E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk hyjmë ne zgjedhjet e pjesshme

Një ditë pas protestës para Kryeministrisë për hapjen e kutive të votimit, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje se këto protesta do të vijojnë edhe më tej, ndërsa ka theksuar se PS-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Gjatë konferencës për shtyp, kryetari i PS-së, Rama, i ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen e dhënë dhe ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqet nga kjo betejë, derisa të hapen kutitë e votimit për t‘u lexuar siç duhet vota e 28 qershorit. Duke këmbëngulur te kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për procesin zgjedhor të 28 qershorit, kryetari i PS-së, Rama, tha se PS-ja do të kërkojë hetimin e të gjithë atyre mekanizmave që e deformuan vullnetin e popullit, duke bërë njësh shtetin me pushtetin. Sa për deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili tha se jemi gati t‘i japim shumicën opozitës në komision, por jo për të bërë hetim, Rama tha se ajo ishte një deklaratë tërësisht absurde dhe delirante. Duke konfirmuar qëndrimin e opozitës, Rama u shpreh se "për të gjitha procedurat ligjore dhe të gjitha aktet e bazuara në normën elementare të funksionimit të çfarëdolloj trupe në demokraci, janë vetëm një shprehje e shkruar në letër që mund të hidhet në kosh, njësoj siç u hodh në kosh ligji zgjedhor, ku u refuzua në mënyrë arbitrare, në mënyrë të dhunshme e drejta jonë për të hapur kutitë përmes një shumice aty që nuk e kishte fare atë të drejtë të refuzimit të zbatimit të ligjit". Në zbatim të ligjit, është shprehur Rama, ne duam të bëjmë një hetim parlamentar, të bëjmë një transparencë të plotë në sytë e popullit shqiptar për atë që ka ndodhur. Ky hetim, sipas kryetarit të PS-së, duhet të bëhet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar që nuk kontrollohet nga Sali Berisha, i cili në fakt është i akuzuari numër një. Rama ka theksuar se kjo betejë për zbardhjen e së vërtetës do të vijojë pasi ai ka mbështetjen e të gjithë grupit parlamentar dhe të mijëra qytetarëve që protestuan para Kryeministrisë. Sipas tij, kjo pjesëmarrje dëshmoi se ai ndodhet në rrugën e duhur dhe se akuzat që hedh Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Meta, se po pengohet integrimi i vendit, nuk qëndrojnë. Kryetari i PS-së tha se këto janë akuza idioteske, pasi sot, i akuzuari lidhur edhe me liberalizimin e munguar të vizave është personalisht Sali Berisha, i cili duhet t‘u japë llogari shqiptarëve se përse Mali i Zi, Maqedonia dhe vetë Serbia që e nisi shumë më mbrapa se sa ne procesin drejt BE-së dhe liberalizimit, sot e kanë marrë liberalizimin dhe pse Shqipëria ka mbetur vrima e fundit e kavallit, ndërkohë që duhet të ishte pa asnjë diskutim, jo vetëm bashkë me këto vende të tjera, por edhe përpara tyre në këtë proces. Kjo ka vetëm një shpjegim, keqqeverisjen, paaftësinë për të plotësuar kushtet, të cilat nuk kanë lidhje fare me ne, por kanë lidhje me detyrimet që ka qeveria lidhur me një sërë komponentësh të liberalizimit dhe fakti që në vend që të merret me interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të gjitha këto interesa Sali Berisha i filtron përmes sitës së interesave të familjes së tij dhe të pushtetit të familjes së tij, që e ka vënë qeverinë e Shqipërisë në dispozicionin e vet dhe që i ka kthyer prioritetet e shqiptarëve në çështje të dorës së dytë. Shteti është në krizë, ka deklaruar Rama, ndaj opozita do të vijojë betejën e saj për të ndarë vendin nga familja në pushtet. Kjo betejë do të vijojë duke ritheksuar kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Kjo kërkesë tashmë, theksoi Rama, është mbështetur nga 10 mijë veta, të cilët kanë hedhur firmat e tyre, por ne, ka theksuar ai, "mund t‘i mbledhim fare lehtë firmat e nevojshme për hapjen e kutive të votimit, duke e shtrirë procesin në të gjithë Shqipërinë dhe duke mos e kufizuar vetëm në shifrën e 20 mijë qytetarëve që mund të jetë arritur tashmë, pasi vetëm ditën e protestës u mblodhën 10 mijë firma".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›