Shembja e pallatit, policia: Arrestohen 5 persona, ndalohen 3 të tjerë
Gjirokastër- Pesë persona janë arrestuar nga policia e Gjirokastrës dhe 3 janë ndaluar, pas ngjarjes së rëndë ndodhur një ditë më parë, kur u shemb pallati 5 katësh në lagjen “11 janari” në Gjirokastër.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se në pranga janë vënë punonjës të firmës, inxhinieri, arkitekti, eskavatoristi dhe presidenti i firmës ndërtuese që kryente punime ngjitur me pallatin e shembur, dhe që sipas të dhënave të para është shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë.
Të arrestuar janë shtetasit:
1.Jani Ndrico, 45-vjeç, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, eskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”.
2.Thanas Llahana, 58-vjeç, me kombësi greke, Inxhinier Gjeolog
3. Njazi Çobani, 45-vjeç, me profesion i artitekt ishoqërisë së ndërtimit
4. Luan Bufi, 58-vjeç, me profesion inxhinier ndertimi i shoqërisë së ndërtimit
5. Sotiraq Janora, 43-vjeç, me kombësi greke, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit
“Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, me akuzën e shkeljes së rregullave në punë”- thanë burimet e policisë, duke sqaruar se krahas tyre janë ndaluar tre persona të tjerë të akuzuar për shpërdorim të detyrës.
Sipas të njëjtit burim, të ndaluar janë shtetasit, Alfred Mamani,me detyre Shef i Urbanistikës në Bashkinë e qytetit; Admir Shehaj,me detyrë Përgjegjës në Inspektoriatin e Ndërtimit në Bashkinë e qytetit dhe Afërdita Papamihali, sekretare e K.RR.T-s pranë bashkisë.
Ndërkohë dy shtetas janë shpallur në kërkim, të akuzuar si përgjegjës për të njëjtën ngjarje. Gjergji Mece, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit dhe Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit të firmës janë në kërkim nga policia dhe po punohet për kapjen e tyre.
Materialet për këtë çështje i kanë kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor, Gjirokastër, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të kësaj shoqërie dhe marrëdhëniet me Zyrën e Urbanistikës dhe KRRT e Bashkisë së qytetit.