëria e Sali Berishës. Kjo është një Shqipëri që ne nuk e duam, duam një Shqipëri tjetër, ne duam një Shqipëri ku për çdo shqiptarë e shqiptare te ketë spitale, mjek, që analizat dhe ilaçet të jenë të garantuara, të ketë shpresë dhe jetë",- tha Rama. Duke folur për “Dialogun me Shqipërinë”, Ramau shpreh se është një mësim i madh për të kuptuar sa e vështirë është jeta e njerëzve në gjithë vendin dhe mbi të gjitha për të kuptuar “se sa e gabuar ka qenë dhe është politika e vjetër e së shkuarës, në një marrëdhënie jashtëzakonisht të gabuar, me premtime dhe gënjeshtra, e cilat duhet të marrin fund për t'i hapur rrugë një marrëdhënie të re, për të cilën nevojitet një bashkim i madh i shqiptarëve përtej kufijve të partive politike”.
"Në çdo fshat të Shqipërisë, nga veriu në jug, njerëzit me të drejtë qahen për kostot e larta të prodhimit, qahen për çmimet e pamundura të naftës, farërave, qahen për pamundësinë që edhe atë prodhim që nxjerrin, ta shesin në treg. Në Shishtavec të Kukësit, ku patatet mezi prodhohen, groposen sepse nuk ka kush t'i blejë, nuk ka kush t'i nxjerrë në treg, sepse nuk ka shtet, që të mendojë për ata njerëz që jetojnë në Shishtavec, Kala të Dodës, Peshkopi, dhe të gjithë ata njerëz që jetojnë në Shqipëri. Sigurisht, që kostot e prodhimit sot janë shumë të larta, siç është shumë e lartë sot edhe shifra e papunësisë, por të dyja këto ne duhet t'i marrim përsipër t'i trajtojmë dhe t'i zgjidhim, sepse asgjë nuk është e pamundur nëse ne jemi bashkë, secili në krye të detyrës së tij”,- tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se, shqiptarët e shqiptaret janë në të njëjtin hall, që duhet të bashkohen, “për të larguar Sali Berishën e për të hapur një epokë të re”.